Mazhoranca diskutoi dhe miratoi ligjin për legalizimet. Në këtë mënyrë, i është dhënë fund problemi të mprehtë shumëvjeçar, të legalizimeve. “Ne do t’i bëjmë legalizimet falas dhe këtë fatmirësisht e kuptojnë të gjithë ata që nuk i bien nga ezofagu i Saliut për të marrë vesh se si qëndron e vërteta, por shikojnë faktet”, deklaroi kryeministri Rama. Ligji për legalizimet u miratua në seancë me 74 vota pro. Nisma synon të mbyllë përfundimisht epokën e informalitetit në zhvillimin e tokës, territorit, hapësirave urbane e rurale. Nga procesi i legalizimeve falas, një premtim i mbajtur i qeverisë “Rama”, do të përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, do të përfitojë e gjithë ekonomia e vendit. Programi i Qeverisë parashikon që brenda mandatit të parë të qeverisjes të përfundojë pjesa më e madhe e legalizimeve. Ndryshimet e miratuara i japin zgjidhje fatit të rreth 270 mijë familjeve dhe ndërtimeve informale në Republikën e Shqipërisë.
Denoncimi
Në një fjalim të gjatë për këtë çështje, kreu i qeverisë tha se paraardhësit në pushtet, që për vite me radhë morën votat e zonave informale, i shndërruan dyert e Agjencisë së Legalizimeve si radhët e dikurshme të ambasadave, duke lënë pas një institucion kaotik. “Dy javët e para të punës Artan Lame i ka kaluar në dysheme, poshtë dollapeve e tavolinave për të mbledhur letrat e për të lidhur fijet. Kjo nuk është metaforë, ky është fakt”, theksoi Rama. Por më shumë sesa kaosi i dosjeve të legalizimeve, Edi Rama u ndal më gjatë në denoncimin e legalizimeve korruptive dhe klienteliste. Duke sjellë shembuj nga legalizimet e ditëve të fundit të pushtetit të demokratëve, Rama iu drejtua nga foltorja e Parlamentit prokurorisë edhe për këtë çështje. “Në bazë të këtyre verifikimeve, të gjithë personat e përzierë, nga koka deri tek dera në sistemin e ALUIZNI-t duhet të shkojnë në burg. Në burg”, shtoi Rama. Kreu i qeverisë Rama, tha se ai i jep zgjidhje mbi 20 mijë familjeve që u mashtruan dhe rivotuan e rivotuan ata që sot erdhën këtu për të na hedhur neve baltën e keqqeverisjes së tyre. “Berisha ka legalizuar një natë para se të linte pushtetin, në shtator 2013, brenda 24 orësh, mbi 800 objekte që i përkisnin zyrtarëve dhe miqve të saj. Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, tha Rama, ndërsa e cilësoi këtë një krim të pastër ekonomik. Sipas tij, përgjegjësit duhet të shkojnë në burg. “Procedurat e legalizimit janë bërë me shpejtësi të paparë brenda një nate në mënyrë selektive. Në mes të një zone të tërë që duhej legalizuar me qindra shtëpi, është legalizuar vetëm një pallat 12-katësh”, tha kreu i qeverisë.
Rastet e legalizimeve abuzive nga qeveria “Berisha”
“Berisha ka legalizuar një pallat në qendër të Tiranës, objekti u vetëdeklarua se do të ishte 3-katësh, tani është mbi 9 kate. Objekt tjetër, në rërë, në Spille, i legalizuar 30 metër nga deti, ndërkohë, që në gjithë fshatrat nuk ka asnjë objekt tjetër. Ky është një objekt tjetër, i cili është legalizuar në kulmin e fushatës elektorale. Në parkun e Liqenit, një objekt 56 metër katrorë, i shitet truall 88 metra katrorë, mbi të ashtuquajturin objekt social-ekonomike. Rreth 12 legalizime të tjera janë bërë në këtë procedurë, Data është tepër domethënëse, 17 shtator, 2013. Objekt tjetër, në Shkodër, 36 metra katrorë, në tokën e shtetit, sipërfaqja e shitur tek zotëria, për këto sipërfaqe është bërë në datën 30 gusht të vitit 2013 1113 metra katrorë. Si ky rast janë 60 të tillë”, tha Rama.
