Para false nga Mali i Zi dhe Kosova për sezonin veror

anazapta

Prokuroria jep alarmin mbi një sasi të konsiderueshme eurosh të falsifikuara që janë hedhur në tregun vendas dhe pritet të shpërndahen përgjatë sezonit veror, kryesisht në Shkodër e Lezhë. Pas arrestimit të pesë të rinjve që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar falsifikimi, hetimet tremujore zbulojnë se sasia e parave të sekuestruara është vetëm maja e ajsbergut. Sipas të përditshmes “Mapo”, e cila i referohet një burimi të rezervuar, mësohet se Shqipëria dhe kryesisht dy qytetet veriore janë pjesë e një skeme për hedhjen në qarkullim të parave të falsifikuara me origjinë në Mal të Zi e Kosovë. “Bëhet fjalë për një rrjet falsifikuesish që shtrihet në Kosovë e Mal të Zi, të cilët prodhonin kartëmonedha të prerjeve 2 mijë dhe 5 mijë-lekëshe”, thotë një burim i prokurorisë, teksa u referohet hetimeve tremujore të kryera nga Prokuroria e Shkodrës. Operacioni u finalizua mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Shkodrës, ku në pranga ranë pesë të rinjtë: Paolo, Florian dhe Emiljano Gjergji, Klodian Dedndreaj dhe Kristian Mala. Të momentin e arrestimit të dyshuarve iu sekuestrua sasia prej 102 mijë lekësh të reja, të falsifikuara, në kartëmonedha të prerjes 2 mijë-lekëshe. Por sipas prokurorisë, sasia e parave të sekuestruara dyshohet se është vetëm një pjesë e vogël e kartëmonedhave të falsifikuara që mendohet se kanë hyrë në Shqipëri përgjatë kësaj kohe. Hetimet zbuluan se të arrestuarit bashkëpunonin me persona të tjerë përtej kufirit, kryesisht në Mal të Zi dhe në Kosovë. Këto dy vende dyshohet se janë edhe origjina e parave false që sipas prokurorisë “kanë pushtuar” Shkodrën dhe Lezhën. Përveç lekëve, rrjeti i falsifikatorëve ka mundur të hedhë në përdorim edhe euro, kryesisht kartëmonedha të prerjeve 20, 50 dhe 100 euro. Një pjesë e mirë e eurove false dyshohet se tashmë gjendet në Shqipëri dhe mund të vihet në përdorim gjatë sezonit turistik, kur numri i pushuesve në Shkodër e Lezhë rritet ndjeshëm.

 

Share This Article
1 Comment
  • Duhet qe patjeter te shtohet ne TV informacioni mbi elementet e sigurise se kartmonedhave, qe njerezit te dine te dallojne kur ato jane fallso. Kjo te behet si per kartemonedhat e Shqiperise, por patjeter edhe per ato te huajat, euro etj.Emisioni ne TV dhe sidomos ne ate publik, per te cilin paguajme takse cdo muaj, te paralajmerohet dhe te perseritet ne te njejten ore qe njerezit ta mbajne mend se kur jepet dhe ta ndjekin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *