Partitë e vogla të majta e të djathta kundërshtojnë kodin zgjedhor me prim, ide e qarkulluar së fundmi, duke e cilësuar si shkatërrim të zgjedhjeve.
Ata kanë kërkuar nga dy partitë kryesore politike, socialistët dhe demokratët, që të ndërhyjnë në kod zgjedhor duke propozuar korrektimin në nivel kombëtar të votave.
Në një kohë kur krahët e ndryshëm politik kanë artikuluar idetë e para për ndërhyrjet në kodin zgjedhor, partitë e vogla kanë kërkuar që sistemit aktual t’i shtohet korrektimi kombëtar.
Sipas kreut të Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, me kodin aktual qytetarët që besojnë në platformën e partive të vogla mbetën pa përfaqësim.
“Së pari duhet futur korrektimi kombëtar për një përfaqësim sa më të drejtë dhe për mosdeformim. Dhe pastaj a do i jepet avantazh një partie për tu konsoliduar, që sidoqoftë, koalicioni të ketë një shtyllë të parë, kjo është për tu diskutuar vetëm në rast se futet edhe korrektimi kombëtar”, thotë Skënder Gjinushi.

