Krahas mjekëve e profesorëve, Qendra spitalore Universitare “Nënën Tereza”, do të lejojë parkimet falas edhe për një kategori të caktuar pacientësh. Këta të fundit do të pajisen me një vërtetim të posaçëm, nëpërmjet të cilit do të mund të lëvizin lirisht në ambientet e kësaj qendre spitalore. “QSUT ka marrë masa për hyrjen falas në territorin e spitalit, të disa kategorive të veçanta pacientësh, si për shembull pacientëve që marrin shërbime në Dializë, tetraplegjikëve, etj. Këto kategori pacientësh do të pajisen me një vërtetim të veçantë për t’u mundësuar hyrjen sa herë t’u nevojitet”, sqarohet nga burimet zyrtare të këtij institucioni. Ndërsa për urgjencat mjekësore bëhet me dije se është rezervuar një korsi e veçantë kalimi. Po sipas të njëjtave burimeve në kuadër të masave të marra për disiplinimin e parkimit dhe trafikut në QSUT, në shërbim të qytetarëve dhe personelit në bashkëpunim me firmën private që ka filluar zbatimin e kontratës për disiplinimin e parkimit, ka nisur procesi i vlerësimit të kapaciteteve të parkimit për stafin mjekësor të spitalit. Në fazën e parë, ka filluar pajisja me karta elektronike e stafit mjekësor (pedagogë, mjek, profesorë) për parkimin falas dhe menjëherë ka nisur korrespondenca me shërbimet mjekësore, të cilët duhet të përgatisin informacionin përkatës (emër mbiemër, pozicioni i punës, targa e automjetit, si dhe dokumentacioni që vërteton pronësinë e tij së bashku me lejen e qarkullimit) në lidhje me automjetet e personelit mjekësor si (specializantë, infermierë, laborantë, radiologë, etj). Procedurë kjo e cila kryhet me qëllim vlerësimin e kapaciteteve të parkimit në dispozicion të personelit dhe pajisjen me kartat elektronike. Për vite me radhë, ambientet e jashtme të kësaj qendre spitalore janë uzurpuar nga hyrje daljet pa kriter të automjeteve të cilat në jo pak raste kanë ndikuar negativisht, duke e zgjatur edhe më tej kohën e shërimit të pacientëve si pasojë e nivelit të lartë të zhurmave, apo ndotjes së shkaktuar prej tyre. Ndërkohë që në shumë raste këto ambiente shfrytëzoheshin edhe si ambiente parkimi. Por me urdhrin më të fundit në ambientet e spitalit përveç urgjencave, do të monitorohet rreptësisht hyrja e personave të tjerë. Për punonjësit dhe pacientët e përmendur hyrja do të bëhet nëpërmjet kartave të posaçme.
