Lëndët me zgjedhje janë kusht i detyrueshëm për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë shkollën e lartë në ciklin e studimeve part-time, gjatë vitit të ri akademik 2013-2014. Burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në ciklin e studimeve me kohë të pjesshme, duhet t’i kenë shlyer të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore (marrja e notave kaluese në të gjitha provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara që lejon marrjen e Diplomës së Maturës). Ndërkohë që ky detyrim duhet përmbushur nga të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme përmes “Dëftesës së Pjekurisë”. Kjo kategori duhet që të ketë dhënë provimet me zgjedhje, në mënyrë që të vijojë më tej garën për të fituar një të drejtë studimi në këto programe universitare me kohë të pjesshme. “Kandidatët që zotërojnë “Dëftesë Pjekurie” apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim, certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve”, thuhet edhe në vendimin e miratuar nga Qeveria pak ditë më parë, lidhur me kuotat e pranimeve për programet me kohë të pjesshme. Konkretisht të drejtën për të aplikuar për studimet part-time do ta ketë çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron “Diplomë” të Maturës Shtetërore, “Dëftesë Pjekurie” (të cilës i duhet bashkuar edhe certifikata e notave për lëndët me zgjedhje), apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit.
Rreth 30 % e kuotave të part-time shkojnë për fakultetet e dyta
Gjatë muajit tetor do të shpallen edhe procedurat e aplikimit për të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar studimet e larta në një fakultet, por dëshirojnë që të ndjekin një të dytë, në fusha të caktuara. Për këtë kategori rezervohen kuota të veçanta, të cilat sipas zyrtarëve të MASH zënë rreth 30 për qind të totalit të kuotave që janë miratuar për programet e ciklit part-time. Kështu, në vendimin e miratuar pak kohë më parë nga Qeveria citohet se 8522 është numri i kuotave të aprovuara për part-time, nga të cilat 30 për qind i rezervohen kandidatëve që duan të vijojnë studimet e larta publike si fakultet i dytë. “Kuotat e çdo programi studimi ndahen në raportin 7 me 3, përkatësisht 70 për qind e tyre, për pranimet e reja në programet e para të studimit me kohë të pjesshme dhe 30 për qind për pranimet e reja në programet e dyta të studimit”, citohet në vendim. Do të jenë pikërisht institucionet e arsimit të lartë ato që do të përcaktojnë se cilat janë kriteret që do të ndiqen për të pranuar fituesit në një program të dytë studimi universitar. “Kandidatët, që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, brenda kuotës të përcaktuar e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë e të bëra publike paraprakisht”, thuhet më tej në vendim.
Përzgjedhja e fituesve në degët part-time
Ndonëse nuk është vendosur ende data zyrtare, aplikimet për studimet part-time parashikohen të nisin gjatë muajit tetor. Përzgjedhja e fituesve që do të pranohen në këto degë do të bëhet nëpërmjet konkurrimit me dosje, (ku aplikuesi do të depozitojë pranë sekretarive të fakulteteve dokumentet e kërkuara) dhe kritereve të veçanta që do të përcaktojnë vetë fakultet. Prioritet në programet e para të studimeve part-time pritet të kenë maturantët të cilët nuk kanë arritur të marrin asnjë të drejtë studimi në sistemin me kohë të plotë. Megjithatë, në degët ku fluksi i kërkesave për studime do të jetë më i lartë se kuotat e miratuara për atë program kritere përzgjedhës edhe për këtë vit do të jetë nota mesatare. Duke iu referuar ndryshimeve të bëra gjatë viteve të fundit në këtë program studimi vihet re se kriteret e pranimeve po shkojnë gjithnjë e më shumë në ngjashmëri me ato që aplikohen në sistemin e ditës. Kjo me qëllim rritjen e cilësisë që prodhohet në këtë cikël studimesh. Dokumentacioni që nevojitet për aplikim duhet të përmbajë: dëftesën e pjekurisë (në mungesë të origjinalit vërtetim me listë notash me fotografi ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale ose drejtori i zyrës arsimore, dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje e tij (në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit); dy fotografi dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit, paguar pranë bankave të nivelit të dytë. Pas mbylljes së procedurës së pranimit të kërkesave do të jenë komisionet e ngritura pranë çdo fakulteti që do të bëjnë vlerësimin e dosjeve të dorëzuara, nga ku do të selektohen kandidatët fitues për këtë vit akademik.
somarjo :
Ky detyrim duhet përmbushur edhe nga të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme përmes pajisjes me “Dëftesë Pjekurie”. Kjo kategori duhet që të ketë dhënë provimet me zgjedhje, në mënyrë që të vijojë më tej garën për të fituar një të drejtë studimi në programet universitare për ciklin e studimeve me kohë të pjesshme. Në këto kushte kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim, certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Kuotat e miratuara në ciklin e studimeve part-time për të gjitha kategoritë
- Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit 8522
- të ciklit të parë, më kohë të pjesshme,
- Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit 40
- të ciklit të parë, të edukimit në distancë,
- Kuotat për transferim studimesh 200
- Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 400
- Kuota për personat që nuk shikojnë 20
- Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë 20
- Kuota për të përndjekurit politikë 150
- Kuota për shtetasit e huaj 50
Nis llogaritja e pikëve për garuesit në universitete
Skadon sot afati zyrtar i përcaktuara për plotësimin e formularit A2 nga të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta në universitetet publike të vendit gjatë vitit të ri akademik. Janë pikërisht maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Matit, Dibrës dhe Bulqizës të planifikuar për plotësimin e formularit A2, në datën e fundit të përcaktuara nga MASH, që përkon me ditën e sotme (5 gusht). Megjithatë pak më herët ekspertët e MASH dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve deklaruan se do të jepet edhe një tjetër afat shtesë në rast se shkollat e mesme apo drejtoritë arsimore do të raportojnë vështirësi apo mungesa në plotësimin e këtij formulari. Datat për plotësimin e këtij afati shtesë pritet të bëhen publike brenda dy ditëve të ardhshme. Ndërkohë që pas mbledhjes së të dhënave të depozituara në formularin A-2, edhe pas mbylljes së afatit shtesë, ekspertët në Agjencinë Kombëtare të Provimeve do të përllogaritin sipas formulës tradicionale, pikët me të cilat çdo maturant do të hyjë në garë për pranimet e reja në universitete. Kandidatët që nuk kanë dorëzuar të plotësuar këtë formular brenda afatit të caktuar humbasin të drejtën për të ndjekur shkollën e lartë gjatë vitit të ri akademik 2013-2014 që nisë gjatë muajit tetor. Sipas përcaktimeve të bëra, pritet që shpallja e pikëve të grumbulluara në secilën prej dhjetë preferencave të përzgjedhura nga çdo maturant të shpallen rreth javës së tretë të muajit gusht përmes Librit të Transparencës. Në këto kushte maturantët, si dhe kandidatët e tjerë do të kenë mundësi që të shohin rezultate e llogaritura para se të bëhet renditja përfundimtare e fituesve që do të pranohen në çdo program studimi, sipas kuotave të miratuara nga Qeveria. Duke iu referuar afateve të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, shpallja e rezultateve për fituesit e raundit të parë do të bëhet në mes të muajit shtator, pasi të kenë përfunduar edhe testimet speciale në degën e arkitekturës, arteve e sporteve. Gjatë kësaj kohe MASH do të shpallë edhe udhëzimin me datat që maturantët do të duhet të respektojnë për regjistrimet paraprake dhe ato përfundimtare në programet ku shpallen fitues. Ndërsa maturantët mbetës dhe ata që nuk shpallen fitues gjatë raundit të parë do të aplikojnë sërish përmes formularit A3. Plotësimi i formularit A-3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit për sezonin e vjeshtës do të duhet të vlerësohen me nota kaluese. Vetëm më pas do të përfshihen në garën e përzgjedhjes së degëve që do të përmbajë ky formular A-3. Në këtë fazë do të regjistrohen në shkollën e lartë të gjithë ata të rinj që nuk kanë fituar në fazën e mëparshme , por me një dallim vetëm në programet ku kanë mbetur kuota bosh.
Regjistrimet për konkursin tek arkitektura
Sipas përcaktimeve të bëra, kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në degën e arkitekturës duhet ti nënshtrohen më parë konkursit special, i cili për 2013-ën, parashikohet të zhvillohet në dy seanca testimi, përkatësisht në 2 dhe 4 shtator. Për këtë vit është menduar që pesha e konkursit të zërë rreth 60 për qind të rëndësisë në caktimin e fituesve, ndërsa pjesa tjetër u takon elementeve përbërëse të Maturës Shtetërore. Por, për të marrë pjesë në këto testime ata fillimisht duhet të regjistrohen sipas afateve të caktuara. Aktualisht është shpallur kalendari i datave për regjistrimet, të cilat iniciojnë nga 16 gushti për të përfunduar vetëm pak ditë para testimeve në datën 27 gusht. Maturantët mund të paraqiten për të bërë regjistrimet përkatëse në datat e përcaktuara. Për t’u regjistruar kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me dokumentet e kërkuara, të cilën e gjeni të detajuar në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Tarifa e regjistrimit për të gjithë pjesëmarrësit në konkurs është llogaritur të jetë rreth 8000 lekë, tarifë kjo që nuk ka të bëjë me koston e studimeve që duhet të paguajnë më pas kandidatët që do të shpallen fitues. Gjithashtu krahas këtyre dokumenteve kandidatët duhet të tregohen të kujdesshëm që ditën kur do të jepet testimi të kenë me vete materialet e përcaktuara në rregullore, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të marrin pjesë në konkurs.
dua qe studimet e mia ti vazhdoj part time pavaresisht se kam fituar te drejten per ne universitet full time. jam regjistruar ne fakultetin e edukimit dega gjuhe letesi -anglisht.ne universitetin e durresit…doja te dija a pranohem part time….ca procedure te ndjek ,datat e sakta te regjistrimeve,tarifat….mund te me ndihmoni ju lutem
po sa duhet te jete mesatarja e shkolles se mesme qe te pranohesh ne part/time ?
sa duhet te jete mesatarja e gjimnazit per tu pranuar ne part time?