Është e parashikueshme që në fund të çdo viti rritet qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar. Por viti që lamë pas duket se ka shënuar një rritje të fortë të parasë jashtë bankave me rreth 134 milionë euro në vitin 2014, duke kulmuar me dhjetorin e këtij viti.
Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka shënuar një rritje të lartë në dhjetor 2014, duke u zgjeruar me 5.3% në raport me nëntorin 2014, për të arritur në 217.7 miliardë lekë. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të publikuara prej Bankës së Shqipërisë.
Ndonëse kjo është një tendencë sezonale, e konstatuar gjithnjë në dhjetor, të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rritja më e madhe që nga viti 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një hemorragji të depozitave për shkak të panikut nga kriza financiare ndërkombëtare.
Në dhjetor 2014, paraja jashtë bankave u rrit në vlerë absolute me rreth 11 miliardë lekë (rreth 78 milionë euro). Në të njëjtin muaj të një viti më parë, dalja mujore ishte vetëm 3.1 miliardë lekë. Ekspertët e Bankës Qendrore, nëpërmjet treguesve periodikë ka pranuar që gjatë vitit 2014 ka pasur një rritje të fortë të parasë jashtë bankave, jashtë tendencave sezonale.
Me bazë vjetore, paraja jashtë bankave në 2014-n është rritur me 9.4%, duke u shtuar në vlerë absolute me 18.7 miliardë lekë, apo 134 milionë euro, rrjedhja më e madhe që nga 2008-a. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.2%, apo rreth 6 miliardë lekë, pra tre herë më i ulët.
Ulja e ndjeshme e normave të interesit të depozitave vlerësohet si një nga arsyet kryesore që ka shkaktuar këtë tendencë.
Norma mesatare e interesit të depozitave 12 mujore është aktualisht rreth 1.5%, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar politikën lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë 13 herë që nga shtatori 2011, për ta zbritur aktualisht në 2%.
