Parandalimi dhe kontrolli i infeksioneve vaginale bakteriale

Dita

Një ndër patologjitë e shpeshta që shfaqet tek femrat e moshës riprodhuese janë edhe infeksionet vaginale bakteriale. Ndonëse në pjesën dërrmuese të rasteve, këto infeksione nuk janë të rrezikshme, diagnostikimi i shpejtë i tyre, si dhe marrja e kujdesit të duhur mjekësor mund të ndihmojë në përjashtimin e infeksioneve, apo sëmundjeve të tjera të rënda vaginale.

Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, format se si shfaqen këto infeksione, si dhe rrugët që duhet të ndiqen për parandalimin, si dhe trajtimin e shpejtë të tyre. Mjekja thekson se këto infeksione janë lehtësisht të dallueshme nga femrat. Një ndër simptomat karakteristike është shtimi i sekrecioneve që mbajnë erë të pakëndshme.

Pikërisht në këto raste nuk duhet neglizhuar edhe marrja e ndihmës së specializuar mjekësore, në mënyrë që të shmangen shqetësimet që mund të vijnë më pas në shëndetin e pacientes dhe partnerit të saj, nëse do të neglizhohet apo vonohet trajtimi. Duhet bërë kujdes edhe me përdorimin e metodave kontraceptive.

Mjekët këshillojnë që përpara se një femër të vendosi të përdorë një metodë kontraceptive, duhet të shkojë tek personeli shëndetësor, i cili do ta ndihmojë për të zgjedhur se çfarë metode duhet të përdorë, si dhe për të marrë informacion më të hollësishëm për metodën e zgjedhur.

Çfarë janë infeksionet vaginale bakteriale?

Me infeksione bakteriale vaginale kuptojmë një rritje të jashtëzakonshme, ose shumëzim të baktereve në mënyre atipike (ato që karakterizojnë florën bakteriale normale vaginale) në vaginë. Vaginoza bakteriale nuk është e rrezikshme, por ajo mund të shkaktojë simptoma shqetësuese. Shumica e grave nuk i përjetojnë simptomat e vaginozës bakteriale. Në diagnostikimin e kësaj patologjie, është e rëndësishme për të përjashtuar infeksione të tjera të rënda vaginale, të tilla si sëmundjet ngjitëse, ato seksualisht të transmetueshme, siç janë  gonorrea dhe klamidia. Komplikacionet më serioze të vaginozës bakteriale mund të ndodhin gjatë shtatzanisë. Edhe pas trajtimit të suksesshëm me medikamentet përkatëse është mundësia e përsëritjes së këtyre infeksioneve. Ka një numër të llojeve të ndryshme të bakterieve që natyrshëm jetojnë në zonën vaginale. Ndër to mund të përmendim: lactobacillus, bacteroides, fusobacterium, eubacterium, peptostreptokokus, të cilat në kushte të caktuara shumëzohen së tepërmi, duke i kaluar kufijtë e florës bakteriale normale. Vaginoza bakteriale është ankesa më e zakonshme te gratë e moshës riprodhuese. Studimet kanë treguar se rreth 30 për qind e grave në SHBA janë prekur nga këto infeksione, ku rreth 25 për qind e tyre kanë qenë shtatzëna dhe rreth 60 për qind e tyre kishin edhe nga një sëmundje ngjitëse seksuale.

Çfarë e shkakton vaginozën bakteriale?

Aktualisht studiuesit mendojnë se shkaku duhet të jetë një kombinim i baktereve të shumta, qofshin të florës bakteriale normale, qofshin ato të pazakonta. Në thelb ato çojnë në pakësimin e prodhimit të latobacileve në vaginë. Kryesisht zhvillohen bakteret anaerobe (bakteret që rriten në mungesë të oksigjenit). Si rezultat diagnoza dhe trajtimi nuk janë aq të thjeshta siç ndodh me identifikimin dhe zhdukjen e një lloji të vetëm bakteri. Janë identifikuar disa faktorë që rrisin shanset e zhvillimit të vaginozës bakteriale. Ndër to mund të përmendim: partnere të shumtë seksualë, pajisjet intrauterine (pajisjet që vendosen në kavitetin e mitrës) kontraceptivët për kontrollin e lindjeve, përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve të gjeneratave të fundit, dushet vaginale, përdorimi i alkoolit dhe i duhanit. Megjithatë, roli i aktivitetit seksual në zhvillimin e kësaj patologjie nuk është sqaruar plotësisht edhe pse shumica e studiuesve besojnë se vaginoza bakteriale nuk ndodh në gratë që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale. Por, ka edhe një grup që mendojnë se kjo ndodh edhe në gratë që nuk kanë pasur kurrë marrëdhënie seksuale.

A është ngjitëse vaginoza bakteriale?

Edhe pse partneriteti i shumtë seksual rrit rrezikun e zhvillimit të vaginozës bakteriale te gratë, këto lloj infeksionesh nuk kanë shkallë të lartë kontagioziteti (ngjitjeje). Ky lloj infeksioni ka të bëjë më shumë me prishjen e ekuilibrave të florës bakteriale normale. Përhapja e baktereve midis partnerëve mund të ndryshojë balancën e baktereve që jetojnë normalisht në vaginë dhe potencialisht të predispozojë për vaginozë bakteriale.

Cilat janë simptomat klinike?

Shumë gra zakonisht nuk kanë simptoma. Ato identifikohen sit ë tilla gjatë ekzaminimeve të shumta rutinë që bëjnë gratë, sidomos gjatë moshës riprodhuese. Kur simptomat shfaqen ato mund të prezantohen me shtim të lëngjeve vaginalë, zakonisht të holla dhe në ngjyrë gri të lehtë, një erë e pakëndshme e dyshimtë, shqetësime, të cilat janë më të dukshme pas marrëdhënieve seksuale. Këto shqetësime mund të ndryshojnë nga gruaja në grua, prandaj çdo shqetësim i këtij lloji duhet vlerësuar. Infeksionet bakteriale vaginale menaxhohen në mënyrë tipike nga mjekët gjinekologë, infeksionistë, natyrisht nën rekomandimin e mjekut të familjes. E rëndësishme është diagnoza diferenciale me infeksione të tjera më të rënda siç janë ato seksualisht të transmetueshme. Në këtë rast pacientët mund të kenë ethe, temperaturë apo dhimbje të legenit. Natyrisht për vendosjen e diagnozës kërkohen ekzaminime klinik dhe laboratorike nga mjekët përkatës.

Si trajtohen vaginozat bakteriale?

Rreth një e treta e rasteve me këtë patologji zgjasin për një kohë të shkurtër dhe kalojnë vetë, pa mjekim. Në rastet e zgjatjes në kohë rekomandohet trajtimi përkatës, sidomos gjatë shtatzanisë për të shmangur zhvillimin e komplikacioneve. Përsëritja e këtyre infeksioneve është e mundur edhe pas trajtimit të suksesshëm. Më shumë se gjysma e grave të trajtuara përjetojnë simptoma të përsëritura brenda 12 muajve. Përsëritja mbetet akoma e paqartë. Në këtë rast mjekimi fillohet menjëherë me shfaqjen e simptomave të para, pa pritur ecurinë natyrale të problemit. Mjekimet përqendrohen kryesisht në antibiotikë, të cilët përcillen me shumë kujdes nga mjekët specialistë. Në uljen e rrezikut të zhvillimit të kësaj sëmundjeje mund të ndihmojë kufizimi i numrit të partnerëve seksualë, shmangja e lavazheve vaginale, si edhe e kontraceptivët lokalë. Prognoza e vaginozës bakteriale shkon drejt shërimit të plotë me antibiotikë. Sigurisht pas përcaktimit laboratorik të mikrobit shkaktues dhe ndjeshmërisë së tij ndaj antibiotikëve përkatës. Në rastin e infeksioneve rekurente (përsëritëse) rekomandohet një cikël i dytë me antibiotikë, gjithmonë me këshillimin e mjekut.

Vonesat në trajtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme

 Pasojat që shfaqen në shëndet 

Infeksionet seksualisht të transmetueshme radhiten ndër sëmundjet më të përhapura kudo në botë, e konsiderohen si një problem madhor i shëndetit publik, si shkak i identifikimit të tyre ndër 5 sëmundjet për të cilat individët paraqiten më shpesh për ndihmë mjekësore. Të dhënat për vendin tonë tregojnë se këto infeksione janë një problem në rritje, ku ndër më të shpeshtat janë rastet me hepatit B, të cilat po shtohen nga viti në vit. Mostrajtimi i tyre sjell ndërlikime të shumta. Ekspertët e ISHP-së thonë se pasojat e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të pamjekuar mund të jenë mjaft serioze për shëndetin e burrave dhe të grave. Tek meshkujt, ato shkaktojnë infeksion të fshikës urinare, të testikujve, të prostatës deri në qelbëzim. Tek gratë infeksione të fshikës urinare, inflamacione të uterusit dhe të tubave fallopiane së bashku me pasojat e tyre. Mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, barrë jashtë mitre, etj. Pamundësia për të lindur fëmijë, shpesh është pasojë e një infeksioni të pamjekuar. Një grua shtatzënë e infektuar mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë shtatzënisë apo lindjes. Infeksioni mund të përhapet në organet e tjera duke dhënë qelbëzim të organeve të legenit. Nëse ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm, kjo rrit mundësinë për t’u infektuar më lehtë me virusin HIV/AIDS. Këto infeksione mund të mjekohen, por jo të gjitha janë të shërueshme. Ato të shkaktuara nga bakteriet si: klamidia, gonorrea, dhe sifilizi mund të kurohen, të tjera të shkaktuara nga viruset si herpesi, hepatiti B, HIV, etj, janë të pa shërueshme. Nëse ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm, mjeku do të vendosë mjekim dhe ju duhet të ndiqni me kujdes këshillat e tij. Mjekimi bëhet vetëm nga mjeku specialist. Mos u përpiqni të vetëmjekoheni. Mund të ndodhë që disa infeksione të jenë rezistente ndaj mjekimit dhe nuk shërohen plotësisht. Infeksioni mund të rrijë i fshehur duke u përsëritur herë pas here, e duke dhënë komplikacione. “Ndiq gjithmonë këshillat e mjekut dhe çoje mjekimin deri në fund, edhe pse mund të mos kesh shenja dhe ndiheni mirë. Shko për një rikontroll tek mjeku mbas mbarimit të mjekimit. Një analizë tjetër është e nevojshme për t’u siguruar që jeni shëruar plotësisht. Ju mund të mos keni shenja të dukshme, dhe mund të mendoni që jeni shëruar, por vetëm një analizë tregon se ju jeni shëruar plotësisht. Nëse nuk jeni shëruar ju duhet të merrni mjekim përsëri”, vënë në dukje specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

 

Simptomat
Skuqje, djegie apo kruajtje rreth organeve gjenitale.
Shtim të rrjedhjeve nga organet gjenitale, shpesh me erë të keqe e ngjyrë.
Djegie ose dhimbje gjatë urinimit.
Urinim të shpeshtë dhe në sasi të pakët.
Dhimbje në fund të barkut ose rreth organeve gjenitale.
Dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale.
Puçrra ose plagë rreth organeve gjenitale, etj .

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *