Përzgjidhen kandidatët që fitojnë të drejtën për të vijuar studimet part-time në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, pjesë e Universitetit të Tiranës. Gjatë ditës së djeshme zyrtarët e këtij institucioni kanë zbardhur edhe renditjen e fituesve të përzgjedhur në të tre programet e studimit. Në tabelat bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuara listat e fituesve që do ndjekin studimet part-time në degën e Gjeografisë, Historisë dhe të Gjuhë-letërsisë, gjatë vitit të ri akademik 2013-2014.
Kandidatët që janë pjesë e listës së fituesve tashmë duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore për të bërë regjistrimin në degën ku janë përzgjedhur për të vijuar studimet e larta. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet vetëm me Diplomën e Maturës Shtetërore dhe Dëftesën e Pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Ndërkohë që kandidatët të cilët nuk janë pjesë e listës së fituesve mund të kërkojnë marrjen e dokumenteve të dorëzuara gjatë fazës së aplikimeve. Por, për këtë më parë duhet të bëjnë një kërkesë pranë sekretarisë mësimore përkatëse.
Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë duhet të dorëzojnë në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, listën përfundimtare të fituesve që kanë përfunduar me sukses procesin e regjistrimit, në mënyrë që të mund të sigurojnë numrin e matrikulimit. Kandidatët që rezultojnë të regjistruar në programe të tjera studimi të ciklit të parë, ose të dytë, me kohë të plotë apo të pjesshme, në fakultetet publike nuk do të pajisen me këtë numër, pasi do të çregjistrohen. Kjo pasi nuk lejohet që një kandidat ndërkohë që vijon studimet në një fakultete publik gjatë sistemit të ditës, të vijojë njëkohësisht edhe studimet në ciklin part-time.
Sipas vendimit të miratuar disa javë më parë nga Këshilli i Ministrave, rreth 70 për qind e kuotave të miratuara në total për studimet me kohë të pjesshme në ciklin “bachelor”, janë vënë në dispozicion të kandidatëve që nuk janë regjistruar në asnjë degë të fakulteteve publike, si dhe për ata që nuk kanë vijuar më parë studimet e larta.
Ndërkohë që 30 për qind e kuotave të mbetura, janë vënë në dispozicion të kandidatëve që kanë kryer studimet e larta më parë, teksa kanë aplikuar edhe për vijimin e një fakulteti të dytë përmes këtyre kuotave të aprovuara specifikisht për këtë kategori. Njëkohësisht në fakultetet po vijon edhe regjistrimi i kandidatëve të shpallur fitues në programet e studimit të nivelit të dytë, “Master Shkencor”, si dhe “Master Profesional”. Gjatë javës së ardhshme pritet të bëhen publike listat e kandidatëve që kanë fituar të ndjekin studimet “master”, në ciklin part-time.
Histori
Gjuhe-Letersi