Një llogari bankare në vlerën e 30 mijë eurove është bllokuar nga Gjykata e Tiranës me dyshimin se paratë mund të jenë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.
Llogaria bankare është në emër të një gruaje, bashkëshorti i së cilës, (me inicialet R.SH) i cili në vitin 2009 është arrestuar me drogë jashtë Shqipërisë dhe është dënuar me 5 vjet e 54 muaj burgim.
Panorama shkruan se në 11 prill të këtij viti ai ka derdhur cash pranë një banke shumën prej 30.000 eurosh, për të cilat ka deklaruar se i ka marrë hua nga një shtetas në Milano. Kjo shumë është sjellë fizikisht /cash në territorin e Republikës së Shqipërisë nga huadhënësi, sipas itinerarit Zvicër-Itali-Shqipëri, pasqyruar kjo edhe në formularin e deklarimit në pikën e kalimit kufitar.
Sipas Policisë, bashkëshortja e tij ka përfituar në llogarinë e saj individuale 56 900 euro nëpërmjet 4 transfertave të urdhëruara nga një kompani në Zvicër me përshkrimin “finanziamento”.
Tri transfertat e para të mbërritura në këtë llogari në shumën prej 36,927 eurosh janë tërhequr pjesë – pjesë në cash, me qëllim investimin e tyre në biznes. Nga informacione të tjera rezulton se ajo është ortake me 100% të aksioneve dhe përfaqësuese ligjore në një subjekt të regjistruar në Tiranë.
