(Fjala e mbajtur në përurimin e tij)
Nga Nasho Jorgaqi
Jemi mbledhur sot në një nga vatrat e njohura të Labërisë, për të pritur dhe festuar ardhjen e poetit tonë të madh dhe birit tuaj të shtrenjtë në fshatin Vajzë. Një ardhje kjo e veçantë ndryshe nga herët e tjera. Ai vjen i derdhur në bronx me materien e përjetësisë që historia i nderon njerëzit e shquar për kontributet e tyre atdhetare dhe vlerat e tyre madhore që kanë dhënë në fushat e historisë, kulturës, të arteve, të shkencës etj.
Me merita të tilla kthehet gjithë triumf poeti i madh Ali Asllani në trevën e tij, i ngarkuar me lavdinë e mirënjohjen e thellë të një populli të tërë.
Vjen në këtë vend të shtrenjtë rrethuar nga malet e Gribës, nën vështrimin e majës së Beunit dhe bregut të Allatojit.
Vjen këtu nga e nisi rrugën e jetës, nga fshati Vajzë, një emër ky sa lirik aq edhe i rrallë që i dha poezisë shqipe një nga poetët më të talentuar.
Vizionin e “Vajzës” së tij Ali Asllani do ta merrte me vete dhe do ta skaliste në vargjet e tij mjeshtërore si një fshat “me shtëpi fole fajkonjsh, ku blegërin shelegu dhe gjëmon dybeku, ku rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle, kurse nën hijen e rrapit, pleqtë qajnë halle, ku kocet shkojnë në krua, ku djaloshi me krrabë në dorë me kësulën përmbi sy fërshëllen, ku ziejnë zilet e zambaret që të këpusin shpirtin. Këtu ku labi o tunjatjeta punon për nam e s’punon për gojë, s’ka nevojë për lekë, s’ka nevojë për groshë, dimrit nëpër fshat, verës nëpër stane”.
“Fshat o fshati im i bukur– këndon poeti–fshati Vajzë hane hane, fshat që s’paska një të dytë, në këtë mavri nallane. E kur pyet për të rininë se është sorkadh Perlati, m’u përgjegj një botë e tërë, dhe një varr nga Rozafati”.
Në vizionin e poetit shfaqet në majë të Allatojit në atë të shkretë bregore një shqiponjë, një përmendore, përmendorja e Perlatit që do të flas brez pas brezi!
Siç më ka treguar vetë poeti ndonëse u rrit në një mjedis fetar pasi i jati ishte teolog ai vet u josh dhe u ushqye nga folklori i pasur lab, nga bukuria dhe fryma e tij laike, nga rapsodët e krahinës veçanërisht nga daja i tij Ahmet Meminaj, rapsod me nam në gjithë Labërinë e Vlorës.
Nën shembullin e tij Aliu i ri kur studionte në Janinë zuri të shkruante vjersha e para persisht, në gjuhën e poezisë së kohës, siç bëri Naim Frashëri.
Vetëm pasi kreu studimet e larta universitare dhe u kthye në atdhe, filloi të shkruaj vjersha në gjuhën shqipe për t’u afirmuar nga viti në vit si një nga poetët e talentuar të kohës, sidomos në fushën e lirikës me tema patriotike, sociale dhe erotike.
Prej këtej do të nis rruga e krijimtarisë së tij për 60 vjet me radhë (1906-1966).
Por kryetema e poezisë së Ali Asllanit do të mbetet tërë jetën atdhedashuria, rruga e idealeve të Rilindjes Kombëtare, duke u bërë këngëtar i saj, që kulmoi me shpalljen e Pavarësisë nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, për të cilin poeti do të shkruante vargje epike.
Me këtë frymë do të vijonte më tej kur do të himnizonte Luftën e Vlorës. Vargjet e tij u bën hymn dhe marshe të kësaj epopeje.
Ali Asllani i qëndroi besnik idealeve kombëtare kur Shqipërinë e pushtoi Italia Fashiste të cilën poeti e dënoi menjëherë me vjershën “7 prill 1939”, duke e stigmatizuar me vargjet: “kopilove o kopil, e trete e këpute, një qind pashë nën dhe u fute”. Krenar për rezistencën e popullit të tij ai bën thirrjen kushtruese: “mbani kokën atje sipër ku merr zjarr e flakë rrufeja”.
Poeti në këtë kohë e mbështeti dhe i këndoi Luftës Nacionalçlirimtare dhe shpërtheu me eligje krenare, kushtuar Perlatit, djalit të Vajzës dhe gjakut të tij që ra heroikisht për kauzën e lirisë.
Ai u prek dhe u revoltua aq shumë kur ndodhi kjo gjëmë e Perlatit, e la Tiranën dhe erdhi në Vajzë, u mbyll brenda katër mureve të shtëpisë për ditë të tëra dhe shkroi vargjet elegjiake dhe tronditëse për heroin e Vajzës dhe të gjithë Shqipërisë nën titujt “Perlat Rexhepi” dhe “Fshati dhe Perlati”:
Pyeta Shqipërinë
e kush është Perlati
kombi ulërinë
me shumë se i ati!
