Parlamenti Evropian mbështet njohjen e shtetit të Palestinës

Ornela

Parlamenti Evropian mbështeti njohjen e Shtetit të Palestinës në një rezolutë të përbashkët të grupeve të mëdha me 498 vota pro, 111 kundër dhe 88 abstenime. “Parlamenti Europian mbështet në parim njohjen e shtetit të Palestinës dhe zgjidhjen dyshtetërore në Lindjen e Mesme, ndaj dhe beson se kjo gjë duhet të arrihet krah për krah me zhvillimin e mëtejshëm të bisedimeve për paqe, të cilat nuk duhet të ndalen deri në gjetjen e zgjidhjes”, thuhet në tekstin që inkurajon shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, që të promovojë njohjen e Palestinës në mbarë Bashkimin Evropian. Eurodeputetët njëkohësisht shprehën “shqetësimin e madh” për përshkallëzimin e dhunës në rajon, të cilën e dënuan “në termat më të larta të mundshme”. Parlamenti Evropian ka paralajmëruar në mënyrë specifike në lidhje me rreziqet e dhunës së përshkallëzuar në  vendet e shenjta që mund ta transformojnë konfliktin izraelito-palestinez në një konflikt fetar. Në këtë drejtim, ata u bënë thirrje udhëheqësve politikë të të gjitha palëve që të punojnë së bashku, përmes veprimeve konkrete për ftohjen e dhunës. “Mënyrat jo të dhunshme dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve”, thuhet në rezolutën e miratuar. Nga ana tjetër, deputetët shfrytëzuan rastin për të theksuar se vendbanimet hebraike në tokën palestineze janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe u bënë thirrje të dyja palëve që të shmangin çdo veprim që mund të minojë qëndrueshmërinë dhe perspektivat e zgjidhjes dyshtetërore. Eurodeputetët thonë se mbështesin përpjekjet e Presidentit të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas, dhe të Qeverisë së Konsensusit Kombëtar për të arritur një zgjidhje afatgjatë.

Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan të gjitha fraksioneve palestineze, përfshirë edhe Hamasin, të pranojnë  angazhimet e AKP dhe t’i japin fund ndarjeve të brendshme. Eurodeputetët mbështetën të ashtuquajturën zgjidhje dyshtetërore në bazë të kufijve të 1967-ës me Jerusalemin si kryeqytet i të dy shteteve, dhe një Izrael të sigurt dhe të pavarur si dhe një Palestinë të qëndrueshme dhe demokratike.

Eurodeputetët uruan Mogherinin për “angazhim proaktiv për të thyer ciklin e konfliktit dhe krijimin e kushteve për një proces të mirëfilltë paqeje”. Parlamenti Evropian konsideron se BE-ja “duhet të marrë përgjegjësinë për të qenë një aktor i vërtetë dhe ndihmës në procesin në Lindjen e Mesme”.

Votimi ishte simbolik dhe nuk ka asnjë vlerë juridike, pasi BE nuk mund të njohë asgjë. Kjo është diçka që i përket vetëm Shteteve Anëtare, megjithatë është një element më shumë në presionin politik për shtetet, që të bëjnë një hap përpara dhe të ndjekin shembullin e 130 vendeve të tjera që prej 25 vjetësh kanë njohur Palestinën. /O.J

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *