Partizani fiton sfidën për Europën, Kukësi zhyt Kamzën

DITA Online

 

Ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshje të tjera të javës së 28-të të Kategorisë Superiore. Nuk ka pasur surpriza, me Kukësin, kampionët në fuqi të Shqipërisë, që kanë marrë një fitore 1-0 në fushën e Kamzës.

Në vendin e tretë të klasifikimit, pas Kukësit, është Partizani i Dalipit, që ka siguruar gjithashtu fitoren e tretë radhazi në Superiore pasi ka mundur me rezultatin 3-0 Laçin në transfertë.

Fitorja e Partizanit

Pjesa e dytë ka qenë një makth i vërtetë për Laçin në ndeshjen e kësaj jave kundër Partizanit, ku miqtë shënuan 3 gola në 45 minutat e dyta, duke marrë një fitore të pastër në këtë transfertë të vështirë.

Takimi u zhbllokua nga një gol i shënuar nga braziliani Lucas Cardoso, që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 50’, duke i dhënë qetësinë të kuqve.

Kur Laçi u hodh i tëri në sulm për të gjetur golin e barazimit, ishte një aksion fantastik i Besart Abdurrahimit, që galopon në krahun e majtë të sulmit, futet në zonë dhe shënon golin e dytë për Partizanin.

Në minutën e 87’, me Laçin të dorëzuar tashmë, ishte Gerhard Progni që shënoi edhe golin e tretë për të kuqtë e Dalipit, duke vulosur rezultatin 0-3.

Kjo ka qenë një përballje direkte për Europën, duke parë se dy ekipet ishin me pikë të barabarta para këtij takimi.

Kriza e Kamzës

Fitore mjaft të vlefshme mori edhe Kukësi, që triumfoi minimalisht 0-1 në Kamëz. Me Gurin e dëmtuar, për verilindorët vendosi takimin braziliani Elton Cale, që shënoi në minutën e 5-të të takimit, duke bërë që Kukësi të konsolidohet në vendin e dytë të renditjes.

Nga ana tjetër Kamza mund të quhet zyrtarisht pjesë e zonës së ftohtë dhe do të duhet të luftojë shumë për të mbijetuar në Superiore, pasi Vllaznia dhe Teuta janë shumë pranë saj në renditje.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *