Revista ekonomike “Monitor” ka zbardhur dje një kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP), e cila ju është drejtuar të gjitha bankave tregtare në vend, ku u rikujton dhe i “paralajmëron” se në rast se nuk raportojnë rastet kur konstatojnë se subjektet tregtare kanë bilance të dyfishta, oficeri i bankës mban përgjegjësi penale.
DPPP në shkresën e saj e klasifikon veprën e falsifikimit dhe mashtrimit me bilancet si krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, çka bën që personat në bankë që janë në dijeni të rasteve të tilla dhe nuk i denoncojnë ato, të konsumojnë veprën penale.
“Megjithëse dihet, gjejmë rastin të ritheksojmë se sipas nenit 12 të ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008, bankat kanë detyrim të raportojnë në DPPP jo vetëm rastet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, por edhe rastet, kur dyshohet, apo dihet se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet vendosja/injektimi i fondeve që rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndër të cilat janë edhe falsifikimet dhe krimet fiskale, çka esencialisht do të thotë se në asnjë rrethanë banka nuk mund të pranojë të dhëna financiare, të ndryshme nga ato zyrtare”, thuhet në shkresën drejtuar bankave tregtare.
Në këtë shkresë citohet se “persona të veçantë në bankë mund të konsumojnë veprën penale të parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ”, duke pranuar me dijeni fshehjen, mbulimin e origjinës së paligjshme të të ardhurave, burimit të tyre etj; investimin në veprimtari financiare të fondeve publike të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (së paku që burojnë nga fshehja e të ardhurave, neni 180 i Kodit Penal)”.
Çfarë ndodh realisht me dhënien e kredive?
Prej vitesh është bërë e zakonshme që bankat tregtare t’u kërkonin subjekteve aplikante për kredi dy bilance, atë zyrtarin që dorëzonin tek tatimet dhe realin që mbanin për vete, ku ky i fundit shërbente në më të shumtën e rasteve si bazë për vendimmarrjen e punonjësve të bankave në miratimin apo jo të huasë.
Bankat kishin rënë dakord që gradualisht deri në vitin 2018, ato të pranonin vetëm bilancet zyrtare, në mënyrë që t’u jepej kohë bizneseve të formalizoheshin dhe bankave që të kishin një gjykim me të qartë mbi aktivitetin real të kompanive.
“Më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. Nuk do të ketë më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, ka pohuar kryeministri Rama para pak kohësh.
Megjithatë, kjo shkresë drejtuar të gjitha bankave e bën efektive menjëherë detyrimin për të pranuar vetëm bilancet zyrtare të subjekteve që aplikojnë për kredi. Por kjo shkresë do të thotë stepje të mëtejshme në kreditimin e biznesit, por që realisht në një periudhë me afatgjatë do ta bënte kredidhënien më të sigurtë.
