Kombinimi i sëmundjeve fizike me ato mendore në të moshuarit është një fenomen që duhet pasur gjithmonë parasysh. Me kalimin e moshës humbja e funksionit rezervë në tru e bën më të mundshëm shpërthimin e një konfuzioni, në një kohë kur si pasojë e sëmundjes fizike, qarkullimi cerebral i gjakut është reduktuar. Sëmundjet e humorit janë gjithashtu të zakonshme dhe depresioni p.sh. haset shpesh i shoqëruar me një sëmundje fizike si p.sh. pas një hemorragjie cerebrale.
Depresioni në pacientët më të vjetër shpesh paraqitet si një simptomë organike si pagjumësia apo konstipacioni, pa ndonjë ankesë të hapur të depresionit. Diagnoza është e vështirë dhe vetëm pas një bisede të gjatë me pacientin ose një konsultimi të përsëritur mundet që depresioni të bëhet i dukshëm. Hapi i parë dhe më i rëndësishmi në parandalimin e rënies së kujtesës është mbajtja e një shëndeti të mirë.
Tensioni i lartë i gjakut dhe faktorët e tjerë të riskut për sëmundjet kardiovaskulare si duhanpirja, diabeti dhe kolesteroli i lartë dëmtojnë gjithashtu enët e gjakut të trurit. Kështu që është një gjë e mirë të kontaktohet mjeku i familjes dhe të këshillohet lidhur me trajtimin e hipertensionit, diabetit apo edhe kolesterolit të lartë, nëse është e nevojshme. E rëndësishme është edhe një dietë e shëndetshme, e cila nënkupton pak yndyra, pak kalori dhe marrje të vitaminave dhe mineraleve të rëndësishme për funksionet e trurit.
Një dietë udhëzuese do të ishte:
Më pak se 60 gr yndyra në ditë (më pak se 20 gr yndyra të saturuara)
2-4 vakte me fruta, 3-5 vakte me perime, si dhe përdorimin e kujdesshëm të bukës. Peshk dy herë në javë, dhe mish i kuq vetëm një herë në javë. Mos pi duhan, pasi duhani nxit dëmtime të enëve të gjakut në tru
Aspirina dhe alkooli
Nëse mjeku mendon se ka një risk për sëmundje kardiovaskulare, mund të merret një aspirinë në ditë. Edhe nëse ka probleme të stomakut mirë është të merret një aspirinë. Ekzistojnë tipe aspirinash të përshtatshme për këtë problem. Mund të marrësh edhe një tabletë multivitaminë në ditë, mundësisht me përmbajtje të acidit folik. Alkooli duhet përdorur me kujdes. Është parë se marrja e moderuar e alkoolit ndihmon në mirëfunksionimin e zemrës dhe enëve të gjakut. Kjo do të thotë rreth një gotë vere apo një krikëll birrë apo 50 gr raki në ditë. Alkooli mbi këto masa e dëmton trurin dhe kujtesën.
Vitamina E dhe barnat
Vitamina E është treguar e dobishme në trajtimin e sëmundjes së Alcajmerit. Vetitë e saj antioksidante ka shumë gjasa të parandalojnë plakjen e trurit. Janë të shumtë personat (sidomos mjekë dhe specialistë të tjerë) që marrin rregullisht një tabletë vitamine E me qëllim mbajtjen e funksioneve të trurit. Doza e përshtatshme është 400-800 unite në ditë. Ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha është stimulimi i vazhdueshëm i trurit gjatë gjithë viteve të pleqërisë. Të moshuarit i pëlqejnë medikamentet dhe kanë tendencën të mbajnë te shtrati kutitë e ilaçeve. Meqë ata vuajnë shpesh nga shumë sëmundje tundimi i mjekut të trajtojë çdo sëmundje me medikamentet përkatëse është i madh. Në këtë kuadër këshillohet të vendoset një renditje përparësish duke filluar nga sëmundja më serioze. Kur janë këshilluar tre ilaçe p.sh., duhet që mjeku të ndalojë dhe të mendojë nëse te tre janë thelbësorë; vetëm në raste të veçanta duhen këshilluar një numër i madh medikamentesh.
Këshillat që nuk duhen neglizhuar asnjëherë
Parandalimin mund ta ndajmë në dy lloje: Parësor – që nënkupton përpjekjen për të ndaluar një sëmundje që të fillojë. Si shembull mund të marrim vaksinimin kundër gripit, vaksinim i cili parandalon shfaqjen e sëmundjes. Ndërkohë që parandalimi dytësor nënkupton përpjekjen për të ndaluar apo lehtësuar pasojat e një sëmundje që ka filluar tashmë. Si shembull mund të marrim mamografinë që është një radiografi e gjoksit të gruas për të kapur që në stadet e hershme një kancer të gjoksit dhe për ta mjekuar atë.
Vdekshmëria
Sëmundjet që janë shkaktare kryesore të vdekjeve në individët pas moshës 65 vjeç dhe tek të cilat duhen drejtuar përpjekjet parandaluese janë renditur sipas shpeshtësisë:
Sëmundjet e zemrës si infarkti i miokardit apo insuficienca e zemrës, kanceret, kryesisht i mushkërive, i stomakut apo i zorrëve dhe ai i gjirit, hemorragjitë cerebrale, sëmundjet obstruktive kronike të mushkërive
Ndryshime të mënyrave të pashëndetshme të jetesës
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të mënyrës së jetesës ka të bëjë me duhanin. Lënia e duhanit mund të bëhet dhe ka përfitime në çdo moment të jetës. Po ashtu edhe alkooli duhet përdorur me kujdes. Ushqimi duhet të jetë i pasur me fibra (që gjenden me shumicë në drithërat) me fruta, perime, jo shume proteina (që gjenden tek mishi, veza etj) yndyrnat të kufizuara. Ushqimet duhet të jenë të shijshme. Vetëm se asnjëherë nuk duhet harruar, nënushqyerja mund të jetë më e keqe se mbiushqyerja.
Ndihma që japin ushtrimet
Ka gjithmonë e më shume fakte që provojnë se ushtrimet fizike ndikojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të kockave dhe të muskujve, si dhe në një gjendje të përgjithshme psikofizike të shëndetshme. Është një formë shumë e mirë parandalimi dhe mund të jetë edhe e pëlqyeshme e zbavitëse. Ushtrimet fizike mund të jenë: ecje, biçikletë, kopshtari, not etj
Matja rregullisht e dy llojeve të tensionit
Mat periodikisht tensionin e gjakut (të paktën një herë në vit). Hipertensioni (që do të thotë tension i lartë i gjakut) është një sëmundje e fshehtë pa simptoma, e cila me kohë dëmton shumë zemrën, veshkat, sytë dhe trurin. Hipertensioni sot mund të trajtohet në mënyrë të sigurtë dhe efektive kështu që duke bashkëpunuar me mjekun çdo i moshuar mund të gjejë llojin e mjekimit që është më efikasi dhe me më pak efekte anësore. Të dyja matjet e tensionit janë të rëndësishme; e ulëta (tensioni diastolik) dhe e larta (tensioni sistolik). Tek individët e moshuar forma më e zakonshme e hipertensionit është hipertensioni i izoluar sistolik – tension sistolik mbi 140 apo 150 mm të shtyllës së zhivës me një tension diastolik 90 mm.
Kontrollo periodikisht dëgjimin dhe shikimin.
Ndërkohë që ne plakemi, ka shumë gjasa të na dëmtohet dëgjimi, por për fat me zhvillimin e teknologjisë edhe aparatet e dëgjimit po bëhen gjithmonë më praktikë dhe më efikasë. P.sh. askush nuk e ka vënë re se presidenti Regan mbante një aparat për dëgjimin. A e dini se edhe presidenti Klinton mban gjithashtu një aparat të tillë? Për këtë arsye është mirë që të bëjmë një kontroll të dëgjimit një herë në vit.
Kontrollet periodike për shikimin
Edhe për sytë është mirë të bëhen kontrolle periodike për të përshtatur syzet sipas ndryshimeve në aftësinë e të parit. Gjithashtu kontrolli i presionit të syrit në mënyrë periodike (çdo vit) është shumë i rëndësishëm për të ndryshimet e hershme prej glaukomës. Glaukoma është një sëmundje e ngadalshme progresive e shkaktuar si pasojë e rritjes së presionit të brendshëm të syrit. Nëse nuk kapet dhe mjekohet në kohë mund të shpjerë në verbëri. Nëse dikush vuan nga diabeti apo hipertensioni është akoma më e rëndësishme të bëhen kontrolle të shpeshta të syrit, pasi këto sëmundje mund të shkaktojnë dëmtime të retines (pjesës së pasme të syrit, ku pasqyrohet pamja e objekteve)
Parandalimi dytësor i kancereve
Ka një sërë mënyrash se si mund të reagojmë për kapjen e hershme të kancereve. Për gratë është provuar si një mënyrë e mirë e kapjes së kancerit të gjirit, kontrollet mujore nga vetë gratë, kontrollet vjetore nga një mjek apo infermiere e trajnuar për këtë qëllim, si dhe radiografitë vjetore të quajtura mamografi. Të gjitha këto kontrolle janë mirë të vazhdohen të paktën deri në moshën 75 vjeç
Kanceri i qafës së mitrës. Është e dobishme edhe për gratë mbi 65 vjeç të kryejnë një ekzaminim të quajtur “pap test” për të kapur ndonjë fillim kanceri në qafën e mitrës. Kjo është e vlefshme për gratë që nuk kanë kryer ekzaminime të tilla para moshës 65 vjeç dhe për ato që janë ende seksualisht aktivë.
Kanceri i zorrës së trashë. Kontrollet e dobishme periodike (çdo një vit apo dy) kanë të bëjnë me ekzaminimet e feçeve për gjak okult (të fshehtë) e cila është një shenjë e hershme e kancerit në këtë pjesë të traktit tretës. Rezultati pozitiv i këtij testi do të kërkonte disa teste të tjera si kolonoskopia (përdorimi i një tubi elastik për të ekzaminuar zorrën e trashë).
Kanceri i lëkurës. Ekzaminimet vjetore të lëkurës janë mjaft efikase për të parandaluar pasojat e kancereve sidomos atyre më të shpeshtave;të qelizave bazale dhe te qelizave skuamoze. Këto kancere janë krejtësisht të mjekueshëm nëse kapen në fazat e para. Edhe melanoma malinje (që është shumë më e rrallë) është një kancer i kurueshëm nëse kapet shumë shpejt. Ndërkohë sa i takon kancerit të mushkërive (që zë vendin e parë në shkaktarët e vdekjeve nga kanceri) atij të vezoreve apo kancereve të tjera më të rralla, nuk ekzistojnë tani për tani metoda efikase të depistimit
