Skënderbeu, Flamurtari e Laçi kanë hipotekuar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, me fitore të pastra në transfertë, ndërsa të gjitha çiftet e tjera janë të hapura, edhe pse mjaft nga skuadrat udhëtuese arritën rezultate të favorshme. Ndërkohë, në ndeshjen më të shumëpritur, atë midis Partizanit e Vllaznisë, nuk pati gola, duke lënë gjithçka në ekuilibër të plotë për ndeshjen e kthimit, pas dy javësh, në “Loro Boriçi”. Vllaznia vazhdon të jetë e pamposhtur nga Partizani në këtë sezon në Tiranë, pasi në ndeshjen e fazës së parë të kampionit mori tri pikë. Edhe dje, ishin pikërisht shkodranët ata që iu afruan më tepër fitores, duke pasur disa raste të mira për të shënuar, ndërkohë që të kuqtë krijuan shumë pak. Gjithsesi, barazimi pa gola nuk mund ta bëjë Vllazninë të flejë mbi dafina për ndeshjen e kthimit në shtëpi, pasi Partizani i këtij sezoni më së shumti është shquar për lojë me topa të gjatë, çka e bën të rrezikshëm në kundërsulme.
Lushnja bën bis
Tirana luante në Lushnjë me shpresën për të marrë në Kupë një rezultat më të mirë se ai i kampionatit, por ndodhi e kundërta. Sërish humbje, këtë herë minimale, por për Kupën është më e keqe se humbja 1-2 e kampionatit. Në të vërtetë, Tirana nuk luajti keq, por përcaktues i takimit u bë gabimi i portierit Marsel Caka, në minutën e 17-të. 18-vjeçari nuk arriti të kontrollonte një top të lehtë, duke i dhënë mundësi Topit të shënonte golin e vetëm të takimit. Bardheblutë u përpoqën dhe patën mundësi barazimi, por Spaho në portën lushnjare u tregua në lartësinë e duhur. Rastet e Tiranës ishin më të shumta, por diferencën e bënë pikërisht portierët dhe në këtë mënyrë edhe Gugash Magani debuton me humbje në stolin bardheblu, ashtu si Gallo e Bulku para tij.
Fiton Apolonia
Në Fier, Apolonia mundi 1-0 Kukësin, me golin e shënuar nga Papa në kohën shtesë. Fierakët e shfrytëzuan më së miri kthimin në shtëpinë e tyre, pas rikonstruksionit, duke mundur skuadrën më të mirë të momentit në Kategorinë Superiore dhe një pretendente serioze për të fituar Kupën. Në Berat, Flamurtari mundi Tomorin 2-0, ndërsa Laçi fitoi me të njëjtin rezultat në Kavajë me Besën. Shkumbini me Teutën u ndanë pa gola në Peqin, me durrsakët favoritë për të ecur më tej në ndeshjen e kthimit, nisur edhe nga fakti që dje peqinasit luajtën me skuadrën e dytë, duke mos shfaqur interes për kompeticionin.
Kupa e Shqipërisë
Grupi A
MAMURRASI-SKËNDERBEU 1-4
Marashi 87′ / Morina 58′, Tahirllari 66′, 80′, Tomiç 78′
SHKUMBINI-TEUTA 0-0
LUSHNJA-Tirana 1-0
Topi 17’
BESA-LAÇI 0-2
Vucaj 45′, Ndreca 74′
Grupi B
APOLONIA-KUKËSI 1-0
Papa 91’
TOMORI-FLAMURTARI 0-2
Beqiri 32′, Shehaj 45′
PARTIZANI-VLLAZNIA 0-0
BYLIS-KASTRIOTI 1-1
Bakiu 37′ / Karapici 32′