Paqartësitë me testimin, mjekët drejt protestës

redaktor

Testimi i njohurive profesionale po shton nga dita në ditë pakënaqësitë në radhët e profesionistëve të shëndetit, të cilëve ende nuk u është dhënë asnjë detaj në lidhje me procedurën që do të ndiqet sa i takon hartimit të testeve dhe specialistëve që do të merren me to, si dhe procedurës konkrete se si do të zhvillohet provimi.

Prej ditësh korridoret e spitaleve dhe poliklinikave vlojnë nga zhurmat, por pavarësisht këtij fakti, Ministria e Shëndetësisë nuk ka detajuar ende një plan konkret se si do veprohet me zhvillimin e këtij testimi, teksa mbeten edhe pak ditë nga nisja e muajit në të cilin është planifikuar të zhvillohen testimet. Në kundërshtim me vendimin e testimit mjekët kanë nisur të mbledhin firmat për peticionin zyrtar që do të dërgohet në institucionet më të larta shtetërore.

Pas Urdhrit të Mjekut, edhe Sindikata e Punonjësve të Sëndetësisë del kundër testimin të mjekëve dhe infermierëve të punësuar në sektorin publik. Ata e konsiderojnë vendimin e marrë nga ministri Ilir Beqaj, si të paligjshëm dhe me prapavijë politike.

Zëvendëspresidenti i sindikatës, Petrit Frangu thekson se bluzat e bardha kanë nevojë për kualifikime të mëtejshme nëpërmjet programeve të edukimit në vazhdim, të cilat duhet të jenë prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, si mundësia e vetme për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që i duhen dhënë pacientit. Sipas tij, dikasteri i shëndetësisë nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë, duke frikësuar personelin mjekësor se do t’i largojë nga puna nëse nuk marrin pjesë në këtë testim.

“Provimi është i kundraligjshëm, i panevojshëm dhe nuk mund të kalojnë në testim njerëz që kanë marrë një diplomë, si dhe kanë shërbyer një jetë të tërë në profesione të caktuara. Gjykatësi më i mirë për punonjësit e shëndetësisë është populli.

Ne i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë të vërë theksin te kualifikimi i punonjësve të shëndetësisë dhe jo testimi, pasi testi do të thotë provim. Dhe nga provimi, sigurisht kuptohet që do të lërë vendin e punës nëse rezultatet nuk do të jenë të duhura”, shprehet numri dy i Sindikatës së Shëndetësisë në Shqipëri, Petrit Frangu.

Sindikalistë që mbështesin personelin shëndetësor thonë se mjekët e infermierët kanë nevojë për kualifikim dhe jo për provime të cilat i kanë zhvilluar përpara se të diplomohen. Bluzat e bardha shprehen se janë të vendosur që të ndjekin rrugë të tjera, në rast se ministria nuk do të marrë parasysh kërkesat e tyre, ku një ndër zgjidhjet e menduara është edhe nisja e protestave masive.

Më tej, Frangu shton se fillimisht ministria duhet të bëjë transparente të gjithë procedurën se si do të hartohen testet, por edhe kriteret për ata që do të marrin pjesë në të, ndërkohë që shpallja e këtyre procedurave nuk duhet lënë për 2 apo tre ditë para nisjes së testimeve.

“Ministri i Shëndetësisë të mos bëjë terror mbi mjekët, se kush nuk vjen në testim largohet nga vendi i punës. Ky është një presion psikologjik dhe shumë i dëmshëm. Nëse peticioni nuk do të japë rezultat atëherë do të përshkallëzojmë masat tona administrative dhe që na lejon statuti i konfederatës, për ti bërë thirrje gjithë mjekët për protestë masive nga Vermoshi në Konispol”, tha Frangu.

Kundrejt shqetësimeve të ngritura nga mjekët, autoritetet e shëndetësisë theksuan se testimi nuk bëhet për t’i larguar ata nga vendet e punës, por për të fotografuar gjendjen në të cilën ndodhet sistemi ynë shëndetësor, duke konfirmuar se do të ketë ndërprerje të kontratës së shërbimit me spitalin apo poliklinikën vetëm për personelin që do të refuzojë që të hyjë në këtë testim.

Pak më herët, kreu i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj ka theksuar se ky testim nuk është ligjshëm duke i kërkuar ministrisë që më parë të testojë drejtuesit e saj. Sipas tij, ky testim është vendosur pa konsultimin e grupeve të interesit, e në këto kushte Beqaj nuk mund të marrë vendime për testime kombëtare pa e diskutuar më parë me mjekët dhe infermierët që do të përfshihen në këtë proces.

Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë

“Ministri i Shëndetësisë të mos bëjë terror mbi mjekët, se kush nuk vjen në testim largohet nga vendi i punës. Ky është një presion psikologjik dhe shumë i dëmshëm. Nëse peticioni nuk do të japë rezultat atëherë do të përshkallëzojmë masat tona administrative dhe që na lejon statuti i konfederatës, për t’i bërë thirrje gjithë mjekët për protestë masive nga Vermoshi në Konispol.

Ne kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë shkaqet pse e bën këtë testim, pikërisht në këtë moment? Kush i nxjerr tezat e testimit, cilët njerëz merren në testim? Gjykatësi më i mirë karshi punonjësve të shëndetësisë është populli. Këta mjekë, këta infermierë me gjithë dobësitë që kanë janë heronj në shërbimin ndaj popullit”, deklaron zëvendëspresidenti i sindikatës, Petrit Frangu.

Ministria e vendosur për testimin

Burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë se nevoja e testimit vjen për shkak të problemeve të shumta që janë gjetur gjatë kontrolleve të kryera për cilësinë e shërbimeve që i ofrohen pacientit. Kontrollet kanë treguar për mangësi dhe mospërputhje në përgjigjet e analizave, dhënie pa kriter të antibiotikëve, diagnoza të gabuara, çka dëshmon nivelin jo të duhur të mjekëve të punësuar jo vetëm në qendrat shëndetësore, por edhe në rrjetin spitalor.

Provimi

Nga procesi i testimit do të jenë të përjashtuar vetëm pedagogët dhe stafi akademik që njëherësh është edhe në krye të shërbimeve mjekësore. Konkretisht në testim do të marrin pjesë 3720 mjekë dhe rreth 13 mijë infermierë, laborantë dhe teknikë të imazherisë, që fillimisht do të testohen për dijet bazë, e më pas do të ketë edhe një fazë të dytë provimi me raste konkrete të pacientëve për specialitetet e ndryshme mjekësore.

Testimi do të nisë për infermierët e QSUT-së, dhe për mjekët e qendrave shëndetësore. Ata që refuzojnë të marrin pjesë në këtë provim do të dalin nga sistemi shëndetësor. Përgatitja e testeve do të bëhet nga fakultetet e Universitetit të Mjekësisë, ndërsa si pikë referimi do të përzgjidhet një model nga një shtetet që e ka aplikuar tashmë këtë sistem

Mjekët firmosin peticionin kundër testimit

Për të kundërshtuar hyrjen në provim të rreth 3700 mjekëve dhe 13 mijë infermierëve , personeli mjekësor ka nisur nënshkrimin e një peticioni që më pas do të depozitohet pranë Presidentit Bujar Nishani, kryetarit të parlamentit, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, Avokatit të Popullit, Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, si dhe komisioneve parlamentare të shëndetësisë dhe arsimit.

Kardiologu Petrit Vargu ka pohuar gjatë ditës së djeshme se mbi 300 punonjës të shëndetit kanë firmosur tashmë peticionin. Mbledhja e firmave do të vijojë edhe përgjatë ditës së sotme. “Peticioni tashmë ka nisur, ka një lumë mjekësh dhe personeli mjekësor që kanë firmosur sepse të them të drejtën këta nuk mendojnë dhe për anën morale.

Më thoni ju, një mjek që merr 5 në testim a mund ti dalë para pacientit? Ata që drejtojnë çfarë prodhimi kanë dhënë për organizimin shëndetësor?”, pohon Vargu.

Share This Article
1 Comment
  • C’eshte more ky Petrit Frengu? Ne ate kohe qe personeli mjekesor dhunohej fizikisht dhe verbalisht ne krye te detyres, keto sindikata nuk u bene te gjalla. Po sot perse preken?
    Megjithate,
    Ministri i Shendetesise nuk eshte mjek dhe natyrisht nuk ka nga t’a dije se me rrogen qe kane mjeket tane, nuk jane ne gjendje te ndjekin kurse kualifikimi, kongrese apo konferenca shkencore jashte vendit, nuk jane ne gjendje te abonohen ne nje reviste shkencore apo te blejne tekste apo traktate per studim. Pa u siguruar keto burime te dijes dhe te kualifikimit te vazhdueshem, e gjithe kjo sipermarrje e Ministrise se Shendetesise, qe nuk bazohet ne asnje ligj, do te kurorezohet si nje bllof.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *