Si ndryshoi kontrata e lobimit për PD nga 75 në 675 mijë USD

DITA Online

Në mediet amerikane po zien lajmi i dënimit të lobistit të famshëm, Paul Manafort, i cili nuk është i vetmi lobist i vënë nën akuzë, si lobist që u shërbente rusëve nëpërmjet kompanive “offshore”. Një tjetër lobist, Nick Muzin shkaktoi vitin e kaluar një stuhi reagimesh ndaj Partisë Demokratike në Shqipëri, për financim të jashtëligjshëm nga rusët.

Çështja e Paul Manafort tregoi sesi ai arriti të lobojë për vite në SHBA në emër të qeverisë ukrainase, duke pastruar parà që po merrte për ato veprimtari. Është e ngjashme me atë që ndodhi me Biniata Trade me Nick Muzinin dhe Shqipërinë. Nuk pati transparencë. Nëse dikush po përpiqet të blejë ndikim në SHBA për të ndikuar politikën këtu, ata lejohen ta bëjnë për sa kohë që bëhet haptazi. Një qeveri e huaj, një institucion i huaj, mund të vijë në SHBA e të thotë që duan të përhapin qëndrimin e tyre, por duhet të bëhet haptazi”, tha David Corn, shefi i zyrës së “Mother Jones” në Washington.

David Corn është shefi i zyrës në Washington i revistës amerikane “Mother Jones”. Ai është një nga 3 gazetarët e shkrimit investigativ që publikoi skandalin, sesi një kompani guaskë e lidhur me individë rusë kishte financuar lobistin Nick Muzin për të lobuar për Partinë Demokratike.

Një kompani guaskë është një kompani inaktive që ekziston vetëm në letër dhe nuk ka zyrë apo punonjës, por mund të ketë llogari bankare apo investime pasive. Kompani të tilla shërbejnë kryesisht për evazion fiskal, pastrim parash apo qëllime të tjera të fshehta.

E tillë është dhe “Binniata Trade”, kompania në qendër të investigimit të “Mother Jones”, një revistë me një tirazh prej më shumë se 200 mijë kopje.

Kjo revistë është themeluar si një organizëm jofitimprurës 43 vite më parë dhe deklaron se donacionet e lexuesve përbëjnë rreth 2/3-at e buxhetit të saj, çka i lejon gazetarët të gërmojnë në histori të rëndësishme dhe të raportojnë të lirë.

“Mother Jones” ka fituar 7 herë çmime kombëtare, përfshirë atë të vitit 2012 për mbulimin e parave të pista që financonin kandidatët në zgjedhje.

***

Kompania “Biniatta Trade” rezulton të ketë paguar lobistin amerikan Muzin me 650 mijë dollarë, për punën e tij në përfitim të PD-së.

“Top Story” konfirmoi se shuma e mësipërme rezulton të jetë paguar sipas dokumenteve zyrtare të “ligjit për regjistrimin e agjentëve të huaj”, pra lobistët, i njohur nga akronimi në anglisht “FARA”.

Në këtë faqe interneti mund të gjendet edhe kontrata e nënshkruar mes Muzin, kompanisë së lobimit të Nick Muzin “Capitol Partners” dhe Partisë Demokratike.

Në rastin e Nick Muzinit në Shqipëri, nuk ishte e qartë dhe ende s’është e qartë se kush pagoi për atë punë. Çështja e Manafortit ka sjellë ndryshime në kuptimin që më përpara politikat, regulloret qeveritare për veprimtari të tilla ishin shumë të lehta, ndaj Manafort e kishte të lehtë. Agjencia qeveritare përgjegjëse nuk bën shumë hetime. Çështja e Manafortit e ka ndryshuar të gjithë këtë. Tani shohim firma lobimi që po deklarojnë veprimtari që nuk i kishin deklaruar më parë”, tha për “Top Story”-n David Corn, kryeredaktor i “Mother Jones” në Washington.

***

Pas betimit të presidentit Donald Trump, Nicolas Muzin, njohur shkurt si Nick Muzin, veteran i Partisë Republikane, vendosi të fillojë karrierën e tij si lobist.

Muzin, me origjinë kanadeze, i diplomuar në “Yale” për Drejtësi dhe me një diplomë të dytë nga Kolegji “Albert Einstein” i Mjekësisë, Muzin kishte pasur një sërë postesh politike, mes të cilave kishte qenë shefi i shtabit elektoral për senatorin republikan të Teksasit, Ted Cruz, dhe këshilltar i tij gjatë fushatës presidenciale brenda republikanëve të Cruzit.

Me fitoren e Trumpit brenda partisë, Muzin iu bashkua fushatës së manjatit republikan, madje nuk punoi me ekipin e tranzicionit për t’u rekrutuar në administratën e re të presidentit, por me sa duket nuk ia doli.

Në vend të kësaj, më 31 mars 2017 u regjistrua në Departamentin amerikan të Drejtësisë si “agjent i huaj”, pra lobist, dhe klienti i tij i parë ishte Partia Demokratike e Shqipërisë, megjithëse çuditërisht për një pagesë sa gjysma e tarifave normale.

Muzin ka punuar për senatorin Ted Cruz, i cili kandidonte për president. Më përpara ai ka punuar për republikanët në Kongres, ndërsa për një kohë të shkurtër ka punuar edhe për fushatën e Trumpit. Por, ai është veçanërisht i lidhur me Ted Cruzin. Pra, Muzin ishte një prej anëtarëve të stafit të ngushtë dhe jo i vetmi, që më pas u bë lobist dhe që u angazhua në praktika të errëta lobimi, çka tregon hipokrizinë e asaj që Cruz predikonte gjatë fushatës”, tha Daniel Friedman, gazetar i revistës “Mother Jones”.

***

Lobimi i politikanëve të huaj është një procedurë aspak e pazakontë në Washington, madje bëhet fjalë për një aktivitet të ligjshëm.

Partia Demokratike kishte kontraktuar edhe më parë një firmë lobuese, “Barnes & Thornburg”, me një marrëveshje prej 150.000 dollarësh, ndërsa Partia Socialiste kishte punësuar “Ballard Partners”, për një kontratë lobimi me vlerë 240 mijë dollarë. Nuk mbetej pas as LSI-ja, me dy kontrata lobimi me vlerë 300 mijë dollarë, me kompaninë “Global Security and Innovative Strategies”.

Por, ajo që tërhoqi vëmendjen e gazetarëve të “Mother Jones” ishin ndryshimi i të dhënave, që Muzin bëri në Departamentin amerikan të Drejtësisë gati 8 muaj më vonë, ku deklaronte se ishte paguar 675 mijë dollarë për punën e tij si lobist për Partinë Demokratike.

Ky ndryshim u bë nga Nick Muzin, vetëm dy javë pasi Paul Manafort ishte paditur nga prokurori Mueller për mosdeklarimin e punës së tij si lobist, për një parti politike në Ukrainë.

Kur ne pamë dokumentet e ndryshuara të Muzin, ku ai zbulonte se ky entitet mbështeste një parti politike shqiptare, kur pamë këtë, besoj në dhjetor të vitit 2017, ishte pikërisht kjo që ngriti çështjen”, tha Daniel Friedman, gazetar i revistës “Mother Jones”.

Në dosjen e tij të ndryshuar, Muzin deklaronte se ishte paguar 675.000 dollarë për 3 muajt e tij të punës për Partinë Demokratike. Kjo përfshinte një pagesë me vlerë 150.000 dollarë më 24 mars; një tjetër prej 25.000 dollarësh më 27 mars; dhe e fundit ishte ajo prej 500.000 dollarësh më 9 qershor. Të gjitha pagesat ishin të vitit 2017, pak kohë përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Por, më interesante në dokumentet e ndryshuara është fakti se, dy prej pagesave nuk ishin bërë nga Partia Demokratike, por nga një tjetër burim.

***

Muzin kishte raportuar se pagesat për aktivitetet e Partisë Demokratike ishin kryer nga “Biniatta Trade”, një kompani me seli në Edinburg.

Kur Nick Muzin përditësoi dokumentet e tij dhe i pamë, thamë: Kush është ‘Binniata Trade’? Çfarë është kjo kontratë misterioze prej 500 mijë dollarësh, që është e lidhur me këtë parti shqiptare? Kjo nxiti interesin tonë për të marrë vesh se çfarë është ‘Binniata Trade’, kush i financon, çka na çoi në një kërkim të gjatë dokumentesh, ku përdorëm të dhënat zyrtare të korporatave britanike, bëmë disa kërkime, madje edhe në Kanada. Na çoi pra në disa drejtime të ndryshme”, tha Hannah Levintova, gazetare e “Mother Jones”.

Muzin e tërhoqi shumën prej 500.000 dollarësh vetëm disa ditë para se të organizonte mundësinë që Basha të kishte një fotografi me Donald Trumpin gjatë një mbledhje fondesh në Milwaukee.

Ndërkohë, pagesa prej 150.000 dollarësh përfshinte një kontratë të panënshkruar të datës 20 mars 2017, midis “Biniatta Trade” dhe “Stonington Strategies”. Kjo e fundit është kompania e Nick Muzin. Sipas kësaj kontrate, “Biniatta” duhej të paguante Muzin me 3 këste prej 150.000 dollarësh secili; dhe një pagesë tjetër prej 500.000 dollarësh për organizimin e një sërë eventesh dhe takimesh në Uashington, në muajin e parë të projektit.

Por Muzin nuk e kishte përfshirë “Binniata Trade” në dokumentet origjinale, e kjo kishte ngritur dyshime në Departamentin e Drejtësisë.

Në dokumentin e siguruar nga “Top Story”, që lobisti Nick Muzin paraqiti më 14 nëntor të vitit 2017, thuhet:

Lidhur me përfaqësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, i regjistruari ka hyrë në një marrëveshje shtesë me ‘Biniatta Trade LP’ për të promovuar lidershipin konservator të Shqipërisë. Ndërsa marrëveshja me ‘Biniatta Trade LP’ fillimisht u paraqit sipas ‘Aktit të Lobimit’, një rishikim në kuadër të deklaratës shtesë përcaktoi se përfaqësimi ishte në përfitim të Partisë Demokratike të Shqipërisë”.

Me pak fjalë, me këto dokumente shtesë, Muzin njoftoi Departamentin amerikan të Drejtësisë se kishte marrë 675.000 dollarë për punën e tij për Partinë Demokratike, shumë më tepër se 75.000 dollarët e deklaruara në kontratën fillestare.

Por, një pjesë e regjistrimit të ndryshuar ishte në kundërshtim me kontratën e bashkëngjitur midis firmës së tij dhe “Biniatta Trade”. Muzin deklaronte aty se Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe jo “Biniatta Trade”, ishte entiteti që kishte bërë pagesën prej 500.000 dollarësh për të. Pra, lobisti amerikan ishte përpjekur që të mos ekspozonte lidhjen e Partisë Demokratike me “Biniatta Trade”, një kompani e lidhur me rusët.

***

Lulzim Basha deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë “Biniatta Trade” dhe se i kishte paguar kompanisë së Muzin vetëm 25 mijë dollarë. Madje kryedemokrati, në një intervistë për “Opinion” pak ditë pasi kishte shpërthyer skandali, tha se nuk e njihte “Binniata Trade”.

Por dokumentet flasin ndryshe. Një tjetër detaj, mjaft i rëndësishëm, për të cilin kryedemokrati Basha nuk ka dhënë ende një përgjigje është se, përse i pagoi vetëm këstin e parë prej 25 mijë dollarë lobistit Nick Muzin, kur kontrata parashikonte 75 mijë.

Këtë thotë Muzini. Këtë kanë dosjet. Që ai po lobonte për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe që kjo është pagesa. Ndoshta ai gënjen. S’po e akuzoj. Po e them në teori. Dhe ai mund t’i ketë marrë paratë për diçka tjetër, por këtë thonë dokumentet. Dhe ne e dimë që ai u regjistrua për PD dhe ka bërë punë për ta. Këto gjëra nuk janë në diskutim. Nëse Partia Demokratike e ka paguar, ata mund të na thonë detajet nëse shkresat u duken gabim. Kur e ke paguar dikë, duhet të bëjë atë që të thotë. Duket vërtet e nevojshme për atë dhe për partinë që të japin shpjegime më përmbyllëse dhe më të qarta”, tha David Corn, kryeredaktor i “Mother Jones”, Washington.

Nëse do të ishte kështu, atëherë materialet e depozituara nga Nick Muzin në Departamentin e Drejtësisë janë të pasakta, sepse aty ai thotë se do të lobonte për PD-në. Dhe atëherë pyetja do të ishte: Përse ai do të thoshte një gjë të tillë në dokumentet zyrtare të Departamentit të Drejtësisë, vetëm disa javë pasi Paul Manafort u padit për dorëzimin e dokumenteve të parregullta pikërisht në Departamentin e Drejtësisë për aktivitetin e tij të lobimit me të huaj. Ndaj, askush nuk do të donte të bënte ngatërresa me këto dokumente, sepse Departamenti i Drejtësisë po gjurmon këto lloj aktivitetesh. Pra, çdo gjë është e mundur, por pse ai do të thoshte diçka tërësisht të pavërtetë në dokumentet zyrtare të Departamentit amerikan të Drejtësisë? Nëse kjo pagesë që Binniata i bëri Nick Muzin nuk ka asnjë lidhje me PD-në, atëherë përse ai deklaroi se ishte një pagesë për këtë parti në Departamentin e Drejtësisë…?”, tha Hannah Levintova, gazetare e revistës “Mother Jones”.

 

v.l/ Dita

 

Share This Article
1 Comment
  • I doli bytha ne diell Luludhit dhe Partise se tij kriminale. Tani qe po hetojne amerikanet dite me shi dhe fortune parashikon barometri o Lul Shalngjitmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *