Të ardhurat nga privatizimet e 4 hidrocentraleve do të fillojnë të përdoren para se ato të arkëtohen në buxhet. Ky është vendimi i marrë nga qeveria shqiptare dje në mbledhjen e saj të radhës. Kjo do të bëhet e mundur, në bazë të vendimit, sipas të cilit do të merret një hua paraprake, që do të shlyhet në momentin që fondi i privatizimit të arkëtohet. Në vendimin e djeshëm thuhej se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 9, të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ligjit nr.93/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a”, dhe të ligjit nr.94/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi që “kufiri i shpenzimeve kapitale, miratuar në ligjin nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe shpërndahet në nivel programi, sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi”. Po në këtë vendim thuhet se “niveli i deficitit buxhetor, miratuar me ligjin nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe, njëkohësisht, financimi i deficitit buxhetor nga të ardhurat e privatizimit shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë. Do të jetë Ministria e Financave që ngarkohet me shpërndarjen e kufirit të investimeve sipas lidhjes 1 në nivel projekti, përpara arkëtimit në buxhetin e shtetit të të ardhurave nga privatizimet në fjalë. Ky fond pritet të arkëtohet në buxhetin e shtetit në mesin e muajit Prill dhe do të përdoren për ulje të borxhit publik dhe për investime. Vetëm një javë më parë Kuvendi miratoi kontratat e shitjes së hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulëz e Shkopet, kompanisë turke Kurum International, kundrejt vlerës 109,5 milionë euro. Këto katër vepra energjetike prodhojnë në vit rreth 550 mijë Megavat në orë dhe kanë një fuqi të instaluar prej 80 Megavat. Kalimi i tyre në administrim privat erdhi pas një procesi ku të paktën 4 raunde rezultuan të dështuara, çka detyroi qeverinë shqiptare që në mes të procesit të ndryshonte kriteret e garës.
Berisha: Ofrojmë çdo lehtësi për TAP
Pas miratimit në parim, qeveria shqiptare miratoi në terësi marrëveshjen trepalëshe për gazsjellësit Trans Adriatik. Marrëveshja e nënshkruar nga Shqipëria, Greqia dhe Italia përcakton kuadrin ligjor dhe angazhimin e tre shteteve për vënien në zbatim të projektit të gazsjellësit që do të transportojë gazin nga Azerbajxhani drejt Europës, duke pasur si pikë kyçe Shqipërinë. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha e cilësoi këtë projekt si “shndërrues” për vendin dhe ekonominë, ndërsa shprehu angazhimin publik të qeverisë shqiptare për të kontribuar në krjimin e lehtësive të mëtejshme. Duke cilësuar punësimin dhe rritjen e prodhimit si synime prioritare të qeverisë, kryeministri kërkoi nga ministrat që të angazhohen në bashkëpunim me agjencitë në varësi, për studimin e lehtësive të mëtejshme që mund të ndërmerren për biznesin.
