Partizani drejt Rusisë me dilema në mbrojtje

Dita

Partizani përballë Krasnodarit në ndeshjen “play off” të Europa League me dilema në mbrojtje. Reparti tek i cili Adolfo Sormani do të mbështetet më tepër, i krijon jo pak problem trajnerit të kuq. Situata më delikate rreth së cilës stafi teknik po provon të gjitha alternativat mbetet krahu i majtë i repartit difensiv, prej mungesës së të skualifikuarit, Kalari.

Trajneri Sormani ka eksperimentuar gjatë, ku përveç Atandës që duket i destinuar të jetë zëvendësues, ka provuar në këtë pozicion edhe Emiljano Vilën e Lorenc Trashin. Dy lojtarët qëndruan pushim në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar në periferi të kryeqytetit përpara ndeshjes së parë dhe sipas stafit mjekësor lojtarët vuanin shqetësime të vogla dhe vendimi u morr për të mos vënë në dyshim prezencën e tyre ndaj Krasnodar.

Zgjedhjet për stafin teknik do të ishin më të lehta nëse Fejzullahu do të ishte në formë optimale dhe do të luante në krahun e djathtë të mbrojtjes, duke spostuar majtas Ibrahimin. Por, kjo është një alternativë e parealizueshme prej faktit që lojtari i lindur në Preshevë nuk është stërvitur mjaftueshëm.

Megjithë dilemën që duhet të zgjidhë, përveç punës taktike, trajneri Sormani ishte i përqendruar te krijimi i një “bunkeri”, me objektivin për të marrë rezultat pozitiv në sfidën që do të luhet në qytetin në veri-lindje të Detit të Zi. Skuadra punoi me goditjet standarde, për të bllokuar një kundërshtar që nuk është cilësor vetëm në aspektin teknik, por edhe mjaft i fort në luftën në ajër.

E ndërkohë që skuadra pret sfidën dhe do të zhvillojë stërvitjen e fundit në impiantin modern “Krasnodar Stadium”, me kapacitet 33 mijë vende, nga Partizani konfirmohet largimi i sulmuesit slloven, Dalibor Volas. Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai njoftoi se rezervoi biletën për t’u kthyer në shtëpi, duke lënë të nënkuptohej se aventura te të kuqtë përfundoi.

Share This Article
1 Comment
  • Shanset e Partizanit per tu kualifikuar, jane pothuajse ZERO! Vetem nje mrekulli, qe nuk parashikohet te ndodhe, e ben Partizanin triumfues ne kete perballje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *