Këto ditë ajo është në qendër të vëmendjes, pasi për dy javë do të përfaqësoi Shqipërinë në konkursin më të rëndësishëm të modës në botë, në “Miss Intercontinental” më 14 dhjetor në Magdeburg të Gjermanisë. Vivian Canaj është vetëm tetëmbëdhjetë vjeç. Ka tre vite që merret me modë, por aspiron për t’u bërë avokate. Në këtë rrëfim me “Ditën” ajo do të na tregoi eksperiencat e saj brenda dhe jashtë vendit. Për të gjithë ata që nuk e njohin Vivianin, ajo është modelja shqiptare që ka pozuar dhe sfiluar për shtëpinë e modës së Roberto Cavalli-t në Gjermani.
Vivian, kemi parë që jenë jeni duke reklamuar një parfum, na trego pak për këtë projekt të ri?
Po është e vërtetë që kam reklamuar parfumin Chopard në Gjermani. Fotot janë realizuar nga një prej fotografëve më të mirë, jo vetëm në Gjermani dhe Europë.
Aktualisht ku jetoni dhe cilat janë angazhimet e momentit?
Më duhet të theksoj se unë jetoj në Tiranë, por jam në lëvizje të vazhdueshme drejt Gjermanisë pasi aktivitetin tim në modeling e kam të përqendruar në Gjermani. Përpos seteve fotografike, në fillim të nëntorit kam qenë pjesë e jurisë në “Miss NRW” ne Köln.
Keni një synim ku doni të arrini në fushën e modës?
Modelingu është një pasion i imi dhe këtë rrugëtim e kam nisur që në moshën 15-vjeçare. Synimi im përherë ka qenë që të bëj karriere në modelingun ndërkombëtar të cilën besoj se e kam arritur. Një arritje e madhe për mua ka qenë pjesëmarrja ime në “Top Model of The World” në Egjipt në prill të këtij viti, gjithashtu edhe përfaqësimi i Shqipërisë me 14 dhjetor në “Miss Interkontinental” dhe “Miss Europa” e cila do të zhvillohet në Gjermani.
Cila është ajo gjë që nuk mungon kurrë në gardërobën tuaj?
Në garderobën time nuk mungon kurrë një fustan i zi i cili për çdo rast nxjerr në pah elegancën dhe sensualitetin e një femre.
Një femër që ndjek fushën e modës shpesh i duhet të sakrifikojë për diçka. Për ju, cila është sakrifica më e madhe që keni bërë deri më tani?
Sakrifica është një fjalë e madhe, që ta çon mendjen të mohimi i mjaft dëshirave, tek sforcimet fizike, dietat për ruajtjen e linjave etj. Për mua gjithçka shkon normalisht, duke ndjekur një grafik të arsyeshëm dhe që më lejon të ruajë treguesit optimal që kërkon të qenurit modele.
Me çfarë merret tjetër modelja shqiptare e Cavallit në Gjermani?
Studioj për Juridik. Sapo i kam filluar studimet në fakt. Më ka pëlqyer gjithnjë drejtësia dhe më vjen mirë që e kam mundësinë të studioj në një degë të tillë. Sigurisht, që akoma më shumë do të më pëlqente të isha e suksesshme dhe të kontribuoja në drejtësinë që i nevojitet këtij vendi. Shpresoj që ta përfundoj me nota të shkëlqyera.
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Nuk e di akoma nëse ka lumturi absolute. Personalisht kërkoj të ndihem e lumtur në çdo hap, në çdo takim, pas çdo pune që kryej.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Kënaqësia se do të nis një ditë të re, me mendimin se më presin takimet me njerëzit e mi më të dashur, por edhe me mendimin se plotë punë duhen kryer.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Kur jam mes miqve të mi, gjithmonë krijohet një atmosferë që është e pamundur mos qeshesh.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Sinqeriteti.
Defekti juaj kryesor?
Besimi i tepërt që i jap të tjerëve.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Ndaj gabimeve te cilat nuk më dëmtojnë.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Udhëtimi im i preferuar mbetet udhëtimi drejt Egjiptit.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
Daniel Still, Sveva Casati Modignani
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Tek një burrë vlerësoj inteligjencën
Tek një grua?
Tek një grua vlerësoj inteligjencën dhe bukurinë shpirtërore.
Libri që ju ka lënë mbresë të pashlyeshme?
Libri që me ka lënë mbresa është Coco Chanel i Alfonso Signorini.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Suksesi im më i madh është përfaqësimi i Shqipërisë në “Miss Intercontinental” më 14 dhjetor në Magdeburg të Gjermanisë.
Profil
Vivian Canaj është vetëm tetëmbëdhjetë vjeç. Ajo ka lindur në Romë, por jeton mes Tiranës dhe Gjermanisë. Sepse ajo jeton dhe punon midis këtyre dy shteteve. Edhe pse një modele me emër të njohur tashmë në Kosovë dhe Gjermani, Vivian Canaj përpiqet gjithnjë që të mos e lërë pas dore shkollën. Sapo ka mbaruar shkollën e mesme dhe ka vetëm pak që ka fituar të drejtën universitare. Është në vitin e parë të shkollës së lartë. Bukuroshja shqiptare studion për shkencat juridike dhe dëshiron që qoftë edhe pak t’i japë pak drejtësi këtij vendi. Nuk ndihet shumë e vlerësuar në Shqipëri, por ndihet mirë teksa thotë se ka pozuar për Cavalli-n në Gjermani. Ajo ka qenë pjesë e Top Model of the World 2013. Ka përfaqësuar Kosovën, ndërsa në Miss Intercontinental dhe Miss Europe që do të zhvillohet në datë 14 dhjetor të këtij viti ajo do të përfaqësojë Shqipërinë.
