“Në sfidën me Skënderbeun me 99% fiton Partizani”. Kjo ishte deklarata e Dorian Bylykbashit për përballjen me kampionët në fuqi të Superiores, por një ditë më pas trajneri Shpëtim Duro tregohet shumë më i kujdesshëm në konferencën e radhës për shtyp, duke u shprehur se ndaj formacionit të Mirel Josës gjithçka është e hapur. “Është një përballje rivalësh, që i ka të tre rezultatet brenda. Besoj se do të jenë episodet e veçanta që do ta vendosin këtë takim”.
Skënderbeu dhe Partizani kanë grumbulluar të njëjtën kuotë pikësh në 20 javë kampionat, 4 më pak se Kukësi kryesues, por Duro nuk e sheh këtë përplasje direkte vendimtare për objektivin final. “Gjithsesi çfarëdo rezultati të prodhojë ky takim, nuk do të jetë vendimtar për titullin. Jemi vetëm në fillim të fazës së tretë dhe do kemi shumë ndeshje të tjera për të zhvilluar”.
Nexhipi apo Bylykbashi, apo të dy bashkë që nga minuta e parë? Për Duron ndaj një kundërshtari cilësor ka vend vetëm për njërin prej tyre, për të mos prishur ekuilibrat e skuadrës. “E rëndësishme është që të dy janë në formë të shkëlqyer. Ndaj Skënderbeut që është një rival i fortë, duhet të ruajmë ekuilibrat e lojës”.
Ngacmimit të korçarëve se Partizani e spostoi me qëllim takimin në “Niko Dovana”, duke shmangur “Elbasan Arenan”, Duro iu përgjigj: “Edhe po të luanim në “Elbasan Arena”, tifozët tanë do të ishin më të shumtë. Skënderbeu ka një avantazh të madh që takimi nuk luhet në “Qemal Stafa”.
