Zgjedhja e Horge Mario Bergolios në krye të Kishës ka qenë lajm kryesor për mediat në mbarë botën, të cilat nuk kanë lënë ngjarje të jetës së tij pa zhbiruar. Veprimtaria në Urdhrin e jezuitëve apo qëndrimet e tij ndaj politikës kanë ngjallur interes. Ndërkohë nga Kisha e Shën Mërisë, apeli i tij për besimtarët ka qenë: “Udhëhiquni nga mëshira”
E enjtja ishte dita e parë e Horge Mario Bergolios si Papa Françesku I, i cili që në orën 8 të mëngjesit ndodhej në kishën e Shën Mërisë për t’u lutur. “Pa Jezusin Kisha është një OJQ… Jeta jonë është një udhëtim: duhet të ecim, të ndërtojmë dhe të rrëfejmë Jezu Krishtin”, kanë qenë këto fjalët e Papa Françeskut në meshën e parë, në Kapelën Sistine. Papa nuk deshi të përdorte “Scv 001”, makinën e vënë në dispozicion nga Selia e Shenjtë, por kërkoi një më pak luksoze, një refuzim i ngjashëm me atë të së mërkurës kur erdhi në Vatikan si kardinal me autobus.
Papa dhe jezuitët
Horge Bergolio, 76 vjeç, i përket Urdhrit të jezuitëve, një formacion teologjik dhe filozofik i themeluar në vitin 1534. Ai u bë pjesë e urdhërit të jezuitëve në vitin 1958 kur ishte pak më shumë se 20 vjeç dhe përqafoi vlerat e dëlirësisë dhe thjeshtësisë. Në fakt, midis jezuitëve ndodhet një numër i madh intelektualësh, të cilët nuk jetojnë në manastire, por në institute të ngjashme me shtëpitë e thjeshta, si dhe në universitete dhe për këtë arsye ata janë konsideruar si “intelektualët në avangardë” të Kishës Katolike. “Edukim, spiritualitet, dhe shqetësim për të varfërit janë temat kyçe të urdhrit. Një ndër detyrat kryesore të jezuitëve ka qenë dhënia mësim në shkolla dhe në pak dekada ata kanë arritur të bëhen aktivë në të gjithë Evropën. Por, çfarë pritet nga Papa Françesku I? Është e thjeshtë: rinovimi i brendshëm i Kishës Katolike dhe klerit, i cili është dhe objektivi parësor i urdhrit.
Papa kundër presidentëve në Argjentinë
Sapo kardinali Zhan Luis Touran shpalli Horge Mario Bergolion si Papën e ri, mediat argjentinase nuk u kufizuan në festimin e Papës së parë jugamerikan dhe jezuit të historisë, por në retrospektivë nënvizuan raportet e tensionuara që kanë ekzistuar midis tij dhe presidentit argjentinas Nestor Karlos Kirçner dhe pasardhëses e njëkohësisht bashkëshortes së tij, Kristina Kirçner. Madje, presidenti argjentinas e pati cilësuar Bergolion si “përfaqësuesin e vërtetë të opozitës”. Kardinali kishte denoncuar në mënyrë të përsëritur politikat ekonomike të ndërmarra nga Nestor Kirçner, duke cituar “borxhin social dhe imoral që e kishte çuar vendin drejt shkatërrimit”. Ai shprehej për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, kur nënvizonte faktin se varfëria ishte bërë protagoniste në Argjentinë. Megjithëse me Kristinën tensionet u zbutën, ai e ka kundërshtuar presidenten në disa raste, si në atë të miratimit të ligjit të martesës midis homoseksualëve në 2010-n. Megjithatë, presidentja në një mesazh përshëndetës i uroi Françeskut I, “fat të mirë” në këtë “mision baritor” dhe në një ditë “historike për Amerikën Latine.”
Papa Françesku dhe numri 266
Papa Françesku është kreu i 266-të i Kishës Katolike, por lista e njohur përmban vetëm 263 emra sepse Benedikti IX është zgjedhur tre herë. 266 Papë dhe 263 emra. Profecitë thonë se ky do të jetë Papa i fundi në historinë e njerëzimit. Por e përditshmja gjermane “Die Welt” i kthehet historisë dhe nga 266 Papë numëron 21 martirë, katër të internuar dhe një që përfundoi në burg. Tetë Papë të tjerë kanë vdekur në mënyrë të dhunshme. Gjashtë janë vrarë, ndërsa dy kanë vdekur për shkak të lakmisë: Paolo II vdiq në vitin 1471 pasi hëngri 2 kunguj gjigantë, ndërsa Klementi XIV, për shkak të mostretjes së ushqimit. Ata që kanë dhënë dorëheqjen janë 5, por i pari ishte Çelestino V që u tregua i paaftë kur në vitin 1294 nxori një dekret që pranonte dorëheqjen e Papëve, duke e lënë vendin bosh 5 muaj pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës. Vetëm 11 Papë janë shenjtëruar dhe i fundit ishte Gjon Pali II nga Benedikti XVI.
Përgatiti: Dorina Gjuzi
