Pannuci “tradhëton” italianët në votimin e FIFA-s

Leda Hysa

Në votimet për çmimet FIFA të akorduara mbrëmjen e djeshme në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Londër, mes shumë personaliteteve të botës së futbollit votuan edhe trajneri i kombëtares sonë Kristian Panuçi dhe kapiteni Ansi Agolli. Votat e tyre deri diku respektuan edhe vendimin përfundimtar të jurisë së përbërë nga trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve të Federatave që janë pjesë e Institucionit më madhor në nivel futbollistik.

Numri 1 i stolit kuqezi vlerësoi me pesë pikë Kristiano Ronaldon, me tri pikë Lionel Mesin dhe një pikë brazilianin Nejmar. E ngjashme edhe vota e kapitenit tonë, i cili pikët maksimale i dha për portugezin e Realit të Madridit. Tri pikët e Agollit shkuan gjithashtu për “Pleshtin”, ndërsa një pikë ia rezervoi legjendës së Juventusit, Xhanluixhi Bufon, rivali ynë në ndeshjen e fundit për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.

Në votimin për trajnerët më të mirë, Kristian Panuçi ka “tradhtuar” italianët e tij, sepse nuk ka zgjedhur as Alegrin dhe as Konten si trajnerin më të mirë të vitit që lamë pas. Numri një i Kombëtares shqiptare ka votuar për Zinedin Zidanin si trajnerin më të mirë të vitit dhe i ka dhënë 5 pikë. Fitorja e Champions-it për të dytën herë radhazi, por edhe triumfi në kampionat e kanë bindur Panuçin që të zgjedhë Zizunë si trajnerin e sezonit të shkuar.

Ndërkohë që tri pikë ia ka dhënë strategut të Juventusit, Masimiliano Alegri, dhe një pikë Diego Simeones. Interesant është fakti që Panuçi nuk ka preferuar Konten, i cili ishte finalisti i tretë.

Të njëjtën linjë mendimi dhe votash ka pasur edhe kapiteni Ansi Agolli, i cili ka bërë të njëtjtën zgjedhje si Pannuci. Edhe për mbrojtësin e Kombëtares Agolli si trajneri më i mirë është Zidan, të cilit i ka dhënë 5 pikë, ndërsa i dyti Alegri. Diferencën mes tyre e bën trajneri i tretë. Për Agollin është numri një i Totenhemit, Mauricio Poçetiko, të cilit i ka dhënë 1 pikë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *