Tre palombarë kanë nisur mëngjesin e djeshëm kërkimet në ujërat e lumit Vjosë, për armët e përdorura nga katër grabitësit që sulmuan në Tepelenë, autobusin e linjës Athinë-Tiranë. Katër të rinjtë autorë të ngjarjes ku mbeti i vdekur në tentativë grabitjeje emigranti 25-vjeçar Laurent Tabaku, nga Peqini, deklaruan një ditë më parë se armët i hodhën në lumin Vjosë. Nga kërkimet dy ditore nuk është bërë ende e mundur të gjendet ndonjë armë në thellësi të lumit, por zhytjet do vazhdojnë. Të arrestuarit janë Klajdi Tringa 20 vjeç, Besmir Ruçi 23 vjeç, Jurgen Lola 22 vjeç dhe Gentian Beqiraj 29 vjeç, që të katërt nga Memaliaj. Nga hetimet rezultoi se Klajdi Tringa, Besmir Ruçi e Jugen Lola të ndihmuar nga Gentian Beqiraj kanë thurur një plan një natë para ngjarjes, në lokalin e fshatit Vasjar, ndërsa kishin pirë edhe hashash së bashku. Plani u dështoi dhe lanë gjithashtu një të plagosur në autobus. Më tej u arratisën për të humbur gjurmët. Policia i zbuloi si pasojë e informacioneve nga banorët dhe kontrolleve të shumta.