Një telefonatë anonime në policinë e Dibrës ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes me pagesë. Tre persona që do kryenin ekzekutimin u arrestuan para aktit final pas përgjimeve dhe survejimit nga agjentët e Sektorit për Aktet Terroriste dhe Krimeve të Rënda, kurse porositësi u shpall në kërkim pasi kuptoi se njerëzit e tij ishin arrestuar. Informacionet janë ende të rezervuara për shkak të hetimit kompleks dhe ngjarjes së rëndë, por dyshohet se M. O., 33 vjeç, banues në Gjoricë të Bulqizës, ka pasur konflikte të hershme me bashkëfshatarin e tij F. A., 20 vjeç, banues po në Gjoricë, të cilin ka dashur edhe ta eleminojë. Policia nuk jep detaje rreth përplasjeve, por tre janë pistat, ajo e pronësisë, hakmarrjes dhe motivet e dobëta. Pritet që të zbardhen edhe mënyra se si janë pajtuar 2 vrasësit e dyshuar me pagesë nga Fushë-Kruja dhe se sa do të paguheshin, nëpërmjet dëshmive që do mblidhen.
Të arrestuarit
Policia e Dibrës bëri me dije se ka arrestuar pasditen e djeshme në fshatin Gjoricë të dyshuarit Leonard Xhixha, 24 vjeç dhe Bujar Leza, 38 vjeç, banuesa në Fushë-Krujë dhe V. C., 21 vjeç, me banim në Bulqizë, udhërrëfyes i dy vrasësve me pagesë. Ndaj tyre rëndon akuza ”vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”. Rreth orës 22:00, në fshatin Gjoricë të rrethit Bulqizë, kanë tentuar të vrasin të riun me inicialet F.A, me banim në këtë fshat. ”Nga hetimet e kryera nga policia, dyshohet se Leonard Xhixha dhe Bujar Leza, të ndihmuar edhe nga një banor i fshatit Gjoricë, me inicialet V. C., të porositur nga M. O., banor i fshatit Gjoricë, i cili është shpallur në kërkim, po përgatiteshin të vrisnin F. A., 20 vjeç”, thanë burime zyrtare. Policia tha se zbulimi u bë me informata operative që çuan në parandalim, kurse për arsye hetimore nuk jepen detaje të hollësishme.
Të arrestuarit:
Leonard Xhixha, 24 vjeç, Fushë-Krujë
Bujar Leza, 38 vjeç, Fushë-Krujë
C., 21 vjeç, Bulqizë
Në kërkim
M O., 33 vjeç, porositësi, Bulqizë
