Partizani me mungesa, pritet kthimi i Gomes

redaktor

Mungesat e shumta në formacion në përballjen e fundit të sezonit nuk mund të jetë justifikim për Partizanin, që duhet patjetër të fitojë, nëse dëshiron të shpallet kampion.

Në seancën stërvitore të zhvilluar në kompleksin e ekipeve kombëtare Kamzë, Agostinelli punoi me një grup të cunguar, ku binte në sy mungesa e Stefan Racic dhe e Sodiq Atandës.

Sulmuesi serb është larguar drejt vendlindjes së tij, pasi është pezulluar dy ndeshje nga Disiplina, që do të thotë se e ka mbyllur sezonin, madje është në pikëpyetje vazhdimësia e tij në klubin e kuq, pasi palët do të ulen në tryeze vetëm pas përfundimit të kampionatit.

Ndaj “Djemve të Detit” do të mungojnë për arsye kartonësh edhe Trashi me Kalarin, mirëpo të dy futbollistët në fjalë janë stërvitur rregullisht me grupin, pasi mund të japin kontribut te Partizani B, që synon ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Një lajm befasues për tifozërinë e kuqe është rikthimi e brazilianit Filipe Gomes, për të cilin u aludua se e ka humbur sezonin, por ekzaminimet e mëtejshme kanë përjashtuar këputjen e ligamenteve të gjurit e për rrjedhojë mesfushori po vijon me terapinë për të qenë i gatshëm për Teutën.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja e Agistinellit për mbrojtjen dhe mesfushën, dy repartet ku janë krijuar boshllëqet më të mëdha për shkak të mungesave.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *