Mesazhet që jepen gjatë një fushate elektorale mund të jenë disa pozitive e disa negative. Mesazhet pozitive përcjellin vizionin/propozimet e kandidatit për të ardhmen dhe synojnë t’u mbushin mendjen votuesve të prirur drejt tij që t’ia japin votën ditën e zgjedhjeve. Ndërsa mesazhet negative japin arsyet përse votuesit e prirur drejt kundërshtarit nuk duhet të votojnë për të.
Për shembull, në fushatën e Obamës në vitin 2008, mbizotëronin dukshëm mesazhet pozitive (të shpërndara nëpërmjet mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale), të cilat synonin rritjen e pjesmarrjes në zgjedhje të votuesve të prirur drejt tij. Dhe Obama mori atëherë 10 milionë vota më shumë se ç’kishte marrë katër vjet më parë kandidati i majtë paraardhës, ndërkohë që kundërshtari i tij i djathtë McCain mbeti pothuaj në nivelin e votave që kishte marrë Bushi (pavarsisht fiaskos ekonomike që la pas ky i fundit).
Ndërsa në vitin 2012, fushata e Obamës u përqëndrua më shumë në mesazhe negative, që jepnin arsyet përse votuesit që mund të prireshin drejt Romney-t të mos votonin për të. Në përfundim të zgjedhjeve, Romney nuk arriti të merrte më shumë vota se ç’kishte marrë paraardhësi i tij i djathtë, pavarsisht se Obama ishte në pozitë të vështirë (ngaqë nuk kishte realizuar shumë nga premtimet e bëra në 2008-ën). Ndërsa vetë Obama mori 4 milionë vota më pak se ç’kishte marrë katër vjet më parë.
Le të vijmë tani në Shqipëri. Në fushatën tonë elektorale, e cila ka kohë që ka filluar jozyrtarisht, vërehen dy mesazhe negative të Berishës, të cilat, paradoksalisht, nuk shënjestrojnë votuesit e prirur drejt Edi Ramës. Ka muaj që ai sulmon pa pushim tatimin progresiv të propozuar nga PS-ja, duke e quajtur atë “tatimin e Spiro Kolekës, dajës së Edi Ramës”. Votuesit e prirur drejt Ramës nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpuntorët e tij e kanë sqaruar me dhjetra herë se tatimi progresiv nuk ka lidhje me Kolekën, por me Obamën, Merkelin, Cameron-in, etj, etj, dhe se Koleka nuk ka qenë daja i Ramës. Së dyti, votuesit e prirur drejt Ramës janë tradicionalisht të majtë dhe e pëlqejnë parimin “kush fiton më pak, të paguaj më pak”, i cili është në themel të tatimit progresiv.
Po përse atëherë Berisha nuk e ndërpret avazin e “tatimit të Kolekës”?
Duke ditur se një pjesë e votuesve të PD-së janë tradicionalisht të djathtë dhe duke ndjerë se disa prej tyre mund të jenë zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe nga korrupsioni në kupolën e PD-së, Berisha synon t’u trazojë emocionet e tyre të vjetra antikomuniste. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e “Kolekëve të urryer”.
Kuptohet që edhe eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë mjek personal i Hysni Kapos dhe mik personal i birit të Enver Hoxhës. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Një sulm tjetër pothuaj i përditshëm i Berishës ndaj Ramës dhe PS-së është ai rreth mosmarrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. “Ashtu siç e izoluan Shqipërinë nga Europa baballarët e Bllokut, neobllokmenët e rinj duan të bllokojnë integrimin e saj në BE, duke mos votuar ligjet me 3/5,” thotë pa pushim Berisha dhe lejtnantët e tij. Votuesit e prirur drejt PS-së nuk ndikohen nga ky mesazh, sepse, së pari, Rama dhe bashkëpuntorët e tij e kanë sqaruar me dhjetra herë se integrimi në BE nuk është thjesht një proces teknik hartimi ligjesh, por proces zbatimi të tyre. Së dyti, votuesit e prirur drejt PS-së e dinë që Berisha mund të jetë njeriu më i painteresuar për integrimin europian, sepse kanë dëgjuar për disa kryeministra ballkanas që kanë përfundur në burg pas ose në prag të antarësimit në BE.
Si në rastin e “tatimit të Kolekës”, Berisha, edhe me këtë sulm, synon të trazojë emocionet e votuesve të djathtë tradicionalë. Ai e di se ka pak gjasa që ata të votojnë për PS-në, por tërthorazi u thotë se, po nuk votuan për PD-në (prej zhgënjimit nga ajo), në pushtet do të vijnë pasardhësit e “Bllokut të urryer”.
Edhe ndaj këtij sulmi, eksponentë të PS-së i janë kundërpërgjigjur Berishës me të njëjtën monedhë, duke i kujtuar atij se ka qenë komunist që në kohën e Traktatit të Varshavës, apo që ka qenë mjek i Bllokut. Por sidoqoftë, këto kundërpërgjigje kanë qenë shumë më të rralla se sulmet pothuaj të përditshme të Berishës në këtë drejtim.
Me afrimin e zgjedhjeve, në qoftë se Berisha nuk pushon së përsërituri si papagall dy sulmet e mësipërme, mendja ta do se do të shtohen edhe kundërpërgjigjet nga kampi kundërshtar – dy duar për një kokë janë, thotë populli. Si rrjedhim, populli mund të dëgjojë më shumë për të shkuarën e largët se sa për të ardhmen e afërt. Sepse kronikat telvizive dhe titujt e gazetave shqiptare kanë prirjen të fokusohen më shumë tek sulmet dhe kundërsulmet personale se sa tek duelet programore…
Nje vleresim i sakte i z. Zaloshnja . Berisha kerkon me cdo menyre te terheqe vemendjen nga problemet e verteta , nga kriminaliteti ne rritje, korrupsioni galopant, papunesia , varferia dhe vrajet e kryera ne gerdec dhe 21 Janar. Duke sulmuar opoziten ai kerkon t’u mbushe mendjen te veteve .Dhe ceshte e verteta ka nga ata qe buken thate dhe kembet ne uje e do votojne per te. Por populli tashme e ka kuptuar se kush eshte ne te vertete Berisha! Njeriu qe po instalon nje neodiktature . Opozita duhet te reagoje fort , fort ! Fakte ka me dhjetera dhe ajo duhet te dale dhe ti perserise ato per dite si dhe te japi alternativat e saj per Rilindjen !