Sebastian Sosa është zyrtarisht futbollisti më ri i Vllaznisë. Klubi italian i Palermos e ka huazuar 20-vjeçarin uruguain për një sezon te kuqeblutë dhe do të jetë pikërisht Sosa ai që do të udhëheqë sulmin e Vllaznisë në sezonin e ri, që për shkodranët nis me ndeshjen ndaj Kukësit, këtë të diel në “Loro Boriçi”. Mbrëmjen të enjtes faqja e mirënjohur italiane “Tuttomercatoweb”, shkruante se Sosa ishte praktikisht një lojtar i kuqebluve, ndërkohë që këtë të premte, gjithçka u bë zyrtare për vetë faktin se Vllaznia e ka përfshirë talentin uruguaian në listën e lojtarëve të federuar për sezonin e ri.
Sosa edhe pse është bërë pjesë e Palermos që në vitin 2012, deri tani nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me klubin sicilian. Sezonin e fundit ai luajti i huazuar te skuadra sllovake Senica ndërsa tashmë do të jetë pjesë e Vllaznisë. Vetë fakti që Palermo në vitin 2012 i pagoi ekipit uruguaian të Cerro Largos plot 1,6 milionë euro, për të marrë shërbimet e 20-vjeçarit, tregon më qartë se çfarë cilësish ka ky futbollist.
