Partizani pret Bylisin sot në “Qemal Stafa”, në një takim ku të kuqtë duhet të fitojnë patjetër për të mbajtur hapat me skuadrat e tjera të kreut. Skuadra ballshiote përpëlitet në zonën e ftohtë, megjithatë trajneri Marcio Sampaio është shprehur me respekt për Bylisin, ndonëse nuk i druhet ndonjë surprize të pakëndshme. Dy rezultatet e mëparshme në kampionat janë të mjaftueshme që Partizani të mos e konsiderojë si shëtitje takimin e sotëm, pasi në fazën e parë Bylisi barazoi në Tiranë dhe në të dytën fitoi në Ballsh. Portugezi beson se këtë herë është radha për fitoren e Partizanit. “Nuk kam frikë për ndonjë rezultat surprizë me Bylisin. Besoj se do të fitojmë ne, por duke e respektuar në maksimum kundërshtarin. Personalisht e respektoj këtë skuadër, ashtu si gjithë të tjerat. Kampionati është shumë i fortë, kjo duket nga diferencat që kanë skuadrat e kreut me ato që luftojnë për të mos rënë nga kategoria. Sigurisht që objektivi ynë është vetëm fitorja”, tha Sampaio në konferencën e djeshme për shtyp. Ai shton se është i kënaqur me ecurinë e skuadrës gjatë vitit 2014 dhe thotë se është një fakt domethënës për rritjen e të kuqve. Sampaio pati disa kritika pas barazimit në Durrës javën e kaluar, me Teutën, por tani thotë se lojtarët kanë reaguar mirë në stërvitje. “Këto ditë kam qenë i lumtur, sepse kam marrë përgjigjet e duhura nga futbollistët gjatë seancave stërvitore. Kemi folur me njëri-tjetrin për të zgjidhur problemet e skuadrës. Unë nuk i kam kritikuar lojtarët për një pasim të gabuar apo diçka tjetër të ngjashme, por për sjelljen në fushë në kompleks. Mund t’ju them se futbollistët që nuk dhanë atë që kërkoja në fushë erdhën vetë tek unë duke pranuar përgjegjësitë. Prandaj nuk kam pse të drejtoj gishtin për të treguar se kush gaboi”, thotë Sampaio, i cili autokritikën e vërtetë e pret në fushë, me një fitore kundër Bylisit.
Solidarizimi
Sampaio e ka nisur komunikimin me median duke u solidarizuar me tifozët e dhunuar në Durrës, fundjavën e kaluar, ndërkohë që shprehur shqetësimin për djaloshin e ri të plagosur në kokë, të cilit iu rrezikua jeta. “Do ta vizitoj dhe do të bëj gjithçka që ai të jetë mirë”, premtoi Sampaio. “Shpresoj që të tilla episode të mos ndodhin më. Tifozeria jonë mbetet një faktor i rëndësishëm për ne”.

Trajneri i Partizanit, me shume llafe e deklarata se sa pune dhe rezeltate.
Nuk eshte trajneri i duhur i Partizanit, keni per ta pare.