Pajtim Bello
Qysh ditën e parë kur pllakosi pandemia, opozita nisi të krijojë struktura politike duke mobilizuar ish drejtues të sistemit shëndetësor të niveleve të ndryshme. Nuk munguan ish ministra e zv.ministra, drejtorë drejtorish dhe institucionesh qendrore etj.., të cilët premtuan se do të ishin pranë qytetarëve, do të angazhoheshin profesionalisht dhe jo politikisht. Por çuditërisht, ndryshe nga çfarë u deklaruan, ligjëratat e tyre ishin më keq se politike. Pa u kursyer fare deklaruan se politikat e qeverisë kanë dështuar dhe se sistemi shëndetësor, pra që në nisje qëlluan me top. Dhe kë qëlluan? Ngrehinën që i strehoi dhe i burrëroi; ngrehinën që aq shumë kishte nevojë të ndihmohej nga kushdo që kishte hyrë qoftë edhe një ditë brenda ambienteve të saj.
Por mesa duket ky moral, që quhet moral shtetarësh nuk kishte vend në këtë rast dhe për këta Ish-a. Për këta kishte dhe ka rëndësi marrja e pushtetit, rikthimi brenda kësaj ngrehine që po e qëllojnë me top pavarësisht se ata duan ta kthejnë në gërmadhë. Ditë për ditë e njëjta pllakë gramafoni: kolaps, dështim. Sistemi demokratik prodhon ish-a në çdo vend demokratik, por kurrkund nuk është parë një sjellje e tillë. Kudo dhe kushdo është munduar të vendosi një tullë për të përforcuar godinën, të japi një dorë për të ndihmuar sistemin dhe kolegët. Kjo nuk i ka penguar të bëjnë opozitën, përkundrazi e kanë bërë dhe me efikasitet. Ata nuk kanë rendur të numërojnë viktimat apo të monitorojnë derën e morgut në spitale. Ata janë sjellur si shtetarë që duan të ndihmojnë e mbështesin sistemet shtetërore dhe të ndihmojnë qytetarë në përballjen me situatën e krijuar!
Dua t’ju kujtoj reagimin e tre ish Presidentëve te SHBA: Bush, Klinton dhe Obama që u deklaruan të promovojnë para qytetarëve amerikanë nevojën e bërjes së vaksinës ashtu siç e kërkojnë institucionet shtetërore. Kjo nuk ka të krahasuar me atë çfarë ndodh tek ne ku Ish-ët vetëm kundërshtojë dhe nëpërkëmbin masat dhe këshillat që vijnë prej institucioneve shtetërore. E pra duket se të jesh Ish shtetar nuk qenka gjë e thjeshtë apo e lehtë. Një status i tillë të jep rastin të tregosh nëse je apo jo racë shtetari!.. Këto raste janë të rralla por vijnë dhe të japin rastin të tregosh kush je dhe çfarë je?!.. Do doja të ndodhte edhe tek ne, kohë ka ende. Beteja me Covid-19 do të vazhdojë, do të jetë e vështirë dhe kjo sidomos deri në fund të tremujorit të parë 2021.
