Bedri Islami
17 shkurti është dita e pavarësisë së Kosovës. Është njëra ndër dy ngjarjet themeltare të kombit. Ka qenë e pabesueshme rruga që është ndjekur dhe të pamata përpjekjet që janë bërë. Disa breza e kanë ëndërruar dhe e kanë quajtur të pamundur. U është dukur gjëja më e parealizueshme dhe megjithatë, në një përpjekje të pafund, kanë provuar, janë rrëzuar, janë ngritur përsëri, më pas ka patur përgjakje të pafund dhe si ka ndodhur me ata që nuk e kanë pasur kurrë të lehtë, ia kanë arritur.
Ndoshta asgjë më shumë sesa fjalët e një drenicaku nuk e përshkon gjithë atë që ka ndodhur, të thëna në marsin e vitit 1998, se “ne e dimë që do të vritemi, ndoshta të gjithë, por ky ishte fati ynë në jetë dhe këtë fat e kemi sjellë vetë”.
Çdo rrugëtim pavarësie ka një ecje të gjatë, që mund të quhet para –pavarësi, pra ai çasti kur fillon të ndjesh lirinë, kur krijon zonat e para, oazet e lirisë, ndjen se ke një frymëmarrje ndryshe dhe gjithçka të duket ndryshe.
Për një “oaz” të tillë kam menduar shpesh këto ditë.
Një para – pavarësi, që bëri më pas pavarësinë e plotë.
Për shumë ditë të veçanta që bënë 17 shkurtin.
Për shumë njerëz që bënë brumin e kësaj pavarësie.
Për fillesën dhe vazhdimin.
17 shkurti i vitit 1982 është dita kur procesi i themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës, nisur më 17 janar të atij viti, përgjakur po asaj nate nga themeluesit e saj, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, do të merrte formën përfundimtare. Kjo lëvizje do të themelonte, organizonte dhe ngrinte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndaj edhe përkon data e krijimit të saj me shpalljen e pavarësisë.
Por le të kthehem në çastet që bënë pavarësinë.
x x x
Në jetën time nuk kam parë asgjë më sublime, më të paharruar dhe më drithëruese se sa memoriali i Kujtimit për të rënët e familjes Jashari, në Prekaz të Drenicës.
Memoriali, në të cilin gjenden tashmë të gjithë ata që u vranë në netët e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, të jep në vete atë drithërimë të pabesueshme se mund ta përjetosh edhe një herë tjetër, ndjenjën e veçantë se pas mermerit të varreve është historia jo vetëm e një familje, por edhe pjesë e historisë së secilit nga ne, që do të thotë është pjesë e historisë së një kombi.
Herët i kam njohur Jasharët, por për fat të keq, jo ata që ishin në Drenicë, por bijtë e tyre dhe njërin nga vëllezërit. Për një rastësi fatlume, që nuk ishte thjesht rastësi, tre vëllezërit, bijtë e Shaban Jasharit, kishin nga një djalë jashtë Kosovës. Rifati, vëllai i madh kishte Muratin; Hamza, vëllai i mesëm kishte Bekimin, Ademi, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, kishte Lulëzimin. Sikur të kishte ndodhur një parandjenjë e luftës që do të vinte, tre djemtë, që ishin po ashtu që herët pjesë e strukturave të luftës, do e kishin vazhdimin e jetës së tyre për pak kohë jashtë Kosovës dhe më pas, në qershorin e vitit 1999, kur do të ktheheshin në Kosovë dhe unë udhëtova së bashku me ta, ata do të bënin që fisi i tyre të shumëfishohej; dhe tashmë, në tri kullat, të ngritura si ishin dikur, të jenë përsëri një brez i ri, ku janë rikthyer edhe emrat e Shabanit, Hamzës dhe Ademit.
Fjalën e kisha për memorialin e tyre. I vendosur në një fillim kodre, ai të duket se është tashmë pjesë e jetës njerëzore. Jam i bindur se në të gjithë botën nuk gjen dot një memorial të tillë. Ka në botë varreza dëshmorësh, të mëdha, të pikëlluara dhe solide. Njerëzit që janë duke u prehur aty janë martirë të kombit të tyre, ashtu si janë edhe tek varrezat Nënë Shqipëri.
Janë njerëz që i ka bashkuar një ide, një qëllim, por të panjohur më parë, me jetë të ndryshme, rrugëtime të ndryshme.
Ndërsa këtu, gjithçka është ndryshe.
