Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do të zhvillojë një zbor 10 ditor në Zvicër, në fillim të muajit qershor, ku do të luajë edhe ndeshjen miqësore me Ukrainën.
Për t’i përgatitur këto zhvillime të radhës në kampin kuqezi, ka mbërritur në Tiranë edhe trajneri Christian Panucci.
Ai ka zhvilluar sot në FSHF një mbledhje me kolegët e tij kuqezinj të kombëtareve të moshave dhe me drejtues të federatës.
Më pas, duke folur për gazetarët, pasuesi i De Biazit ka nënvizuar mes të tjerash: “Sot zhvilluam një mbledhje me të gjithë trajnerët e kombëtareve të moshave. Federata Shqiptare e Futbollit po investon për të rritur sa më shumë talente nga Shqipëria. Shpresojmë që të lindin sa më shumë lojtarë me cilësi, që në të ardhmen t’i shërbejnë përfaqësueses. E rëndësishme është që puna dhe bashkëpunimi me klubet ka nisur.
Po punohet për të plotësuar grupin, sepse humbja në miqësoren me Norvegjinë na ka bërë të kuptojmë se ka diçka që nuk shkon, duhet ndryshuar. Fizikisht lojtarët nuk do të vijnë në maksimumin e mundshëm, megjithatë kombëtarja është kombëtare dhe nuk ka shumë ndeshje miqësore, kështu që në 10 ditët e grumbullimit në Zvicër duhet të punojmë me seriozitet, për të vijuar me përgatitjet në kuadër të Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Europianit.
I kuptoj futbollistët, që kanë zhvilluar një sezon të lodhshëm, duke dhënë gjithçka, megjithatë duhet të japin edhe diçka për kombëtaren në mbyllje të sezonit, sepse me skuadrën përfaqësuese nuk bëhet shaka. Grupin po e formojmë. Pas humbjes me Norvegjinë e kuptova që diçka duhet ta ndryshojmë, por me fokusin kryesor te mënyra e lojës. Në Zvicër do të provojmë disa aspekte të rëndësishme”.
Guri po shkëlqen me Kukësin: “Ai ia ka bërë vetë vendin vetes në kombëtare, nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon. Duhet të vazhdojë të punojë dhe shpresojmë të jetë pjesë e grupit. Sidoqoftë, gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët”.
Abazaj: “Jam shumë i kënaqur me transferimin e Abazajt të Anderlecht, pasi do të thotë se ka bërë një hap më të madh në karrierë. Eksperienca e tij Evropiane do të na vlejë shumë dhe ne”.
Marco Cassetti, ndihmësi i ri: “Besoj se ka mbi 300 ndeshje në Seria A. Kemi qenë shokë skuadre te Roma. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të, mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit. Puna e tij do të ketë shumë vlera në përmirësimin e repartit difensiv”.
a.s/dita
