Para pallatit janë ndërtuar kioska

redaktor

Në radhë të parë, ju shprehim respektin e mirënjohjen tonë për guximin dhe këmbënguljen që tregoni në trajtimin e problemeve shqetësuese të shoqërisë sonë, sidomos sot ku mbizotëron kaosi, korrupsioni në moszbatimin e ligjit. Po ju flasim më konkretisht: Jemi disa banorë në qytetin e Himarës (Spidhe), në pallatin nr.15 afër rajonit të policisë, (jo më shumë se 50 metra larg, këtu ku kthehet rruga nga rruga kryesore për në rajonin e policisë). Është një rrugë e vogël në anën e kundërt të pallatit nr.15. Nuk dimë si të shkojmë në shtëpitë tona pasi çdo ditë, mbas hyrjes së pallatit, ka vetëm një rrugë nga ku mund të kalojë vetëm një njeri. Para pallatit janë ndërtuar kioska të ndryshme që tregtojnë mish etj. Po kështu janë zgjeruar kopshtet e shtëpive private. Këto zgjerime bëhen gjoja në emër të pronës private. Ne kemi 30-40 vjet që banojmë në këtë pallat të privatizuar në vitin 1993 dhe jemi me certifikatë pronësie. Jemi ankuar kudo dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë zgjidhje, por rruga ngushtohet më shumë. Ngjitur me pallatin janë hedhur themele për një ndërtim të ri, (andej nga ana e policisë). Po kështu edhe nga ana tjetër. Deri tani vetëm ajrim kemi. Të blesh një gjë për në shtëpi nuk ke si të kalosh që ta çosh në shtëpi. Para disa kohësh ndodhi një vaki dhe nuk kishim ku të kalonim me të vdekurin. Ju lutemi verifikojeni dhe na ndihmoni në zgjidhjen e problemit, që edhe ne të jetojmë si njerëz të lirë, në një vend demokratik ku të mbizotërojë ligji dhe zbatimi i tij. Me respekt nga një grup banorësh. Spidhe, Himarë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *