Partizani u jep dorën e fundit përgatitjeve në prag të ndeshjes së kthimit për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit që do të zhvillohet këtë të mërkurë në stadiumin “Qemal Stafa”.
Pas rezultateve të fundit jo shumë pozitive, të kuqtë kanë nevojë për një kthesë të menjëhershme duke filluar që nga sfida ndaj kurbinasve në mënyrë që në skuadër të rikthehet harmonia. Humbja 2-0 në sfidën e parë bën që Partizani të mos hyjë si favorit në këtë përballje megjithatë në kampin e 15-herë kampionëve kanë besim se me mbështetjen e tifozëve do të realizojnë përmbysjen e madhe.
Në stërvitjen e fundit të Partizanit ishin të pranishëm edhe dy prurjet e reja. Bëhet fjalë për sulmuesin brazilian Gabriel Do Karno dhe mbrojtësin japonez Kato i cili mesa duket e ka kaluar provën dhe do të luajë me Partizanin për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
Në 4 vitet e fundit Kato ka luajtur në ligat amatore në Gjermani.
Përsa i përket brazilianit Gabriel Do Karno ai ka një të kaluar në kampionatin grek me Asteras Tripolis ndërkohë që ka luajtur edhe në disa skuadra braziliane. 25-vjecari është transferuar te Partizani si lojtar i lirë.