Gjithçka është më e afërt se askund tjetër, është si të thuash vazhdimi i tri kullave dhe i kullave të tjera përbri. Njerëzit që pushojnë këtu nuk ishin të panjohur, përkundrazi, ishin nga e njëjta familje, i njëjti gjak, dhe për fat të bardhë, edhe i njëjti përkushtim. Nuk duhet të shkosh larg për të gjetur rrënjët, degët dhe filizat e një fisi. Aty ku pushon Shaban Jashari, babai e gjyshi, aty është edhe nënëmadhja. Aty ku janë vëllezërit e mëdhenj, Ademi e Hamza, aty pranë janë edhe vëllezërit e gjeneratës së tretë. Aty është xhaxhai, tezja, aty është motra, djali i xhaxhait, vajza e xhaxhait dhe e tezes njëkohësisht, pasi dy motra ishin martuar në të njëjtën shtëpi. Aty gjen liderin e madh të luftës, Ademin dhe bijtë e tij, që 5 marsin e kishin ditën e parë dhe të fundit të luftës; aty gjen edhe Kushtrimin, djalin 13 vjeçar të Adem Jasharit, i cili u vra i fundit, pasi kishte parë gjithë njerëzit e tij të vriten njëri pas tjetrit. Kishte parë se si nëna e tij, Adile, ishte vrarë ditën e parë të sulmit, më 5 mars, ndërsa u çonte municion burrave e djemve që luftonin. Aty gjen Hamzën, njeriun mentar dhe djemtë e çikat e tij, dhe për fat, në këtë ditë përgjakje, njëra nga bijat e Hamzës, Besarta, mbijetoi dhe ishte e vetmja që do të mbijetonte. Tregimi i saj pas ngjarjes është një simfoni në vete, që bën së bashku në një, dhimbjen, mrekullinë e jetës, ndjenjën e përuljes ndaj shenjtërisë që risolli në jetën shqiptare ky fis i stërmadh dhe i pavdekshëm.
Varrezat janë në cepin e kodrës, aty ku ishte dikur një breznajë lisash dhe në të cilën, në 31 dhjetor 1991 u grumbulluan më shumë se 5 mijë burra për të filluar luftën. Ndodhi menjëherë pas rrethimit të parë të Jasharëve. Burrat e ardhur i thanë Ademit, “prij, nise luftën”, por njeriu i mençur nuk donte një luftë kaçakësh, e cila nis zakonisht duke sulmuar një perandori dhe përfundon me disa aksione të harruara.
I kam parë këto varreza menjëherë pas luftës. Atëherë, qershor 1999, ende kishte tym mbi qiellin e Kosovës. Ishte gjithçka e thjeshtë, mbi kokën e varreve qëndronin disa dërrasa të thjeshta, ku ishte shkruar emri i secilit të vrarë. Më shumë se 70 vetë.
Sapo kisha shkuar në Drenicë. Nga Shtutgarti deri në Tiranë udhëtuam së bashku me bacën Rifat, vëllain e Ademit e Hamzës dhe tre djemtë. Nuk mund të besoje se ata djem që po udhëtonim së bashku do të gjenin në kullat e tyre vetëm 6 të mbijetuar. Katër që kishin qenë mysafirë tek dajat dhe dy që kishin shpëtuar nga rrethimi. Nuk mund të mendoje, pasi në të gjithë qëndrimin e tyre nuk dukej asnjë dhimbje, megjithëse e dija dhimbjen e tyre.
Në Tiranë bujtëm tek profesor Shaban Sinani, njeriu që kishte hapur shtëpinë e tij për djemtë e luftës, kur shumë të tjerë e anatemonin atë. Shkuam si në shtëpinë tonë, kjo kishte qenë e zakonshme për profesorin dhe ndërsa flisnim me të për kthimin e Jasharëve, edhe ai mundohej të vërente se cila fuqi njerëzore ishte tek ata njerëz që dhimbjen e kishin aq fort të ngulitur në vete, e megjithatë nuk dukej.
Në varret e tyre atyre ditëve kishin filluar udhëtimet e para dhe shumë shpejt do të bëhej vendi më i vizituar nga shqiptarët. Tashmë ata nuk do të ishin kurrë, ashtu si kishin menduar vrasësit, një grumbull njerëzish pa farë e pa fis, të vetmuar, të vrarë dhe të harruar, apo diçka e panjohur. Njerëzit sa më shumë që i afroheshin vendit të prehjes së tyre, aq më shumë e kuptonin se këtu kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme, e përmasave të mrekullive, megjithëse ajo kishte ardhur nga vrasja.
Shumë vetë rikthehen këtu, rikthehen sepse krejt mirë e dinë se nuk kemi të bëjmë me diçka të zakonshme. Nuk ka atje përmendore vigane, fjalë të gdhendura në flori, nuk ka diçka të veçantë vetëm për Ademin e Hamzën, si liderë të luftës, por pikërisht kjo shpërndarje e barabartë e mirënjohjes, kjo thjeshtësi, të mahnit edhe më shumë, të bën edhe më tej për vete.
Asgjë në botë nuk të lë kaq shumë mbresa sa ka memorial, poshtë së cilit është jeta e një fisi të tërë. Më ka takuar të shoh varrin, si të një princi, të Gëtes, në mauzoleun princëror në Vajmar, varrin e Bajronit apo të Marksit, në Shtëpinë e Invalidëve në Francë jam përulur ndaj kujtimit të Volterit apo të Napoleonit, por kurrë nuk kam ndjerë në vete një ndjenjë kaq sublime, të paharrueshme dhe njerëzore si ajo që ndjej sa herë që shkoj të përulem para varreve të Fisit Jashari.
Kur eci mes të rënëve, nuk e di pse dëgjoj edhe një herë këngën që për tri ditë radhazi këndoi Adem Jashari. Atë këngën e njohur të Çerçiz Topullit, “Milazim, largo taborrë…”.
Atëherë çmallem me të, duke ridëgjuar incizimet e ndryshme që dërgonte Adem Jashari kur ishte ende luftë.
