Paketa fiskale, rritja e mundshme e taksave dhe kërkesat e biznesit

redaktor

Hartimi i Buxhetit të vitit 2015 dhe paketës fiskale që shoqëron këtë buxhet është kryetema nga e cila do të varet ecuria e ekonomisë për vitin pasardhës, e biznesit dhe konsumatorit. Ndaj kjo mbetet pika më e nxehtë që po diskutohet që nga shtatori nga ekspertët e Ministrisë së Financave dhe që ju është përcjellë për mendim dhe përfaqësuesve të biznesit. Madje dhe në mbledhjet e Këshillit Ekonomik Kombëtar (KEK) tashmë kjo është çështja kryesore që është shtruar për diskutim. Dhe në këtë vorbull konsultimesh, diskutimesh nën këshillat e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjithashtu, paketa dhe buxheti po merr formë përfundimtare për t’u paraqitur në Kuvend me disa ndryshime që flasin për rritje të mëtejshme të taksave. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, nga parashikimet e deritanishme, nga ndryshimi i pritshëm i taksave, efekti në buxhetin e shtetit pritet të jetë rreth 10 miliardë lekë. Ky draft, që akoma nuk është zbardhur plotësisht, pritet të kalojë për miratim në qeveri më 22 Tetor. Të njëjtat burime theksojne se dy nga taksat që pritet të kenë ndryshime janë akciza dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), por që mbeten ende në diskutim i e sipër. Me ndryshimin e qeverisjes, një vit më parë u ndryshua dhe mënyra e përllogaritjes së kësaj takse. Kështu, tatimi mbi të ardhurat personale të pagës së të punësuarve, kaloi nga tatimi i sheshtë 10 për qind, në tatim progresiv. Ndërkohë një ndër taksat më të debatuara për rritjen e saj dhe efektet direkte që jep tek qytetarët ishte ajo e akcizës.

Reagimi i biznesit

Komuniteti i biznesit ka paraqitur këto ditë propozimet e tij për qeverinë për këtë paketë. Megjithatë ndryshimet dhe negociatat për këtë paketë do të vazhdojnë deri në momentet e fundit. Dje reagoi në një njoftim zyrtar Konfindustria, një shoqatë biznesi, e cila u shpreh se do të kërkojë zyrtarisht pranë qeverisë dhe vendimarrjes politike “rikthimin e tatim fitimit të sheshtë në masën 9-9.5 për qind për të gjithë sektorët e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë dhe nuk përfitojnë nga privilegjet qeveritare të punës në tregje të mbyllura. Konfindustria e lidh këtë me faktin se nga të dhënat e deritashme nga bizneset e mëdha tregojnë, se “ndryshimi me 2 herë i tatim fitimit (7.5-15 për qind ), që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2014, ka prodhuar në praktikë rritje të trysnisë së biznesit të vogël dhe kategorive të biznesit të ashtuquajtur të “madh” me qarkullim vjetor afër pragut prej 8 milion lekë për moslëshim faturash tatimore, duke shkaktuar problematikë të rënduar në transaksionet financiare”. Konfindustria vlerëson, se kjo dukuri është shkak i fortë për prodhim shtesë të evazionit fiskal nga poshtë-lart për gjithë ekonominë kombëtare me ndikim të qartë negativ. Ndërkohë, rritja e shmangies fiskale për shkak të ndryshimit me 2 herë të tatim fitimit për bizneset me qarkullim vjetor në pragun e 8 milionë lekëve sipas kësaj shoqate do të ndihet shumë në vetë të ardhurat buxhetore për vitin 2015. Ndaj sipas tyre tatim fitimi i sheshtë prej 9-9.5 për qind paraqet epërsi të dukshme ndaj sistemit të sotëm progresiv, sepse rivendos në kushte barazie konkurrueshmërinë e Shqipërisë në rajon, për tërheqjen e investimeve të huaja.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *