Beteja kundër koronavirusit nuk ka përfunduar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ritmi i përhapjes së saj është përshpejtuar. Një ditë më parë janë raportuar 150 mijë raste të reja në të gjithë botën, numri më i lartë ditor deri tani. Kreu i OBSH-së në një deklaratë për media në Gjenevë u shpreh se bota ndodhet në një fazë të re të rrezikshme.
Ai u bëri apel të gjitha vendeve dhe njerëzve që të tregojnë shumë kujdes, të ruajnë distancat, dhe ata që ndihen keq të qëndrojnë në shtëpi. Ai theksoi se duhet mbajtur maska kur gjykohet e domosdoshme dhe të lahen duart sa më shpesh. Ndërsa qeveritë e vendeve sipas tij duhet të vazhdojnë të përqendrohen tek gjetja, izolimi, testimi dhe kujdesi i çdo rasti dhe kontakteve të tij.
Në Gjermani vatra më shqetësuese e Covid-19 është shënuar në një thertore kur deri tani 730 prej 5 mijë të punësuarve kanë rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit. Autoritetet kanë dërguar ushtrinë e cila deri në 23 qershor do të kryejë teste.
Numri I viktimave në Spanjë është më shumë se 28 mijë, por ministria spanjolle e shëndetësisë konfirmoi se që nga lehtësimi I masave në vend janë shënuar 34 vatra të reja.
Mbretëria e Bashkuar pretendon se situata është aktualisht nën kontroll, duke ulur nivelin e alarmit në 3, që nënkupton se virusi është thjesht në qarkullim.
l.h/ dita
