Ing. Avis Gjyshja
– “Pasha Liman, e dielë në drekë! Pas emisionit radiofonik, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, duke ndenjur shtrirë në krevatet tona, Sh. më habiti me vetëpërgjigjen e pyetjes së tij.
– E di çfarë po mendoj? -më pyeti. – Sikur të plaste një luftë tjetër…. Do kishim të paktën ca heroizma të reja..”…
(Marrë nga ditarët e mij të asaj kohe – Sh. shok i imi, ish oficer në nëndetëse)
Nga kurioziteti, por dhe nga lidhjet personale me botën e nëndetëseve, kam kërkuar shumë e kam lexuar çfarë kam gjetur, rreth Bazave Nëntokësore të Marinës nëpër botë. Ka shumë pak material të publikuar për këtë temë. Një e famshme dhe shumë e ngjashme me Bazën e Palermos në Shqipëri është Baza e Ballakllavës, në Krime të Detit të Zi.
Për shumë arësye sovjetikët, pavarësisht kostos së jashtëzakonshme, vendosën të ndërtonin një Bazë të Nëndheshme për Nëndetëset, fare pranë Sevastopolit, në Ballakllava të Krimesë. Ballakllava ishte një qytezë e mbyllur në fundin e një gjiu të ngushtë, shumë të mbrojtur nga stuhitë e natyrës e sytë e kureshtarëve dhe më e rëndësishmja duket se plotësonte dhe kushtet e mbrojtjes nga sulmet bërthamore, aq afër të mundshme gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo zgjedhje për Flotën Sovjetike të Detit të Zi ishte gati njëlloj sikur ta kishte këtë bazë në Detin Mesdhe, i cili duhet nënvizuar se konsiderohej me të drejtë si teatër shumë strategjik i Luftës së Ftohtë.
Në vitin 1953, Instituti i Projektimeve të Leningradit (sot Shën Peterburg) përgatiti dhe çoi para qeverisë projektin e kësaj Baze Nëntokësore. Vetë Stalini personalisht u përkujdes deri në detaje për këtë projekt.
Realizimi i këtij projekti i mori Bashkimit Sovjetik, asaj kohe, 8 vjet. Më 1961 Baza Nëntokësore e Nëndetëseve në Ballakllava u quajt e përfunduar. Emri i koduar i saj ishte “825 GTC”. Po atë vit, vetë udhëheqësi sovjetik i asaj kohe, Nikolay Khruschev vizitoi bazën në fjalë dhe në mbarim të vizitës, duke tundur duart, siç ishte në tipin e tij, tha diçka që nuk u harrua kurrë:
– Ai tha, se e gjitha kjo duhet t’iu jepej prodhueseve të verës për qilar!….
Dhe në fakt koha tregoi që rusët do ta përdornin bazën e Ballakllavasë si një bazë ushtarake në paqe, por kurrë për luftë… Sot kjo Bazë njihet si Muzeu Naval i Luftës së Ftohtë!
… Shumë larg nga Ballakllava dhe nga Deti i Zi, në një tjetër vënd mesdhetar, të tjerë diktatorë, në një lidhje të re “dashurie” me një vënd të madh e përsëri aziatik, menduan e filluan të ndërtonin një tjetër Bazë Ushtarako Detare Nëntokësore. Kjo e kësaj radhe, ndryshe nga ajo e Balakllavas nuk ishte menduar për nëndetëse, por për Katera me Raketa. Dhe për këtë punë qe zgjedhur Gjiu i Palermos, në jug të Shqipërisë. Projekti i kësaj baze ishte një bashkëpunim kinezo-shqiptar, i paparë e i padëgjuar për vëndet e Detit Mesdhe për nga kostua, volumi i punës që do të kryhej dhe fuqia ushtarake që do instalohej në të. …
Unë kam shpenzuar disa vite si nënujës në Bazën Nëntokësore të Palermos. Po çfarë ishte në të vërtetë Baza e Palermos?
Në fakt asnjëherë unë nuk kam parë dokumente zyrtare rreth megaprojektit të Palermos dhe megjithëse kam ndenjur disa vjet atje më mungoi dëshira e eksplorimit të labirinteve të tij. As foto nuk ka shumë dhe ish nënujsit duket sikur nuk kanë kujtime të mira atje e vazhdojnë të kujtojnë Pasha Limanin, si shtëpi të parë e jo Palermon.
Ka shumë shifra por ato vetëm se do ta bëjnë edhe më të trishtuar tregimin tim. Dija që kishte shumë ambiente të brendshme, si depo silurash, karburantesh, ofiçina për riparime, salla dizel – gjeneratorësh, sisteme ajrimi, sisteme alarmi, sisteme zjarrfikëse, sisteme komunikimi, zyra, vinça urë për të ngritur nga uji katerat që nuk erdhën kurrë e plot ambiente të tjera e pajisje teknike. Kishte dhe një dalje të dytë nga veriu, porta e të cilit ishte bllokuar nga prurjet e rënda shkëmbore të rrymave detare që para se atje të transferoheshin nëndetëset. Në më të shumtën e ambienteve të brendshme unë nuk shkela kurrë, tek ca se nuk më lejohej hyrja e tek ca të tjera se nuk kisha dëshirë.. Shumë herë e kisha përshkuar tunelin kryesor vajtje ardhje në gjithë gjatësinë e tij me qëllimin aspak ushtarak apo eksplorues, thjesht për të dalë në krahun tjetër të malit e për të peshkuar në ujërat me më shumë peshk të atij krahu.
Mbas prishjes me kinezët, projekti i Katerave me Raketa u bë i pamundur duke provuar kështu dhe njëherë më shumë, në një shkallë miliona herë më të madhe, vërtetësinë e proverbit se “Kali i huaj të lë në rrugë”. M. Shehu, dyshi i diktaturës, gjatë një vizite të qëllimte në këtë objekt, menjëherë pas prishjes me kinezët tha se “partia po mendonte ta përdorte objektin për nëndetëset”. Dhe kështu bënë! Dhjetëra mijwra ushtarë xhenierë, shumica bij të shtresave të persekutuara politikisht, gërmuan si skllevër, nën ujë e nën gurë, prej më se 20 vjet në shkëmbinjtë e Palermos. Sasira të mëdha fondesh u hodhën në këtë shpellë e cila në mendjen time përveç panevojshmërisë, që në momentin e idesë, devijimeve të projektit, e plot bëmave të tjera, në fundin e viteve 80, e gjeti veten përfundimisht të papërdorshme ….
Vajtja ime e parë atje ndodhi në një ditë dimri të vitit 86, kur bashkë me një tjetër inxhinier nënujës, ishim urdhëruar që duke përdorur një nga gjuajtësit detarë të FLD-së, të bënim disa matje të cilësive hidroakustike të gjiut të Palermos. Ishte një ditë vërtet e keqe për të qenë në det; një ditë gri, e ftohtë me erë e lagështi të madhe, kur mua dhe shumicën e marinarëve na kish zënë deti e era e të vjellave të thartuara dukej sikur mbushte gjithë gjirin, aspak mikpritës të asaj dite të parë timen në atë vënd. Grija e kaftë dhe e shpëlarë e brigjeve të lagura e të gurta të Palermos, në atë ditë të largët e të ftohtë dimri, më la si përshtypje të parë një ndjenjë të thellë vetmie e trishtimi. Objektet tokësore të Bazës të futura nëpër gryka e rrëkera plot ferra e gjemba, të gjitha të suvatuara keq me atë llaçin rërë trashë të atyre anëve, ushtarët-skllevër rrobashqyer e të pluhurosur të xhenios që lëviznin si të burgosurit në xhirot e ajrimit e pak më poshtë hyrja e betontë e bazës… Kishte vetëm pak vende të gjelbra buzë detit nga Baza e deri tek kalaja e Ali Pashës, në lindje dhe ca kaktuse gjëmbashumë shkretëtirash në faqet lindore të gjiut për t’i lënë vendin më në lartësi, drunjve të vetmuar të valanidhit.
Si për ta bërë edhe më të zymtë këtë situatë po ato ditë si një lajm të ri, më kishin treguar dhe për një vrasës serial të kapur dhe të dënuar me vdekje për një seri vrasjesh horror midis ushtarëve të xhenios.
E vetmja, gjë çuditërisht ndryshe e vura re në atë ditë të parë, por dhe në ca vizita të mëpastajme, ishte një ushtar xhenier me origjinë nga Dukagjini, që sa herë ishte i lirë, ulej gjithmonë mbi një gur të madh në anën jugore të hyrjes së tunelit dhe këndonte këngët e vëndit të tij…
Gjendja morale e nënujsave të asaj periudhe ishte tejet e rënë. Duke qenë vetë një nga ata e duke i njohur nga shumë afër shokët e mi të nënujit, pa mëdyshje heronj të një lloji të pashoq të fatit të tyre, nuk kam besuar kurrë se ata në shumicën e tyre mund të frymëzoheshin e të shtyheshin të luftonin për motive ideologjike. Unë e di që ata si edhe unë nuk ju besonin eprorëve politikë.
Ne ishim një popull i tërë i dënuar me punë të detyruar. Para pak ditësh kur po lexoja një artikull rreth veprës letrare të Visar Zhitit në Itali, pashë që autori e quante poetin një ish të dënuar me punë të detyruar. Buzëqesha trishtë me padijen e autorit. Poeti ishte i dënuar me burg dhe i tërë fisi e krushqia e tij bluhej nga mulliri i luftës së klasave, ndërsa gjithë ne të tjerët nga frika e atij mulliri bënim atë që na urdhëronin dhe jo atë që donim. Kështu ishte dhe puna jonë e të qënit nënujsa!
Transferimin e Brigadës së Nëndetëseve nga Pasha Limani për në Palermo besoj se të gjithë nënujësit e pritën keq. E pritën keq sepse teknikisht dhe ushtarakisht, ishte i gabuar. Nënujësit, për vetë mënyrën e jetës së tyre, ishin njerëz të zgjuar e të lexuar dhe e dinin më mirë se sa “të mëdhejtë” e Tiranës se çfarë ishte më mirë për nëndetëset. Përveç kësaj ne ishim mësuar me Pasha Limanin, i cili na ishte bërë gati si shtëpia jonë dhe ndjeheshim keq që do ta linim. Gjiu i Vlorës kishte qenë një laborator shumë i mirë stërvitjeje për nënujsat, dhe popullsia për rreth kishte qenë jashtëzakonisht e dashur me ne. Uzina e Riparimit të Anijeve ishte afër për çdo problem teknik apo nevojë riparimi. Dhe tani me urdhër nga lart duhej të iknim për fare! Të linim të gjitha! Të linim më të mirat për të pasur më të këqiat. Baza e Palermos nuk kishte qenë kurrë e nuk do bëhej asnjëherë e përshtatshme për Nëndetëset. Dukej sikur po na çonin atje që të mos e linin bosh atë shpellë ku kishin harxhuar aq shumë.
Të gjithë ishin të prekur e të pakënaqur nga kjo ikje. Trishtimi i ndarjes kish ditë që kish pllakosur në Pasha Liman. ..Shikonim Zylon e klubit që mezi i mbante lotët, kamerieret tona po ashtu. Mbaj mënd Kananin, shoferin legjendar të autobusit të nënujësave, njeriu i fortë që i shkulte dhëmballët e veta me darët e punës, e që i pirë si gjithmonë, qëndronte këmbëhapur në sheshin para Komandës dhe zihej me veten. Po ashtu punonjësit e KRAF-it që nuk e fshihnin fare dëshpërimin e ndarjes. Besoja thellësisht që kjo ishte vërtet një ndarje e keqe dhe dukej si goditja e fundit dhe e parikuperueshme kundër nëndetëseve nga administrata e pa aftë e militante e strukturave të shtetit të asaj kohe.
Kanë kaluar shumë vite por edhe sot më bëhet sikur në bankinën e nëndetëseve në Pasha Liman, krahas njerëzish të tjerë qëndronte i përlotur dhe shoku jonë B.Sh. i cili kish kontribuar aq shumë në historinë e teknikës së nëndetëseve dhe së fundi ishte transferuar diku në një detyrë tjetër. Ne e linim Pasha Limanin ndërsa sirenat e trishtuara të përcjelljes së Brigadës së Nëndetëseve, gjëmonin gati deri në Vlorë, në atë mëngjes të trishtuar për historinë e asaj Baze…
Ikëm duke mbyllur kështu realisht e përfundimisht historinë e vërtetë te nëndetëseve në Pasha Liman. Pak para ikjes tonë, shoku im, ish oficeri Sh. të cilit i takon fragmenti i ditarit në krye të këtyre shënimeve, ishte dënuar me 8 vjet burg për ulje të vigjilencës ushtarake. Po ato ditë kur ne këmbëzvarrë po përpiqeshim të instaloheshim në Palermo, roja e portës së jugut të tunelit, efektiv i Brigadës së Nëndetëseve zbrazi mbi xhenierin dukagjinas që këndonte tek porta e tunelit një breshëri të tërë plumbash. Akoma dhe sot e kësaj dite, si një dëshmi e absurdit që nuk riparohet dot kurrë, mbi betonin e Portës së Jugut janë gjurmët e atyre plumbave që i morën jetën atij djali të gëzuar…
***
U desh shumë kohë që ne të gjenim njëfarë normaliteti në bazën e Palermos, por kurrë atë që duhej.. Ngadalë e ngadalë filluam të ingranohemi në jetën e njerëzve të zgjuar e të kulturuar të Bregut të Detit dhe të paktën unë një ditë e ndjeva vehten një nga ata. Siç e kam thënë, unë ëndërroja një botë tjetër, ëndërroja lirinë që se kishim dhe kështu shkoja buzë detit e zhytesha në ëndrrat e mija. Shihja larg atje ku qiell e det bëheshin një, dhe me vehte thoja se atje është Amerika, ëndërra ime e lirisë…
…. Punës në Nëndetëse kisha filluar t’i shmangesha por dhe eprorët, – shokë të mij -nuk kishin më qejf të kërkonin llogari… Shteti ynë ishte vetëmundur e vetëshpartalluar në mënyrën më të keqe të mundshme duke ecur kundër ligjeve të natyrës e të jetës..
Edhe njëherë ishte për tu kujtuar thënia e famshme e Nikita Hrushov për Bazën e Balaklavase…
Vlente njëlloj dhe për Bazën e Palermos….!
***
…Unë dhe shokët e mij vajtëm djem të rinj e të bukur në Flotë dhe një dekadë e pak më vonë po iknim të maturuar e të trishtuar e me bindjen e thellë se ai shtet i shpartalluar nga të gjitha anët duhej bërë ndryshe. Unë ishja nga të parët që ika e të tjerët një nga një më prapa, por të gjithë të bindur se vëndi ynë kishte humbur shumë vite, energji, rini e shpresa në mënyrën më të keqe të mundshme.. Iknim dhe linim pas historinë e dhimbshme të rinisë tonë, një histori për fat të keq gjithmonë të përgojuar nga politika e mentaliteti, një histori që për çdo komb tjetër do ishte histori krenarie…..

Respekt dhe vetëm respekt për ata djem. Unë e kam njohur nga larg autorin dhe është për të ardhur keq që ai e la këtë vënd.
Sa keq,qe vetedeklarohen se kane qene kaq te nenshtruar dhe kaq pa kurajo,qofte edhe per vete jeten e tyre.Pse e qajne ate kohe,kur vete bindeshin si robote.Mundesite per t’u larguar,qe ne ate kohe,i kane patur,por pranuan te jetojne neper ato gerxhe,si skllever robote,dhe na shprehin keqardhje edhe per vrasjen e nje malesori-ushtar i xhenjos-pra i denuar te punonte atje…..
Si Ka mundesi qe Stalini u kujdes per perfundimin e ksaj baze kur ai Ka vdekur me 5mars te vitit 1953.
Pergezime per shkrimin Abaz! Repekte per kedo qe sherbeu ne Brigaden e Nendetseve.
Inxh Avis Gjyshia, faleminderit për këtë shkrim-MEMORIE,që mua më bëni të vajtoj,(si djalë daje-83 vj. vizituar atë repart),duke lexuar për atë bazë të Porto Palermos sa Pasha Limani, Atje, një jetë nga krijimi saj,deri sa dalë në pension,Stefan K Dama,nipi nënës sime,bir i një nga emigrantët e pare para clirimit në minierat e Lionit Franës,kthyer në atdhe,para lufte e krijuar atë familie mes Dangëllisë Naimjane,Ky djali i parë mes 8 fëmijëve,dalë marinar efektiv 1959,pas ushtrie,ndarë nga jeta,1989,pas një viti 51 vjecar,në Përmez,me MARAZE për një jetë familiarisht në atë bazë,deri e shoqia..mes oficinës tyre,me tre fëmijë, nuk ju dha shtëpi të pleqërohej në Vlorë.Ai familiarish me tre fëmijë buzëqumësh,kthyer në Përmet e,ndarë nga jeta,duke parë i dëshpëruar drejt Micanit të Dangëlisë tij lindur nga marazi mos vlerësimit,kthyer në Përmet… Përshëndetie asaj bashkëshortes,heroinë mes Përmetit me djalin sot,Burrë e të sëmurë një jetë invalid. Suksese cupave dalë në jetë me familiet e tyre, të nderuara,mes Tiranës.
Nderoj të paharruarin..Marinar-Polumbaristi parë, i Flotës sonë Luftarake,pregatit ne Sevastopol (te B.S së asaj kohe )..I përjetshëm kujtimi Tij sa kolegëve të nderuar të asaj flote…
Pleqëri të mirë i nderuari Inxh.Avis Gjyshia.
*Pasuesi Veteran*83 vjecar..
Guri Naimit D.(Dh Xh)