Një prej dy supersfidave të javës së 4-t në Kategorinë Superiore do të jetë ajo mes Partizanit dhe Kukësit që do të zhvillohet mbrëmjen së shtunës në stadiumin “Qemal Stafa”.
Në fushë pritet të zbresin dy skuadra që këtë sezon kanë si objektiv kryesor të ulin Skënderbeun nga froni. Në tre javët e para të kampionatit Partizani ka grumbulluar 7 pikë dy më pak se korçarët ndërsa Kukësi ka marrë vetëm 6 pikë.
Por nëse Partizani po kalon një moment më të qetë pas dy fitoreve të fundit në Superiore ndaj Flamurtarit dhe Vllaznisë si dhe suksesit të thellë në Kupën e Shqipërisë përballë Korabit, verilindorët vinë me disa probleme në këtë sfidë dhe këtë gjë e vërteton më së miri humbja 3-1 në ndaj Naftëtarit në ruandin e parë të Kupës edhe pse në atë sfidë trajneri Marcelo Troisi aktivizoi shumë pak lojtarë të formacionit titullar.
Përveç se problemet në mbrojtje me Renato Malotën që është i skualifikuar për sfidën e “Qemal Stafës” dhe Franc Veliun e Ylli Shametin që nuk janë riaftësuar ende plotësisht nga dëmtimet respektive, Kukësi ka kundër edhe statistikat ndaj Partizanit.
Nënkampionët e Shqipërisë nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë përballë të kuqve në kryeqytet në Superiore. Në dy sezonet e fundit Kukësi është përballur në 4 raste me Partizanin në “Qemal Stafa”, sfida në të cilat regjistron 2 barazime dhe 2 humbje.
Duke parë statistikat por edhe problemet me dëmtimet dhe skualifikimet që kanë verilindorët, Partizani shkon si i favorizuar në këtë sfidë. Të besuarve të Marcelo Troisit për të thyer tabunë në Qemal Stafa përballë të kuqve do tu nevojitet një ndeshje perfekte.
