Pandeli Majko: Referendumi i Maqedonisë si ftesë për kaos…

Leda Hysa

 

Ish-kryeministri Pandeli Majko ka publikuar një reagim për referendumin në Maqedoni, që do të zhvillohet më 30 shator. Në këtë referendum, fqinjët tanë do të vendosin nëse pranojnë ose jo, ndryshimin e emrit të shtetit në ‘Republika e Maqedonisë Veriore’.

Majko, i cili është aktualisht ministër i Diasporës, e konsideron mendjelehtësi të politikës në Shkup për ta dërguar këtë çështje në referendum, pasi ky vendim e ka kthyer këtë shtet në shesh-betejën e dytë, pas Sirisë, të “Luftës së Ftohtë” të Perëndimit me Lindjen.

Ai thekson se nëse referendumi nuk fiton, Maqedoninë e pret kaosi dhe ky është vetëm fillimi për të gjithë kaosin që do të përhapet në Ballkan.

Nga Pandeli Majko

Me referendumin e të djelës, në 30 shtator, Maqedonia është në udhëkryqin e vet më të rëndësishëm pas pavarësisë së saj nga ish Jugosllavia. Kjo është vetëm ajo që shikohet. E “padukshmja” e referendumit e ka kthyer këtë shtet në shesh-betejën e dytë, pas Sirisë, të “Luftës së Ftohtë” të Perëndimit me Lindjen. Eshtë një Perëndim tjetër më i zgjeruar i cili ka përballë një Lindje më të vërtetë.

Pyetja e refendumit është: “Nëse jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Përballë kësaj pyetjeje, Maqedonia është e ndarë në paqartësitë e saj midis të djathtës nacionaliste dhe aleancës së të majtës maqedonase dhe me partitë shqiptare.

Në se Referendumi nuk fiton, Maqedoninë e pret kaosi. Dhe jo vetëm kaq. Ky është vetëm fillimi për rajonin. Justifikimet se referendumi është “konsultativ” nuk do të vlejnë. Maqedonia do të kthehet në një shtet “epruvetë” ku Lindja do të shpallë fitoren më të hidhur ndaj Perëndimit.

Europa është në një ditë të keqe sot përballë referendumit të Maqedonisë. Ajo nuk ka politikanë që ta përfaqësojnë si hapësirë, me përjashtim të Merkelit. Të tjerët, dinë vetëm cfarë nuk duan.

Referendumi ka kundërshtarë në kutitë e votimit edhe votuesit shqiptarë të “ngopur” nga premtimet boshe pas Marëveshjes së Ohrit. Kjo “kontratë bashkëjetese” megjithëse u nënshkrua me shqiptarët nuk i përmend ata në letrën që i dha paqen Maqedonisë në gusht të vitit 2001. Mosrealizimi i saj dhe lodhja nga premtimet boshe nxit rrezikun që një pjesë e shqiptarëve të shkojnë drejt mosvotimit. Marrëveshja e Ohrit ka prodhuar pushtet por jo cilësi jete për shqiptarët.

Në se referendumi do të humbet ai nuk do të jetë “konsultativ”. Ai do të jetë i barazvlefshëm me aktin e nacionalistit serb, Gavrilo Princip, i cili më 28 qershor 1914, vrau trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Arkidukën Franc Ferdinand, dhe gruan e tij Sophie. Në Ballkan detaji kthehet në demon dhe e kundërta.

Me vendimin për referendumin e 30 shtatorit, me mendjelehtësi Maqedonia ka hedhur në udhëkryq sigurinë e vet kombëtare. Humbja apo fitorja e referendumit për elitën politike të Shkupit është luftë për pushtet. Ata ankohen nga e kaluara dhe kanë frikë nga e ardhmja. Kryeministri Zaev dobësinë ka pikën e tij më të fortë. Askush nuk di të thotë se cfarë ndodh pas dorëheqjes së tij kur referendumi të humbasë dhe Maqedonia ti thotë zyrtarisht “JO” bashkimit të saj me Perëndimin.

Humbja e Referendumit do të konsiderohet sidomos edhe një humbje e shqiptarëve.

Sot, shqiptarët kanë ndruar “vendet” në rajon. Ata përfaqësojnë statuskuonë. Shqiptarët kanë “firmosur” anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Paketën Ahtisarit në shtetin e Kosovës, Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni dhe pavarësinë e Malit të Zi. Të gjitha bashkë, përbëjnë një kontratë ndërkombëtare që elita shqiptare e post-Luftës së Ftohtë e pranoi si garante e paqes. Sot, shqiptarët janë protagonistët më të fortë rajonal për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Në Luftën midis Perëndimit dhe Lindjes në Maqedoni, shqiptarët janë të “dënuar” të mos kenë dilema. Humbja e referendumit në Maqedoni do të ishte për ta më e rëndë se sa fati i një qeverie në Shkup.

Referendumin e Maqedonisë “të gjitha ose asgjë” e konsideroj një ftesë për kaos. Vite më parë ftova shqiptarët ti vinin flakën flamurit të Maqedonisë në sheshet e protestës kur i quajtën “barbarë” në librat e akademisë maqedonase. Sot, më duhet tu them se Maqedonia duhet mbrojtur nga barbaria e politikës mendjelehtë të Shkupit!

Përgjigjen shqip të referendumit e di. Atë maqedonase po pres me ankth! Votat që do numërohen në Maqedoni kanë më shumë se një përgjigje. Vetëm njëra i takon Maqedonisë! Sigurisht!

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment
  • “Humbja e Referendumit do të konsiderohet sidomos edhe një humbje e shqiptarëve.”
    PËRSE HUMBJE PËR SHQIPTARËT??
    mos vallë kanë fituar gjë??mos vallë do të fitojnë gjë se do tu shtohet një “veri” përsipër??mos vallë nga “jugu”vuajtën pak??
    o pandeliu i thinjur dhe pa mënd në kokë!o pandeliu i urtë që mjel gjithandej,megjithëse përdor pikatore!përse nuk e hape gojën deri dje kur bëheshi pazarllëqet për emrin e maqedonisë?përse me heshtjen tënde ti i vure në gjumë,ose më mirë ndihmove për ti vënë në gjumë??
    o bastard i lidhur me tradhëtinë që fillon që nga tirana vazhdon në prishtinë dh epërfundon në tetovë,përse bëhesh kundër shqiptarëve??prej budallallëkut o prej gryksisë për para e pushtet??
    “Sot, shqiptarët kanë ndruar “vendet” në rajon. Ata përfaqësojnë statuskuonë.”kjo statuskuo,që shqiptarët përfaqsojnë,nuk është gjë tjetër veçse një jastëk për të shuar goditjet!!shqiptarët janë këthyer një një kurriz që pësojnë dhe nuk ankohen!shqiptarët janë në të njëjtën gjëndje të shëmbjes së perandorisë osmane!!në atë kohë ata u përdorën si monedhë shpërblimi për shkatërrimin e osmanëve,sot po përdoren për të ngopur dëshirat e gërkut maqedonit dhe sërbit!
    dhe shqiptarët,ne,nuk hapim gojën!ne nuk flasim asgjë sepse besojmë tek ju bijtë tanë bastardë që na tradhëtoni!!tek ju,pjella jonë që na prisni në besë!tek ju gjaku jonë që na fusni thikën pas shpine!!
    këto profeci apokaliptike të tuat nuk sjellin asgjë të re për shqiptarët!
    ne jemi në thundër si me paqe si me luftë!!
    JOOOOOO,referendumit!
    kjo është fitore për ne!
    do të jetë humbje nëse fitojmë me jo dhe flëmë prap!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *