Nuk ka gola në “Qemal Stafa” për një barazim të pranueshëm, por që nuk kënaq ambiciet maksimale as të Partizanit dhe as të Flamurtarit, por që gjithsesi për rrjedhën e lojës lë ndoshta më të kënaqur vlonjatët. Java e 7 e Kategorisë Superiore niste pikërisht me përballjen e dy prej pretendentëve për titullin.
Te Flamurtari trajneri Gjoka pa Muzakën të pezulluar për arsye se kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, ia besonte sulmin dyshes Gilberto-Gelashvili me Arbrin që vepronte si mesfushor i djathtë ndërsa vendin e tij në mbrojtje e merrte Idrizaj. Nga ana tjetër numri 1 i stolit të Partizanit Shpëtim Duro me futbollistët e hedhur në fushë që nga minuta e parë tregonte qartë objektivin e të kuqve në këtë sfidë që nuk ishte gjë tjetër veçse fitorja. Njeriu i momentit te Partizani, Racic, nuk luante i vetëm, por kishte përkrah Fazliun në repartin e avancuar ndërkohë që pas tyre vepronin Vila, Mazrekaj dhe kapiteni Nexhipi.
Ndeshja nisi me Partizanin përpara. Pas kaluar ende 120 sekonda kryeqytetasit ishin shumë pranë golit, por Fazliu nuk ja doli dot të konkretizonte një aksion të të tijve. Megjithatë edhe Flamurtari nuk qëndroi pas dhe shumë shpejt hodhi vështrimin nga porta e Alban Hoxhës. Në minutën 7-të kapiteni i kuqezinjve Veliu provoi me kokë por pa sukses. Edhe minutat në vazhdim ishin të gjitha për Flamurtarin por vlonjatët nuk patën asnjëherë saktësinë e duhur përpara portës. Në të 22-tën erdhi edhe kundërpërgjigjja e Partizanit. Racic provoi me një goditje dënimi por topi i gjuajtur nga sulmuesi serb përfundoi pak centimetra jashtë portës së mbrojtur nga Ilion Lika. Në minutën e 35-të Partizani pati një tjetër shans shumë të mirë. Por krosimi nga i majta i një prej lojtarëve të formacionit të Duros nuk u shty dot drejt rrjetës as nga Vila me kokë e as nga Racic me këmbë. Në pushim dy skuadrat shkuan në barazim pa gola, ndërsa pjesa e dytë nisi përsëri me Partizanin në sulm. Në të 53-tën një harkim shumë i mirë i Cuculit nuk arrit dot nga Racic ndërsa vetëm pak sekonda më pas tentoi edhe Fazlliu nga distanca por pa ndonjë rrezik të madh për portën e Likës. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 55-të erdhi edhe kundërpërgjigjja e vlonjatëve me Gilberton që vuri seriozisht në provë Hoxhën me goditjen e tij nga distanca. Atmosfera e vigjiljes së sfidave të kombëtares ishte prezente në Qemal Stafa me tifozët e kuq që i bëjnë jehonë një ndër sloganeve më të preferuar të tifozëve kuqezinj, duke thirrur në kor “Shqipëri Etnike”.
Në minutën e 70-të ishte Cuculi ai që rrezikoi por Ilion Lika u shfaq në lartësinë e duhur ndërsa vetëm pak sekonda më pas portieri i Flamurtarit i tha edhe njëherë tjetër jo golit të Partizanit, duke bërë një ndërhyrje shpëtimtare ndaj tentativës së Nexhipit. Presioni i Partizanit ishte konstant edhe gjatë minutave në vazhdim. Në të 76-tën fati nuk ishte me të kuqtë kur një tentativë me kokë e Emiliano Vilës pas krosimit të Nexhipit përfundoi vetëm pak centimetra jashtë katërkëndëshit të vlonjatëve. Mundësi tjetër e shkëlqyer për Partizanin në të 86-tën por Rrahmani tregoi se është vetëm një qendërmbrojtës teksa në vijën e portës me Ilion Likën të mundur nuk arriti të devijonte dot diagonalen e Fejzullahut për golin e avantazhit. Minutat e mbetura nuk sollën më asgjë me dy skuadrat që në fund duhej të kënaqeshin me vetëm 1 pikë, që për atë çka shfaqën dy ekipet në fushë i shkon më përshtat Flamurtarit.
