Panucci komenton Botërorin rus, Kroacinë dhe Europianin “shqiptar”

DITA Online

 

Trajneri i kombëtares, Christian Panucci ka analizuar Kupën e Botës, por jo vetëm, në një intervistë për portalin sportiv hungarez “nemzetisport”.

Si pjesë e stafit të Capellos në kohën kur drejtonte Rusinë, Panucci ka komentuar ecurinë e jashtëzakonshme që ka bërë vendi organizator i turneut, para nisjes së të cilit askush nuk e besonte se do të arrinte kaq larg. Por nuk pranon të marrë kurrsesi meritat.

“Nuk e mendoj aspak, arritja në çerekfinale është meritë totale e stafit aktual të skuadrës, trajnerit dhe lojtarëve. I uroj sinqerisht suksese”, thotë Panucci.

Sigurisht, si trajneri i Shqipërisë, nuk mund të mos pyetej për një prej çështjeve të nxehta të Botërorit, “shqiponjën” e Xhakës dhe Shaqirit në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë.

Por Panucci e shmang me mirësjellje. “Është përgjegjësi e federatës së tyre të komentojë mbi këtë çështje, dhe nuk kam ndërmend të ndërhyjë në lidhje me të”, thotë Panucci.

Ndërsa për lidhjet e shqiptarëve me sportin magjik të futbollit, Panucci duket se ka arritur ta kuptojë shpejt lidhjen.

“E padiskutueshme që për shqiptarët futbolli është gjithçka. Gjatë punës sime kam arritur të kuptoj rëndësinë që ka skuadra kombëtare dhe prandaj ndjej që kam një përgjegjësi të madhe në duar. Dy vjet më parë skuadra shqiptare ishte në Europian dhe tani synimi është që të kualifikohemi për Euro 2020”.

Hungarezët i kujtojnë “vëllazëroren” me Kosovën, të cilën Shqipëria e humbi 3-0 në maj.

“Atmosfera ishtw vërtet vëllazërore, por për ne ishte një ditë e keqe sepse u mundëm në atë mënyrë”, kujton Panucci.

Në fund edhe një shpjegim i trajnerit tonë për shkëlqimin e Kroacisë, futbolli i së cilës është shumë larg skuadrave të tjera të Europës lindore.

“Sekreti i tyre për mua është që janë të hapur ndaj të rinjve. Por edhe fati luan rolin e tij, pasi të gjithë lojtarët kroatë luajnë në klubet më të mëdha të Europës. Modric te Real Madrid, Rakitic te Barcelona, Lovren te Liverpool, Perisic dhe Brozovic tek Inter, Mandzukic te Juventus. Lista është fantastike”, thotë trajneri i Shqipërisë.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *