Në lulishtet e anës veriore të shëtitores së qytetit të Sarandës, por edhe në brendësi të tij, prania e palmave të befason me bukurinë, madhështinë dhe “autoritetin” që kanë. Të bukura të gjitha pjesët mbitokësore të bimës, trungu, gjethet, lulesat, frutat, kurora. Palmat, për shumë njerëz, me të drejtë, janë identiteti i qyteteve bregdetare të Mesdheut, aty ku zotëron klima e ngrohtë dhe e thatë. Ato nuk “tremben” nga stuhitë e deteve dhe oqeaneve, preferojnë e pretendojnë ujin dhe ajrin e pastër e të jonizuar. Sa për tokën, nuk shfaqin kërkesa të veçanta.
Në qytetet tona bregdetare dhe jo vetëm, përputhje të plotë midise kërkesave të llojeve dhe kushteve stacionare, kanë gjetur vetëm katër gjini, përfaqësuar secila nga një lloj i vetëm: Gjinia Feniks (Phoenix), përfaqësuar nga hurma (Phoenix canariensis), gjinia Trakikarp (Trachycarpus), përfaqësuar nga trakikarpi (Trachycarpus furtunei), gjinia Kamerops (Chamaerops), përfaqësuar nga Kameropsi (Chamaerops humulis ose Phoenix humulis) dhe gjinia Uashingtonia (Washingtonia), përfaqësuar nga Uashingtonia (Washingtonia robusta).
Karakteristikë dalluese është trungu i drejtë, pa degë, rolin e të cilave e luajnë gjethet e mëdha. Hurma dallohet menjëherë nga tri llojet e tjera prej gjetheve të mëdha pendore, me gjatësi edhe mbi 4 m. Ndërsa tri llojet e tjera kanë gjethe në formë freskoreje dhe dallimi midis tyre bëhet nga madhësia, forma, ngjyra, të çarat (e “freskores”), nga bishti i gjethes etj. Juka (Yucha gloriosa) i vetmi qe ngjan me palmat.
Palmat, në mënyrë natyrale dhe artificialisht shumëzohen kryesisht me farë, karakteristikë e llojeve bimore njëthelbore (Monokotiledonae). Nga pamja e jashtme u përngjajnë haloreve dhe lulet femërore të tyre janë pa vezore (Gymnospermae). Lulet e palmave janë të plota e te kompletuara, pra me vezore, me ndonjë përjashtim të rrallë (vetëm kameropsi, që takohet si shkurre dhe si dru dhe në moshë të vogël mund të lastarizojë nga cungimi afër tokës. Edhe nga haloret, vetëm bredhi Greqisë (Abies chephalonica) në moshë të re lastarizon nga ricungimi 2 – 5 m mbi tokë. Çdo tentativë tjetër për të përftuar lastarizim nga ricingimi i trungut ose nga prerja totale e gjetheve të palmave nuk jep rezultat. Mundet që një farë të qëndrojë diku në trung, të gjejë kushte e të mbijë, po ky nuk është lastarizim.
Rritja dhe zhvillimi gjithashtu janë gjithëvjetore. Lulet çelin edhe në zemrën e dimrit dhe lidhin farë. Karakteristikë tjetër dalluese e njëthelboreve është sistemi rrënjor xhufkor i fuqishëm. Në lokalin “Bar-lulishte” të Sarandës (fatkeqësisht të tharë, por në këmbë) sot ndodhen dy individët e parë – “binjakët” e Hurmës. Ish-pronari kishte marrëdhënie tregtare me vendet mesdhetare. Ishte njëkohësisht edhe kopshtar i zellshëm – kultivoi i pari “binjakët”. Nuk dihet saktë nëse mbolli farë apo fidan, por kjo nuk ka shumë rendësi. Ato u rriten e u zhvilluan për mrekulli, lulëzuan, lidhën e poqën farë, e cila ra në tokë dhe … për çudinë e te gjithëve, vendi poshtë kurorave u mbush me fidanë të vegjël, pra palmat në kuptimin figurativ, që nga ky çast, u “ambientalizuan” (u bënë autoktone”) me Sarandën. Disa lloje të tjera ekuatoriale, si banania e piperi i rremë, lulëzojnë e lidhin farë (fryt), por nuk e pjekin. Thjeshtëzuar e shkurt, për ta pjekur u nevojitet ndofta edhe një korrik ose gusht tjetër.
Pas çlirimit ne fidanishten pyjore u prodhuan fidanët e para te hurmës me farat e “binjakeve”, nga ku fillimisht u plotësuan nevojat e qytetit të Sarandës – kryesisht rreshtat e shëtitores dhe rruga Skelë – Vlorë. Llojet e tjera erdhën e u mbollën me vonë. Sot, në këmbë ka individë të tharë e drejt kalbjes, si në rreshtat e shëtitores edhe në brendësi, vetëm të hurmës (Phoenix canarjensis). Një ose dy individë kameropsi të tharë nuk përbëjnë shqetësim. Tharja e gjetheve (kurorës) filloi para 3-4vjetësh. E keqja u përhap shpejt. Sarandjotët e moshuar nuk kanë vërejtur tharje para kësaj periudhe. Në masive pyjore të mëdha e të dendura, zakonisht të thjeshta (kujto bredhin e Sotirës para disa vjetësh) shfaqen sëmundje të pashërueshme, duke eliminuar me tharje pjesë të madhe të numrit të bimëve (seleksionim), pse jo dhe krejt masivin. Me pak vëmendje edhe duke shëtitur konstatojmë një si rregullsi gati në çdo 3-5 individë 1-2 janë tharë, gati 35 % e numrit total. Natyrisht, edhe mosha bën të vetën, por në rastin tonë kemi rreshta të një moshe. Në dy vende në afërsi të oxhaqeve të lokaleve ka tharje në grup, 3-4 palma. Gjatë verës pjekja e misrave në shëtitore është problem për sa i takon ndotjes së ajrit. Klorinimi, derdhja e kovave të pastrimit në afërsi të rrënjëve natyrisht që dëmton sistemin rrënjor. Gjethet, qoftë dhe të thata, kur nuk pengojnë s’ka pse të hiqen. Vjen momenti dhe bima “i hedh” vet, duke e “dyllosur plagën”, pa fshehur rombicitetin e saj. Mendojmë se është tepruar në vazhdimësi me heqjen e gjetheve, duke përdorur vetëm sharra e motosharra. Bishti i gjethes është prerë larg uniformitetit të trungut, duke krijuar kështu një si “tumor”/ të fryrë, që ngjason me një gjerdan – rrip të mbushur me thumba rombikë, që shtrëngon e mbyt bimën.
Llaspitja, për vetë specifiken e drurit dhe lyerja e “plagëve” me boje vaji është detyrim. Paaftësia e bimës për ta hedhur këtë “tumor” e ktheu në vatër infeksioni tejet të rrezikshme. Larmia e botës shtazore (insekte, zvarranikë, kërmij, zogj) dhe bimore parazitare e barishtore ka gjetur “parajsën”. I bindur plotësisht nuk jam (këtë do e vërtetojnë specialistet e mbrojtjes se bimëve), por dyshoj se dëmtuesi u shfaq me gjithë potencialin e tij këtu. E panjohur se kur do pushoje së dëmtuari.
Përmirësimet pyjore janë ndërhyrje silvikulturore të domosdoshme. Për të nxitur rritjen në lartësi dhe zhvillimin e drurëve në fazat e filizërisë dhe rinisë, aplikohet edhe krasitja. Në trungishte e cungishte, në çastin e mbylljes se masivit, drurët fillojnë e vetkrasiten (thahen degët e poshtme për mungesë drite). Krasitja u besohet mjeshtërve të certifikuar e me përvojë, të cilët nuk mungojnë në Sarandë e Delvinë.
Me sa shohim në Sarandë, krasitja dhe me tej krasitja kurorformuese e dekorativeve gjethembajtës e gjetherënës, jo në pak raste është larg teknikës dhe estetikës. Asnjë nuk e “fsheh” zanatin, i cili me gjithë madhështinë e vet mund të “vidhet”, në Tiranë, Janinë apo Athinë, por edhe në plantacionet e ullirit e të vreshtarisë.
Me shumë respekt po përmend Xhemil Kalon, i cili punon kopshtar privat. Veglat që përdoren janë gërshëra, sëpata ose kosore speciale, të mprehta si brisku. Koha me e përshtatshme për zbatimin e krasitjes është pushimi i vegjetacionit dimëror. Hiqen degët e poshtme dhe asnjëherë më lart se 2/3 e lartësisë së bimës. Vendi i prerjes rekomandohet të jetë i pjerrët, pasi kështu evitohet mbajtja e ujit të shiut. Mirë është që “plagët” të lyhen me bojë, sidomos halorët. Rikthehemi për krasitje kur bima e ka dyllosur – mbyllur “plagën”. Krasitjet kurorëformuese të bimëve dekorative në lulishte, parqe, trotuare, etj. kërkojnë vëmendje e kujdes të veçantë, pasi jo të gjithë drurët dekorativë “pranojnë” gërshërë e sëpatë. Forma, vëllimi (madhësia) e kurorës që duam të përfitojmë, varet edhe nga hapësira që ka bima përreth. Shkurret, psh ligustra gjethemadhe, dafina, etj. edhe sikur të duam, nuk rriten më shumë se 4-5 m nëpër qytete, rrjedhimisht nuk mund të formojnë kurora problematike. Veç kësaj, shumë drurë dekorativë janë mjaltës e nuk ka arsye të humbasim prodhimin. Pra, midis asaj që duhet bërë e asaj që bëhet qëndron mosnjohja, inkopetenca, të cilat shfaqen si frikë e pasiguri, indiferentizëm … Në të tilla raste, veç të tjerash, tharja është e sigurt dhe çështje kohe. Uniformitetin dhe dendësinë e kurorës e garantojnë pak degë të shpërndara uniformisht. Përfitohen direkt si vazhdim i kërcellit kryesor ose me cungim në lartësinë e dëshiruar të tij. Hapja dhe zgjatja e tyre mbahet nën kontroll me krasitje. Për te përfituar sa më shumë masë gjethore të re “qendra” e kurorës hapet pa frikë. Kështu vendosim “rregull” për bimën, aktiviteti i së cilës në vazhdim përqendrohet më shumë këtu se në periferi (aktivizojmë fotosintezën).
Simbol i bukurisë bregdetare
Palmat janë bimë drusore ose shkurre, me prejardhje nga vendet e ngrohta ekuatoriale, të Afrikës mesdhetare, ishujt Kanarie, etj. Druri nuk ka ndonjë vlerë përdorimi e konsumi, për vetë specifikën – porozitetin e tij. Në vendet e origjinës familja e palmave (Palmaceae) përmbledh dhjetëra gjini e këto të fundit mijëra lloje. Tek ne, në Shqipëri, kultivohen këto gjini: Gjinia Feniks (Phoenix), përfaqësuar nga hurma (Phoenix canariensis), gjinia Trakikarp (Trachycarpus), përfaqësuar nga trakikarpi (Trachycarpus furtunei), gjinia Kamerops (Chamaerops), përfaqësuar nga Kameropsi (Chamaerops humulis ose Phoenix humulis) dhe gjinia Uashingtonia (Washingtonia), përfaqësuar nga Uashingtonia (Washingtonia robusta).
Një problem jo i vogël dhe i vështirë
Ka kohë që është dhënë alarmi: në Vlorë, Sarandë, Durrës, Lushnjë dhe në disa qytete të tjerë bregdetarë janë zhdukur nga një dëmtues i rrezikshëm mijëra e mijëra palma, çka ka sjellë shëmtim të rrugëve e shëtitoreve të qyteteve, por edhe kosto për zëvendësimin e tyre. Gjilpëra e kuqe e palmave e njohur ndryshe si Buburreci i Kuq (Rinkoforurs feruxhine) ka depërtuar në indet dhe në palcën e palmës dhe po përhapet me shpejtësi të frikshme duke i kalbur ato dhe tharë. Buburreci i kuq u importua në Europë së bashku me fidanët rreth viteve 92′ e u përhap në Sicili dhe Korsikë në vitet 2004-2006. Ndërkohë po shtrihet në Spanjë dhe në vende të tjera të Mesdheut. Ky lloj insekti mendohet të ketë ardhur nga Malajzia, Azia orientale, Emiratet Arabe, Jordania, Palestina dhe Egjipti. Buburreci i Kuq pasi futet në trungun e pemës brenda 21 ditësh lëshon deri në 300 larva, të cilat në një periudhë të shkurtër kthehen në krimba e më pas në buburrec. Ky i fundit kalon nga njëra palmë në tjetrën me shpejtësi marramendëse.
Duke parë këtë situatë drejtoritë e gjelbërimit dhe strukturat vendore bënë dezinfektimin me preparate kimike në muajit maj-qershor deri në muajin tetor. Por pavarësisht këtyre masave situata nuk u përmirësua dhe e vetmja zgjidhje u gjet ajo e prerjes së palmave. Nuk dihet ende sesi do të precipitojë situata, por duket se shumë shpejt Vlora, Saranda dhe Durrësi nuk do të identifikohen më si qytetet e palmave, përderisa prerja e tyre mbetet e vetmja mënyrë për asgjësimin e insektit “bubureci i kuq”. Për shkak të kostos së lartë, problemi nuk është vetëm i bashkive respektive, por edhe një problem qeveritar. Ndaj duhen fonde për shkulja, transportin e kujdesshëm dhe djegien e individëve të tharë; për llaspitjet me sëpatë të mprehtë të pjesës nëngjethore për individët e paprekur – lyerje me bojë vaji të bollshëm dhe me gëlqere të shuar; zëvendësimi me lloje të tjera palama “autoritare” ose të tjera të ngjashme etj.