Të paktën për një vit me radhë grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës ka pasur aktivitet intensiv në kalimin e lëndëve narkotike marijuanë dhe hashash nga Vlora për në Itali.
Ndërsa pas sigurimit të fitimeve të konsiderueshme, organizata e përbërë nga 3 fise, e vendosur në Itali dhe në Vlorë, ka menduar të zgjerojë aktivitetin duke shpikur edhe ide si fluturimi me avionë sportiv.
Grupi hetimor ka zbuluar se avioni “Aeropakt” është blerë nga Vilson Lamaj pas mbarimit të kursit si pilot, me qëllim trafikun e drogës që prodhonte në tokat e tij në Sevaster, së bashku me të tjerët.
Grupi kishte menduar edhe për pastrimin e parave të drogës, duke i investuar në pasuri të patundshme, si hotele, lokale apo restorante në bregdet.
Deri tani anëtarëve të fiseve Lamaj, Ahmetaj, Shahaj e Bruhamaj u janë zbuluar disa pasuri të patundshme që pritet të sekuestrohen në kuadër të ligjit Antimafia.
Hetimi i pasurive
Burime zyrtare nga grupi hetimor thane dje se ka nisur verifikimi pasuror i 14 anëtarëve të rrjetit që transportonin drogë me avion nga Shqipëria drejt Italisë, përfshi edhe oficerin Vladimir Zanaj.
Deri tani ka indicie për prona si bare, restorante dhe një hotel në bregdetin e Vlorës.
Ndërkohë Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar Shërbimit të Çështjeve të Brendshme për Ankesat një raport të detajuar mbi verifikimet e këtyre ditëve në Policinë e Vlorës, përsa i përket grupit.
Nga ana tjetër edhe në Itali Antimafia e Bolonjës po kryen verifikime për pasuritë e të dyshuarve, pasi janë arrestuar 8 shqiptarë, përfshi pilotin.
Suporti për trafikun
Vladimir Zanaj, shef i personelit në Policinë e Vlorës u arrestua si pjesë e grupit që dërgonte hashash me avion drejt Italisë, dhe siguronte suport. Por grupi hetimor ka dyshime të forta mbi implikimin e oficerëve të tjerë në këtë trafik dhe nën verifikim janë edhe 5 efektivë e agjentë.
Grupi hetimor po pret zbardhjen e të gjitha telefonatave të kryera nga Vilson dhe Sokol Lamaj me policët, si dhe me anëtarë të tjerë.
Dyshohet se prej një viti Zanaj u siguronte mbrojtje për të kaluar drogën në Portin e Vlorës dhe më gjerë për mbjellje dhe transportim.
Por mendohet se bashkë me Zanajn janë të përfshirë edhe oficerë të tjera, deri në shefa sektori. Prokurorët dyshojnë se dijeni për trafikun kanë pasur dhe drejtues të tjerë të Policisë së Vlorës.