Tani ti dhe unë
gjithë e dimë Perlatin
djep kish Beun
varr ka Rozafatin!
Poeti është i bindur se një ditë Perlatit do t’i ngrihet një përmendore kur shkruan: “Përmendorja e Perlatit, brez pas brezi do të flas. Për të vdekurin që s’vdes dhe qindra vjet pas.”
Jo rastësisht Çlirimi i Shqipërisë nga shokët e Perlatit në vitin 1944 Ali Asllani do ta cilësojë “Dasma e madhe” kur thotë “pushka heshti, gazi nisi, kjo është dasma jonë e madhe”.
Ali Asllani nuk ishte vetëm një nga poetët e mëdhenj të letërsisë shqipe të shek. XX krahas Lasgushit, Ndre Mjedës, Çajupit dhe Serembes, por dhe një personalitet me një integritet të qëndrueshëm, shtetar me kontribute të shquara, drejtues i pushtetit lokal të Vlorës për vite me radhë, intelektual i formuar me kulturë oksidentale dhe orientale, diplomat me merita, burrë i mençur dhe me karakter, njeri i humorit të zgjuar, fjalë ëmbël dhe modest e mbi të gjitha patriot demokrat, i prirur nga progresi.
Nuk është e rastit që në Shqipërinë socialiste pavarësisht të ndonjë qëndrimi sektar ndaj tij, ai u integrua jo vetëm si qytetar i denjë, por dhe si një poet me mendje dhe zemër të hapur duke u bërë një nga themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, bashkëpunëtor i shtypit letrar dhe humoristik dhe falë talentit gjithnjë të freskët dhe plotë emocione që i zgjonte shoqëria shqiptare, me gjithë ndonjë ftohtësi që tregohej ai do të krijonte dhe do të pajtohen me realitetin e ri, duke dëshmuar qëndrimin e tij afirmues me një krijimtari të begatë dhe cilësore me nota optimiste, madje edhe entuziaste duke botuar një varg veprash poetike me vlera të theksuara të cilat e tejkaluan krijimtarinë e tij të para çlirimit nga niveli artistik dhe numri i veprave.
Mjafton për këtë të përmendin prej tyre vëllimet poetike: “Shqipëria kryezonjë” dhe “Kur merr zjarr e flakë rrufeja”.
Ali Asllani si njeri dhe si poet ishte një natyrë optimiste me botë të pasur shpirtërore, njeri që e gëzonte jetën, dashamirë i përjetshëm dhe i përkushtuar i bukurisë njerëzore dhe të gjithë sferave të jetës pa të cilën nuk e kuptonte ekzistencën e tij.
Për të bukuria dhe dashuria ishin një binom i shenjtë i pandarë që e përmirësonin jetën e njeriut dhe s’kishin mort.
Shprehja e tij më e preferuar që e përsëriste shpesh do të ishte: “Dashuri dhe lumturi” që ai e shqiptonte në italisht: “ amore e felicita”.
Me këtë shpirt të pasur dhe human ai do ti qëndronte burrërisht pleqërisë dhe do të bënte humor për çka e priste kur shkruante këto vargje që tingëllojnë si epitaf:
Lermë le, pse doemos
Sot a nesër unë do të sos
Do të bëhem fije bari
Ose fletë e një hardhie
Do më nduk një dhëmbë dhie.
Me këtë optimizëm dhe modesti do të ndahej poeti nga jeta.
Trashëgimia e tij poetike me vlerat cilësore dhe origjinale krijoi një traditë letrare të veçantë, një shkollë kombëtare e talente nga brezat e rinj që ecën në rrugën e tij, si Shefqet Musaraj, Nexhat Hakiu, Petro Marko etj.
Por dhe nga fshati i tij dolën talente si Sokrat Habilaj, Luan Rexhepi etj.
Sot fshati Vajzë me këtë përmendore që i ngriti birit të tij dhe poetit të gjithë Shqipërisë dhe kudo që flitet shqip, realizoi dhe shprehu një aspiratë të kahershme nderimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj figurës së tij të pamort.
Në mbyllje të fjalës time dua të përshëndes dhe përgëzojë nxehtësisht Skulptorin e Popullit, Muntaz Dhrami, mjeshtër i Madh që realizoi me sukses të plotë një vepër të denjë dhe të bukur, të vërtet, brenda karakterit dhe personalitetit të tij të shquar.
23 nëntor 2019

Lum si ti profesor,qe te hapi zemren.
Hanko Halla eshte shkolle per gjithe poetet e Laberise,pamvaresisht se e perdoren vargun e Ali Asllanit per te qesendisur kundershtaret politike.
Trashegimtari poetik e Ali Asllanit ishte Shefqet Musaraj.
Por nuk pati kellqe tja ngreje permendoren per se gjalli.
Hysni Kapo luajti me rriskun,kur ishkroi fjalet:-te botohet kengetari i luftes se Vlores,,Se enver hoxha nuk falte.Fishten e varrosi se vdekuri,Lasgushin e varrosi se gjalli.