Higjiena e dobët ndëshkon dhjetëra subjekte të prodhimit të bukës. Prej mëse dy javësh Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur një seri kontrollesh në rrethe për të identifikuar kushtet e higjienës që respektohen nga furrat për prodhimin e bukës dhe produkteve të tjera me bazë brumi. Pjesa dërrmuese e subjekteve të kontrolluara kanë manifestuar probleme të rënda sa i takon nivelit të lagështisë së gjendur në to, paketimit, si dhe kushteve teknike të prodhimit të bukës. Në përfundimet e nxjerra për kontrollet e ushtruara tek këto subjekte gjatë dy javëve të fundit, ekspertët e AKU-së, bëjnë me dije se problemet më të shpeshta të identifikuara në të 12 qarqet kanë të bëjnë me mungesën e kushteve higjieno-sanitare, si dhe mosgarantimi i sigurisë në prodhimin dhe tregtimin e bukës.
Si rezultat i shkeljeve të konstatuara deri më tani nga monitorimet e kryera tek rreth 513 furra buke nga data 13 shkurt deri në 1 mars, janë vendosur gjoba të shumta, si dhe janë marrë 11 masa për pezullim aktiviteti për shkak të lagështisë, kushteve ku prodhohet apo tregtohet ushqimi bazik për qytetarë.
Një tjetër problematikë e konstatuar ishte edhe formati i ambalazhimit të bukës, ku në shumë furra përdoren ende qeset, të cilat gjatë rënies në kontakt me bukën e ngrohtë lëshojnë lëndë me përmbajtje toksike. Shumë prej furrave të bukës ku janë konstatuar probleme janë procesverbale, në të cilët përcaktohen një sërë detyrash që drejtuesit e tyre duhet të ndreqin brenda një harku të shkurtër kohor.
E nëse këto detyra nuk ndreqen deri në afatin e caktuara atëherë do të veprohet me pezullimin e tyre. Gjobat që janë vendosur varojnë nga 130- 200 000 lekë. Kontrollet do të vijojnë masivisht edhe në ditët e ardhshme, ku përparësi mbetet evidentimi i furrave të bukës që ushtrojnë aktivitet në mungesë të licencës.
Kjo problematikë është konfirmuar edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregut dhe Tregtarëve, ekspertët e të cilës kanë deklaruar se ka sinjalizime për subjekte të prodhimit të bukës të palicencuara, të cilat prodhojnë bukë nëpër bodrume apo kate të para pallatesh jashtë çdo standardi sigurie dhe e shpërndajnë atë nëpër dyqane lagjesh. Ky fenomen jo vetëm vë në rrezik shëndetin e konsumatorit, por është edhe jashtë fokusit të inspektimeve nga organet kompetente, çka e bën punën e tyre më të papërgjegjshme.
Shkeljet e konstatuara në të 12 qarqet
Inspektorët e drejtorisë rajonale në Tiranë kanë kryer 115 inspektime, ku për 8 subjekte është marrë masë administrative me pezullim aktiviteti, dhe për 7 subjekte të tjera është marrë masë administrative me gjobë në vlerën 130 mijë lekë. Në subjektet e tjera, në bazë të problematikave të evidentuara, janë lënë detyra me afate të caktuara kohore.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale Qarku Vlorë kanë realizuar 44 inspektime në subjektet që operojnë në fushën e prodhimit, të tregtimit të bukës masive dhe produkteve të tjera të brumit. Gjatë kontrolleve janë marrë rreth 60 mostra për analizimin e lagështirës, ujit, kripës së jodizuar cilësisë së miellit etj.
Në Drejtorinë Rajonale Qarku Lezhë janë realizuar 21 inspektime. Këtu inspektorët për të gjithë problematikën e konstatuar kanë mbajtur procesverbalet përkatëse dhe kanë lënë detyra me afate kohore për plotësimin e tyre.
Në Drejtorinë Rajonal Qarku Gjirokastër janë realizuar 46 inspektime, dhe për 21 subjekte lanë detyra dhe afate kohore për plotësimin e tyre ndërsa për një subjekt është marra masa e pezullimit të aktivitetit ndërsa 2 subjekteve i është dhënë masa paralajmërim.
Në Drejtorinë Rajonale të Qarkut Kukës janë realizuar rreth 20 inspektime, dhe është lënë detyrë kryesore përdorim i materialit ambalazhues në tregtimin e bukës dhe nënprodukteve.
Në Drejtorinë Rajonale, Qarku Korçë janë realizuar 45 inspektime. Lidhur me problematikat e hasura janë dhënë 8 masa me paralajmërim për 6 subjekte. Në të gjitha subjektet e inspektuara vlen të theksohet se për produktin bukë përdoret ambalazh letre.
Në Drejtoria Rajonale të Qarkut Berat u realizuan 16 inspektime. Gjatë kontrolleve janë marre mostra për analizim, të cilat kanë rezultuar konform normave të lejuara.
Në Qarkun Elbasan janë realizuar 80 inspektime, dhe për problematikat e hasura janë dhënë 26 masa me paralajmërim, janë marrë 2 masa administrative me vlerë 200 mijë lekë si dhe janë lënë disa detyra me afate kohore për subjekte të tjera.
Në Qarkun e Shkodrës janë realizuar 46 inspektime, ku janë dhënë 22 masa me paralajmërim dhe për shkeljet e konstatuara është detyrë korrigjimi i tyre brenda një periudhe 30-ditore.
Në Qarkun Dibër janë realizuar 26 inspektime, ku gjatë kontrolleve janë analizuar 9 mostra te produktit të gatshëm (lagështirë, aciditet, porozitet) të cilat kanë rezultuar konform normave të lejuara.
Në Qarkun Fier janë realizuar rreth 40 inspektime, ku gjatë kontrolleve janë konstatuar 3 subjekte të paregjistruara në QKR (pa numër NIPT-i). Veç këtyre është urdhëruar pezullimi i aktivitetit për 2 subjekte dhe janë bërë 35 paralajmërime për shkeljet e konstatuara.
Në Qarkun Durrës janë realizuar 46 inspektime, ku nuk ka pasur problematikë që cenon sigurinë e konsumatorit.