Gjatë një takimi me ambasadorin grek në Shqipëri, ministri i Jashtëm, Edmomd Panariti, ka përsëritur kërkesën për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Panariti i ka thënë ambasadorit Leonidas Rokanas se shfuqizimi i ligjit të luftës do t`i çonte në një stad të ri në marrëdhëniet e dy vendeve fqinje.
Gjithashtu, temë e diskutimit është bërë edhe kthimi i dhjetëra familjeve shqiptare në kufirin grek, për shkak të mënyrës së shkrimit të toponimeve greke në pasaportat e tyre.
Në emër të qeverisë shqiptare, Panariti kërkoi nga pala greke shtyrjen e moratoriumit që lejon qytetarët shqiptarë të udhëtojnë me dokumentet aktuale që kanë në përdorim, duke qenë se palët kanë avancuar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për këtë çështje.
Ndërkohë, shqetësimi lidhur me 35 familjet shqiptare të kthyera në kufirin grek u është përcjellë sot autoriteteve të shtetit fqinj edhe nga ana e ambasadorit tonë në Athinë.