Të gjithë njohim fuqinë e Argitës si vajzë e kryeministrit për të diktuar emërimet në poste kyçe, për të qenë zyrë konsulencash për investitorët e huaj, për të qenë zyrë avokatie për çështje miliardash, por nuk e kemi pas njohur pasionin e Argitës për jetën universitare. Mbi të gjitha me kaq shumë orë pune sa ka deklaruar në universitet, ne duhet të ishim mbytur nga gjithë anët me “studentë të Argitës”, por mua ende s’më ka rënë rasti të takoj ndonjë të tillë. Njoh “juristë të Argitës”, shef komisariati të Argitës, ministër të Argitës, kryetar bashkie të Argitës, deputet të Argitës, punonjës hipoteke të Argitës, doganierë të Argitës, avokatë të Argitës, noterë të Argitës, por jo ndonjë student të Argitës.
Sipas deklaratës së pasurisë së saj, ajo fiton afërsisht 12 mijë dollarë në muaj vetëm nga mësimdhënia në universitete. Për ta provuar sa qesharake është kjo deklaratë, duhet të bëjmë disa llogari. Nëse Argita Berisha merr 12 mijë dollarë në muaj nga mësimdhënia në universitete private, ajo duhet të punojë afërsisht në 10 universitete. Sipas një vëzhgimi që unë bëra duke pyetur pronarë universitetesh private, më rezulton se paga më e lartë për një pedagog të brendshëm të rregullt, me standardin e gradave shkencore që ka Argita, është maksimumi 2 mijë dollarë. Kjo është e ekzagjeruar, pasi në fakt janë nga 1 mijë deri 1.200 dollarë, por unë po marr një maksimum duke e quajtur si nder që Argita jep mësim për ta.
Ngarkesa mësimore e një pedagogu të brendshëm është e tillë që ajo nuk mund të japë mësim më si pedagog i brendshëm në ndonjë universitet tjetër, dhe për sa di unë kjo gjë nuk lejohet me ligj. Kështu ngelet që dhjetë mijë dollarë në muaj t’i fitojë si pedagoge e jashtme.
Nga anketimi i pronarëve të universiteteve rezulton se një orë mësimi si pedagog i jashtëm në një universitet, me gradat shkencore që ka Argita, shkon tek 30 deri 40 dollarë maksimumi. Një pedagog i jashtëm nuk jep kurrë më shumë se 4 deri 6 orë mësim në javë, pra afërsisht 250 dollarë në javë ose 1000 dollarë në muaj. Por sikur Argita të bënte një kombinim perfekt të orëve të mësimit, që të ishte gjithë javën e zënë dhe si e jashtme dhe si e brendshme, ajo nuk mund të bënte më shumë se 30 orë në javë, nga të cilat në maksimum ajo mund të mbulohej nga katër universitete.
Pra, jemi gati ta konsiderojmë Argitën një heroinë që punon gjithë ditën, jep mësim çdo orë dhe paguhet nga 5 universitete, nga të cilët katër e paguajnë si të jashtme. Kjo i jep asaj vetëm gjysmën e pagës që ka deklaruar si të ardhur nga universitetet, pra afërisht 6 mijë dollarë në muaj. Gjashtë mijë dollarë të tjera nuk mbulohen askund. Atëherë nëse vazhdojmë të besojmë se Argita nuk gënjen dhe e ka seriozisht se i ka këto të ardhura nga universiteti, ajo mund të jetë paguar në mënyrë fiktive nga pronarë universitetesh për recensa, oponenca, leksione honori, por që në thelb janë një mënyrë për të paguar vajzën e kryeministrit.
E gjithë kjo është më e rëndë për sistemin se sa për Argitën. Argita ka mundësi të tjera fitimi. Katër vjet më parë gazeta Tema botoi një korrespodencë të Argitës me një biznesmen nga vendet e Gjirit, që kërkonte të ndërtonte një TEC në Portoromano dhe rekomandimi i zyrës së Argitës ishte që ai të paguante 3 përqind të investimit si fee suksesi për zyrën e saj avokatore. Të kuptohemi që sukses do të quhej firmosja e projektit nga kryeministri, që ishte babai i Argitës. E sjell këtë shembull për të thënë se Argita ka plot mënyra të bëhet miliardere. Ajo vazhdon të përdorë studion e saj avokatore me avokatë që punojnë nën licencën e tyre dhe nën emrin e saj kur paraqiten në gjykatë dhe duke marrë natyrisht pjesën e luanit nga klientët. Të gjithë i njohim në gjykata kush janë avokatë të Argitës, gjyqtarë të Argitës, prokurorë të Argitës, ajo që nuk njohim deri më sot është të gjejmë një student të Argitës. Me kaq shumë orë pune sa ka deklaruar si pedagoge, kjo do të ishte pedagogia më popullor e universiteteve shqiptare, që do të kishte nxjerrë qindra e mijëra studentë. Në fakt ne nuk njohim student të saj, pasi student të saj nuk ekzistojnë. Dhe ndonjëri që i ka rënë rasti ta dëgjojë ndonjëherë në klasë si pedagoge, me siguri ka kuptuar se ka të bëjë me një pedagoge mediokre, nga ato që nuk kupton dhe vetë ato që thotë.
Por nuk kemi gjë me performancën e saj pedagogjike. Jetën e ka përpara, mund të hapë ndonjë libër dhe mund të mësojë pak më shumë të japë mësim. Problemi është që ajo nuk e ka as pasion dhe objektiv të jetë pedagoge, edhe pse del që ajo të japë 60 orë mësimi në javë, ose afërsisht 300 orë mësimi në muaj, çka i bie që të punojë paradite, mbasdite dhe turni i natës si pedagoge.
Problemi ynë është me faktin se ajo deklaron një pjesë fare të vogël të të ardhurave të saj, dhe atë që deklaron, nuk di si ta justifikojë. Kjo tregon se të ardhurat e tyre janë aq shumë antiligjore dhe të pajustifikueshme, sa fantazia e tyre për t’i fshehur duket shumë e varfër. Por kam një frikë më të madhe. Kam frikë se janë trimëruar sikur nuk do të ndëshkohen kurrë. Këtu i bëjnë gabim llogaritë.
Online nga Adresa: gazetatema.net