Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, mbërriti dje për një vizitë zyrtare në vendin tonë Presidenti i Republikës Greke, z. Karolos Papulias. Presidenti Nishani do të presë Presidentin Papulias me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje në Institucionin e Presidentit të Republikës, ditën e hënë, 4 nëntor 2013. Pas ceremonisë, Presidentët Nishani dhe Papulias do të zhvillojnë një takim së bashku, i cili do të vijojë me bisedimet dypalëshe, ku do të marrin pjesë delegacionet përkatëse të kryesuar prej tyre.
Në përfundim të takimeve, Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të japin një konferencë të përbashkët shtypi. Presidenti Nishani dhe Presidenti Papulias do të jenë të pranishëm si dhe do të përshëndesin Tryezën e rrumbullakët mbi ekonominë dhe energjetikën greko-shqiptare, që do të zhvillohet po sot në hotel “Rogner”. Tema e tryezës do të jetë: “Nisja e një kursi të ri – tryeza e rrumbullakët shqiptaro- greke për ekonominë dhe energjinë”. Përveç Presidentit grek Papulias, në takim do të marrin pjesë edhe dy ministra, përkatësisht Dimitris Avramopulos, ministër i Mbrojtjes dhe Joanis Maniatis, ministër i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit Klimatik. Gjithashtu do të jenë të pranishëm edhe Panajotis Mikelaos, sekretar i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ekonomike dhe bashkëpunimin në Ministrinë e Jashtme greke dhe Ioannis Kougionas, kryetar i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri. Energjia do të jetë tema kryesore dhe pjesë e diskutimeve do të jetë dhe gazsjellësi TAP që do të mbizotërojë tryezën. Në takimin e 4 nëntorit, nga pala shqiptare do të jenë prezent Presidenti i Republikës Nishani, si mikpritës i Papulias dhe zv.kryeministri Niko Peleshi, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Gjatë vizitës 3 ditore në Shqipëri Presidenti grek do të takohet edhe me drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe jetës politike në vend. Ndërkaq mësohet se të martën Presidenti Papulias do të zhvendoset në Gjirokastër, ku do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti grek në Shqipëri.
Shtypi grek: Mesazhe bashkëpunimi
Në shtypin grek kjo vizitë është cilësuar si lëvizja e duhur për të shkrirë akujt mes palëve.
Pak kohë para se të lërë presidencën greke, Papulias pritet të japë mesazhe për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje. Greqia nga 1 janari do të marrë presidencën e BE, dhe Shqipëria shpreson që gjatë kësaj periudhe të ecë më shpejt në rrugën drejt integrimit.
Mes dy vendeve ka pasur përplasje të shumta, duke filluar që nga ligji i luftës që ka shteti grek me Shqipërinë, çështja çame, kufijtë detare, si dhe çështja e toponimeve.
Vizita e Papulias në Shqipëri, zhvillohet disa ditë pas asaj të ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos.
Takimi i parë, Papoulias me Vangjel Dulen
Dje në ora 19:40, në Hotel “Sheraton” salla ILLYRIA III, u zhvillua takimi midis Kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe njëherazi Zëvendëskryetar i Kuvendit z. Vangjel Dule dhe përfaqësues të kësaj Partia dhe të organizatës “OMONIA” me Presidentin e Republikës së Greqisë, z. Karolos Papoulias, njoftuan burimet zyrtare.
