Partizani, eliminim i paralajmëruar me Laçin

redaktor

Nuk mund të quhet ndryshe përvese një dorëzim ai ndaj Laçit në Kupë, madje një dorëzim i paralajmëruar nga Partizani. “Objektivi është kampionati dhe Kupa nuk më intereson shumë. Nëse eliminohemi nga Kupa nuk ka asnjë problem, sepse kjo është strategjia jonë”.

Ishte kjo deklarata e Shpëtim Duros pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë dhe nga fjalët te veprat, Partizani u paraqit me një formacion të rinjsh në sfidën e kthimit. Edhe një element cilësor si Mazrekaj nuk mundi ta përballonte ngarkesën fizike, duke u larguar nga fusha i dëmtuar që në pjesën e parë.

Porta e Partizanit u kthye në tabelë qitjeje që në fillim të sfidës, por Xhika dhe shënjestra e gabuar e kurbinasve bënë që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes në barazim 0-0.

Në pjesën e dytë takimi mund të zhbllokohej vetëm me 11-metërsh, edhe pse në penalltinë e parë të shkaktuar nga Muskaj, Cetkovic do të godiste shtyllën.

Dy minuta më pas, sërish Muskaj shkaktoi ndërhyrje të parregullt në zonë, duke u detyruar të dilte nga loja me të kuqe pas dy të verdhave. Këtë radhë barrën e rëndë nga pika e bardhë e mori përsipër Xhejms, që bëri me të thjeshtën me një goditje qendrore, pasi Xhika si në rastin e parë, u hodh nga e djathta.

Mbrojtja e Partizanit thuajse nuk ekzistonte në minutat në vazhdim, derisa Meto, në minutën e 79 me portën e boshatisur, realizoi me shumë lehtësi golin e dytë.

Në minutat shtesë Laçi humbi të tjera raste flagrante, por ky takim ishte i destinuar të zgjaste 120 minuta. Madje kualifikimi i paralajmëruar i Laçit erdhi në minutën e fundit shtesë me finalizimin e Cetkovic, duke i shpëtuar të dyja skuadrat nga impenjimi për të goditur 11-metërshat.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *