Si duhet të pozicionohemi karshi demonstratave të fundit në Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës? Me fjalë të tjera, si duhet kuptuar revoltën e tej-vonuar qytetare?
Në nivelin e parë të analizës, në aspektin empirik, demonstratat e fundit në vend, që u shndërruan në revoltë, duhet kuptuar si rebelim ndaj gjendjes ekzistuese në vend: përqindjes tepër të lartë të papunësisë, mungesës së perspektivës, kolonializmit ndërkombëtar dhe hegjemonisë së Serbisë. Me fjalë të tjera, qytetarët e Kosovës janë revoltuar kundër ngërçit në shoqërinë kosovare.
Dy kërkesat formale të demonstratave në fakt e përmbledhin më së miri situatën ideologjike dhe politike të vendit. Në njërën anë, Kosova ballafaqohet me vazhdimin e politikave hegjemoniste të Serbisë (tashmë të legjitimuar dhe legalizuar nga Marrëveshja e Brukselit), dhe në anën tjetër, koncepti ekonomik i privatizimit të gjithçkaje ekzistuese në vend. Në këtë kontekst, demonstratat nuk ishin kundër Aleksandar Jabllanoviçit si emër i përveçshëm. Jabllanoviçit është emri i cili personifikon dhe përfaqëson hegjemoninë nacionale të shtetit të Serbisë në Kosovë. Rrjedhimisht, këtu duhet kundërshtuar përshkrimin që i bëhet atij si simptomë e sistemit. Në definimin bazik të tij, simptoma është (ri)kthimi i së shtypurës. Ndërsa, Jabllanoviçi është emri i i vazhdimësisë së njërit aspekt se çka nuk është strukturalisht në rregull me shtetin e Kosovës. Kështu, në kuptimin fillestar, demonstratat janë rebelime kundër konceptit dhe strukturës ekzistuese të shtetit të Kosovës.
Ashtu siç është tani, duhet se shteti i Kosovës si qëllim të ekzistencës së vet i ka dy arsye. E para është e jashtme: i tërë aparati politik shtetëror i Kosovës është vënë në shërbim të mundësimit dhe lehtësimit të integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Në anën tjetër, në nivelin ekonomik, Kosova është bërë burim i pasurimit të klasës më të lartë të këtij vendi, borgjezisë-kompradore të Kosovës. Në këtë kontekst, për dallim nga pjesa tjetër e kontinentit të Europës, ne nuk vuajmë vetëm nga pasojat e zhvillimit kapitalist (eksploatimi, padrejtësitë dhe pabarazitë sociale), por edhe nga paplotësia e zhvillimit të tij. Si rezultat i kësaj, klasa udhëheqëse nuk ka se si të ngritet subjektivisht mbi formacionin ekonomik të shoqërisë së cilën e qeverisin. Në analizë të fundit, këta janë personifikime individuale të interesave klasore të cilat i përfaqësojnë, por që assesi nuk janë interesa dhe kapitalizmit të vonshëm global.
Rrjedhimisht, në Kosovë problemi nuk është vetëm në shkarkimin e Jabllanoviçit dhe zëvendësimit të tij me nje njeri tjetër (më të pranueshëm), apo i zëvendësimit të një Kryeministri me një tjetër. Dhe këtu qëndron vështirësia e gjithë këtij procesi politik: depersonalizimin e emrit të Jabllanoviçit dhe kuptimin dhe konceptualizimin e tij si tendencë politike. Duke e depersonalizuar dhe politizuar emrin Jabllanoviç, mund të kuptojmë shkakun real të demonstratave. Është struktura e shtetit të Kosovës dhe kontradiktat e tij të brendshme, në të cilën pika neuralgjike është hegjemonia politike e Serbisë dhe privatizimi i gjithçkaje ekzistuese (e në këtë rast, privatizimit të Trepçës).
Andaj, çka duhet të bëjmë? Për çdo herë e më shumë po dëgjojmë se si populli i Kosovës është i nervozuar, i zëmëruar, po e humbet durimin, e të tjera. Këto janë absolutisht të vërteta, mirëpo problemi është se këto nuk janë në vetvete bazë për një fillim të ri. Ka popuj që me dekada janë nervozë e të zemëruar. Thënë ndryshe, zëmërimi, nervoza, durimi e lodhja nuk janë kategori politike dhe si të tilla nuk janë premisë politike për çfarëdo emancipimi politik. Nuk mjafton të jesh i nervozuar apo lodhur; është e domosdoshme që nervoza të shndërrohet në ide politike. Sot, vështirësia më e madhe është të kemi ide politike. Në këtë kuptim, ne ballafaqohemi me disa të vërteta të pakëndshme: në konfiguracionin ekzistues politik, Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet! E vetmja mënyrë për të luftuar për Kosovën është duke e transformuar atë radikalisht. Kjo ndërmarrje bëhet edhe më e vështirë duke e pasur parasysh që sot, në situatën në të cilën gjendemi, as populli dhe as intelektualët nuk e dinë as përafërsisht se çka duan.
Duke e pasur parasysh gjithë këtë, rebelimi qytetar duhet të shkojë përtej qëllimeve dhe kërkesave formale të demonstratave. Kjo nuk bëhet as duke e kërkuar (vetëm) ndryshimin e qeverisë, e as zgjedhjet e reja. Pavarësisht kënaqësisë dhe satisfaksionit momental që kjo do të sillte, i gjithë ky mobilizim shoqëror e politik do të shkonte huq! Zgjedhjet e reja apo një qeveri tjetër në këtë konstelacion ideologjiko-politik, në rastin më të mirë, do të sillnin vetëm një qeveri me fytyrë më humane. Si qëllim përfundimtar i këtij mobilizimi qytetar duhet të jetë shndërrimi, madje revolucionarizimi i premisave (bazës) ideologjike e politike mbi të cilën ekziston ky shtet.
Shumica absolute e komentatorëve dhe analistëve politik e dënuan dhunën në protesta. Na u tha se thyerja e xhamave dhe konfrontimi me policinë janë vandalizëm dhe huliganizëm. Dhe natyrisht, aparati ideologjik shtetëror u vua në shërbim të depolitizimit të demonstratave dhe huliganizimit të tyre. Pra, sipas logjikës së ideologjisë dominuse, nuk kemi të bëjmë me dhjetëra mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë dhe kanë deklaruar një qëndrim politik, por kemi të bëjmë më rrugaçë e huliganë, qëllimi i vetëm i të cilëve është shkatërrimi dhe vandalizimi. Madje, edhe ambasadat dhe përfaqësitë e tjera diplomatike u vunë në panikë. Por, cila është vërtetë arsyeja e panikës së tyre? Dy demonstratat e fundit e pahtësuan dobësinë dhe brishtësinë absolute të themeleve politike e ideologjjike të Kosovës.
Kundër fushtatës ideologjike të depolitizimit të protestës, ne nuk duhet të rrëshqasim në nivel të debatit me pushtetin: kush ka më shumë, e kush më pak faj. Atyre duhet t’iu themi: çka është thyerja e disa xhamave në krahim me degradimin e idesë së shtetit? Nëse duke thyer xhama (por, jo vetëm xhama) ky shtet transformohet, atëherë le te thejmë shumë më shumë xhama!
Mirëpo, kjo nuk duhet kuptuar thjeshtë si thirrje për dhunë. Është fakt i mirënjohur që dhuna është arma e të dobëtit dhe impotentit. Aparati ideologjik shtetëror dhe shpirtat e bukur që flasin për estetikën e demonstratave, për neutralitetin dhe paanshmërinë në ndërmarrjet politike, në instancë të fundit nuk e duan atë që e thonë se e duan. Në rastin më të mirë, mund të flasim për ndryshime sipërfaqësore në nivel të pamjes. Kësaj tëndence estetike e depolitizuese, ne duhet t’i përgjigjemi politikisht: çka është dhuna e shfaqur në demonstratat e fundit në krahasim më dhunën sistematike, eksploatimin ekonomik, varfërinë e skajshme, padrejtësitë politike dhe mungesën e shpresës? Dhuna objektive (rrahjet, maltretimet fizike, etj) nuk janë më pak të rënda se sa varfëria, mjerimi dhe mungesa e shpresës.
Ndonjëherë, shpresa është më e rëndësishme se realiteti.

“ne nuk vuajmë vetëm nga pasojat e zhvillimit kapitalist (eksploatimi, padrejtësitë dhe pabarazitë sociale), por edhe nga paplotësia e zhvillimit të tij” nje e verrtet e dhimbshme .