“Të dashur miq, bashkohem me ju me një gëzim të jashtëzakonshëm. Faleminderit për përgjigjen bujare, ju bekoj nga zemra”, shkruan në postimin e tij të parë në Twitter Papa Benedikti XVI.
Bekimi i parë virtual i Papës është shkruar në anglisht dhe është postuar personalisht nga Papa nëpërmjet i-Padi-it të tij.
Nëpërmjet profilit të tij në Twitter, Papa do t’u përgjigjet gjatë ditës tri pyetjeve të përzgjedhura nga besimtarë të tri kontinenteve të ndryshme. Përgjigjet do të postohen nga bashkëpunëtorët e Papës.
Mbi një milion ndjekës
Ka arritur mbi një milion numri i ndjekësve të Papës në Twitter. Kofirmimi ka ardhur nga radio Vatikani, që thekson se që nga data 3 dhjetor, kur Papa hapi llogarinë e tij në 8 gjuhë, ai ndiqet nga mbi 1 milion persona në vende të ndryshme të botës. Kështu, janë 680 mijë ndjekës në anglisht, 175 mijë në spanjisht, 100 mijë në italisht. Gjithashtu, mes ndjekësve të tij në Twitter numërohen 25 mijë polakë, 20 mijë gjermanë dhe 7500 arabë. Numri vijon të rritet me mijëra ndjekës në minutë.